E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pacientët me virozë të rëndë do të marrin Tamiflu

Pacientët me virozë të rëndë, të dyshuar se janë të prekur nga gripi i derrit do të marrin Tamiflu, edhe pse përgjigjja nga laboratori i virologjisë mund të mos jetë dhënë, nëse personi është i prekur nga gripi i derrit apo jo.

Metodologjia e punës që do të ndjekin më pas mjekët do të vendoset ditën e hënë në një mbledhje të grupit të specialistëve të cilët kujdesen posaçërisht për situatën e gripit të derrit në vendin tonë. Janë rreth 10 mijë doza Tamiflu të cilat kanë mbërritur një javë më parë në Institutin e Shëndetit Publik dhe kanë nisur të shpërndahen në spitalet në të gjithë vendin.

Të gjitha poliklinikat e mëdha të vendit që nga fillimi i javës së ardhshme pritet të pajisen me medikamentin Tamiflu.

Drejtori i Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, tha se kjo është një nga format për të përballuar sa më mirë situatën dhe do të diskutohet në ministri ditën e hënë.

Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë për një rritje të ndjeshme të numrit të personave që po preken nga gripi stinor, por edhe nga virusi AH1N1. Pipero sqaron se në bazë të gjendjes klinike që paraqet pacienti, mjekët do të vendosin për trajtimin me medikamentin Tamiflu, edhe pa pritur përgjigjen e analizave. Kjo masë do të merret pasi Tamiflu është një preparat që vepron për të dy viruset, që po qarkullojnë aktualisht në vendin tonë. Gjatë ditëve të fundit në disa shkolla në Tiranë, por edhe në Mat është konstatuar qarkullimi i AH1N1, forma e gripit të derrit që qarkullon në vend deri më tani ka qenë e lehtë dhe mesatare. 76 persona janë konfirmuar të prekur nga gripi i stinës. Ndërkohë që virusi i gripit të zakonshëm ka mbërritur më parë sesa ishte dhënë parashikimi. Përhapja e virusit të zakonshëm është e shpejtë dhe po prek të gjithë vendin.

L.Mixha

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›