E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, "vatra" e infeksionit në Tiranë

Shqipëria ndodhet zyrtarisht në fazën e parë të pandemisë për sa i takon situatës së gripit të derrit. Raportimi i analizave të fundit, realizuar dje në Institutin e Shëndetit Publik konfirmon plot 76 të prekur nga gripi i derrit. Ndërkohë që shumica e rasteve të prekura janë në kryeqytet, pacientët kryesisht janë trajtuar në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza".

Numri më i madh i të prekurve nga gripi i zakonshëm janë moshat fëminore. Sipas grafikut të buletinit të fundit informativ lidhur me situatën e gripit, botuar pak ditë më parë nga ISHP, mbi 60 për qind e pacientëve të prekur nga gripi i derrit banojnë në Tiranë. Po ashtu, kryeqyteti ka edhe fluksin më të lartë të pacientëve të prekur nga infeksionet respiratore apo virozat e gripit të zakonshëm. Vatra e infeksionit konsiderohet kryeqyteti, duke qenë se ka edhe numrin më të madh të banorëve. Deri më 11 nëntor, Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar në Tiranë, 36 të prekur nga AH1N1. "Mund të themi se situata është në kontroll, ndërkohë që ne monitorim të plotë kemi kudo. Mund të themi se kemi rritje të të prekurve nga gripi i zakonshëm dhe kryesisht të moshave fëminore", tha Pëllumb Pipero, drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë. Sipas tij, aktualisht ndodhemi në fazën e pandemisë.

Nxënësit dhe studentët

Një pjesë e madhe e të prekurve nga gripi i zakonshëm, por edhe rastet e konfirmuara me AH1N1 janë kryesisht mosha të reja.

Nisur nga kjo ISHP ka kërkuar monitorim dhe kontroll të vazhdueshëm për fëmijët nga 1-13 vjeç, ndërkohë që në "sitë" të inspektimeve do të jetë edhe Qyteti Studenti.

"Kemi dërguar materiale për mbledhjen e mostrave edhe në Qytetin Studenti. Por duke qenë se studentët janë të pavarur, shumica e tyre veç qendrës shëndetësore paraqiten në spital. Më së shumti trajtohen në spital, por edhe kjo zonë është nën monitorim në kontroll të vazhdueshëm", sqaroi Pipero. Sipas tij, sistemi i kontrollit, monitorimi, raportimi i rasteve dhe analizat janë të mirorganizuara sipas skemës "cilësi-shpejtësi".

Analiza

Kemi një numër më të lartë të infeksioneve respiratore krahasuar me një vit më parë. Këtë javë vërejmë një trend në rritje të numrit të infeksioneve të frymëmarrjes krahasuar me javën paraardhëse. Aktualisht jemi në fazën e aktivitetit sezonal të pritshëm. Numri më i madh i rasteve të infeksioneve të frymëmarrjes vihet re në moshat fëminore. Nuk kemi shpërthim epidemik të infeksioneve respiratore të ngjashme me gripin. Numri javor i rasteve është shumë i ulët krahasuar me pragun epidemik.

Deri në datën 10 nëntor 2009 janë marrë 1037 mostra nga Tirana dhe rrethet. Numri më i madh i mostrave është marrë në grupmoshat 25-44 vjeç ku vihet re edhe numri më i madh i rasteve të konfirmuara. Shenjat klinike të rasteve të konfirmuara gjatë

dy javëve të fundit kanë qenë mesatare dhe nuk janë shfaqur komplikacione. Sipas Institutit të Shëndetit Publik veç rritjes së vigjilencës brenda sistemit shëndetësor, Ministria e Shëndetësisë është në kontakt të vazhdueshëm me ministritë e tjera, me qëllim uljen e qarkullimit të virusit në mjediset e shkollave në vendet e punës, mjetet e transportit publik, repartet ushtarake dhe institucionet sociale e kulturore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›