PS pret PBDNJ, shtyhet marrëveshja e koalicionit
Aristir Lumezi
PBDNJ detyron Partinë Socialiste të shtyjë për të martën nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit zgjedhor me partitë e tjera. Katër partitë e majta, PS, PSD, PDS, G99 kishin vendosur që të nënshkruanin sot bashkëpunimin e tyre zgjedhor, për të bërë të mundur paraqitjen pranë KQZ-së të koalicionit të tyre, “Politika e re për Ndryshim”. Do të jenë Rama, Gjinushi, Milo, Veliaj dhe ndoshta Dule, që do të firmosin marrëveshjen e koalicionit të majtë me PS-në në zgjedhjet e 28 qershorit, nëse nga kryeministri Berisha PBDNJ-së nuk i vjen ndonjë ofertë joshëse politike. Kjo shtyrje vjen për shkak se me këtë koalicion pritet të bashkohet dhe PBDNJ, e cila ka lënë të kuptohet, por nuk është shprehur qartë, nëse do t’i bashkohet koalicionit të majtë me PS-në. Dy ditë më parë, Vangjel Dule mori konfirmimin prej delegatëve të kongresit elektoral të PBDNJ-së, që t’i japë fuqi kryesisë së kësaj partie deri të martën që të marrë vendimin e përzgjedhjes së koalicionit parazgjedhor. Kjo taktikë nuk është e panjohur për PBDNJ-në e cila vazhdimisht para zgjedhjeve parlamentare është sjellë si parti e qendrës me tendencë fituesin e zgjedhjeve. Por burime nga kampi i majtë konfirmuan dje bashkimin e kësaj partie me këtë koalicion, pas kontakteve që kanë pasur me drejtues të PBDNJ-së, të cilët shprehen më të favorizuar nga koalicioni i majtë dhe për shkak të disa pakënaqësive që kanë nga koalicioni i djathtë. Dule shprehu pakënaqësi ndaj qeverisë në kongresin elektoral të tij të disa ditëve më parë. “Dëgjuam forca politike edhe disa muaj më parë por edhe sot që, në mënyrë demagogjike, të flasin për votën e emigrantëve, por kur zhvillohej debati për Kodin e ri Zgjedhor dhe ekzistonin të gjitha kushtet dhe premisat që të mos shikonim vetëm xhepat dhe reminitancat e emigrantëve, nuk i dhanë atyre mundësinë e kontributit të tyre përmes votës. Dhe ishte PBDNJ-ja e vetme që ngrinte zërin pa u dëgjuar nga askush. Sa më shpejt të nisë procesi dhe të përfundojë brenda katërvjeçarit të ardhshëm adoptimi edhe në vendin tonë i monedhës së përbashkët euro”, tha Dule. Ai akuzoi maxhorancën dhe qeverinë e saj se “integrimi në NATO dhe vetë arritja në Aleancë u përdor si slogan demagogjik, më shumë se si arritje e të gjithë shqiptarëve”. Në zgjedhjet parlamentare 2005, edhe pse ishte në koalicion me të majtët në tetë vjet qeverisje, PBDNJ, iu bashkua maxhorancës së djathtë dhe pse dy nga deputetët e saj kishin dalë pas bashkëpunimit me PS në proporcional. Dalja e PBDNJ-së në krah të së djathtës, u shfaq në raundin e dytë të zgjedhjeve të 3 korrikut, në balotazh. Dule mbështeti në Gjirokastër kandidatin e PD-së, Genc Ruli, i cili doli në balotazh me Makbule Çeçon e PS-së. pas këtij akti, PBDNJ firmosi pozicionin e ministrit të Punës. Ndërsa tre partitë e tjera të majta, PSD, PDS dhe G99 janë pozicionuar vazhdimisht në krah të socialistëve si edhe në zgjedhjet e 2005, por edhe gjatë këtij mandati në Kuvendin e Shqipërisë.