E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Nuk ka monopol në importet e energjisë

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, deklaroi se sipas tij, "nuk ekziston ndonjë monopol në tregun e importit të energjisë elektrike dhe se importet tashmë nuk kryhen më nga qeveria, por nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes". Prifti i bëri komentet dje pas akuzave nga opozita, e cila pretendon se ka "abuzime në importin e energjisë elektrike" dhe se ka një "monopol te importet".

"Kryesisht kompanitë që kanë fituar tenderët e energjisë nuk kanë pasur kontratë për sasi energjie më shumë se 20 për qind të nevojës. Ka qenë strategji jona, por dhe e OSSH private, që kontratat e furnizimit me energji nga importi të ndahen mes disa ofertuesve për të garantuar sigurinë e furnizimit dhe eliminuar varësinë nga kompani të veçanta", tha Prifti.

Shqipëria importoi rreth 200 milionë euro energji gjatë vitit 2007 dhe 200 milionë të tjera gjatë vitit 2008, me çmime që qenë 30 deri në 100 për qind më të larta se sa në Ballkanin Lindor apo Europën Qendrore. Përgjatë viteve, në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ka pasur akuza për ekzistencën e një monopoli rajonal në linjat e transmetimit të energjisë që kalojnë përmes Serbisë dhe që sjellin edhe dyfishim të çmimeve.

Çmimet e energjisë së importuar në Shqipëri arritën kulmin në vitin 2008 në 95 euro për MW mesatarisht, por u ulën në rreth 49 euro për MW këtë vit dhe pritet të rriten lehtë në 51 euro për MW vitin e ardhshëm. Importet e larta të dritave kanë sjellë edhe përkeqësim të shpejtë të bilancit të pagesave të vendit dhe Banka e Shqipërisë ka dy vite që paralajmëron për rrezikun e zhvlerësimit të lekut, gjë që ndodhi këtë vit.

Blerësi është OSSH

Sipas Priftit, opozita nuk duhet të akuzojë qeverinë për shkak se importet e dritave tashmë bëhen nga një kompani private, e cila është Operatori i Sistemit të Shpërndarjes nën pronësinë e CEZ.

"Sqarojmë se, që mbas privatizimit të OSSH nga kompania çeke CEZ, qeveria shqiptare nuk ka detyrë dhe përgjegjësi për të siguruar importin e nevojshëm për OSSH. Me marrëveshjen e privatizimit, kjo përgjegjësi dhe detyrë i ka kaluar operatorit privat OSSH", tha Prifti.

Sipas modelit të liberalizimit të tregut, të miratuar nga Enti Rregullator, OSSH duhet të blejë me çmim tregu të gjithë sasinë e energjisë që vidhet në rrjet, si një mekanizëm për ta nxitur për reduktimin e vjedhjeve, ndërsa pjesën tjetër e blen nga KESH me çmime të përcaktuara nga Enti. Javën e kaluar, Enti i anuloi dy kontrata për importin e dritave të OSSH, me argumentimin se kompania private nuk kishte respektuar standardet ligjore të prokurimeve, pasi kishte pranuar në negociata të drejtpërdrejta çmime më të larta se ato të ofruara në një tender.

Gj. Erebara

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›