E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diabeti, 300 raste të reja çdo vit

Diabeti nuk prek vetëm moshat e reja apo moshat e treta. Sëmundja e sheqerit prek edhe fëmijët. Sipas statistikave, çdo vit zbulohen rreth 300 raste të reja fëmijësh me diabet. Problemi kryesor sipas mjekëve është kequshqyerja, zbulimi me vonesë i sëmundjes, si dhe mungesa e kulturës për të konsumuar një dietë me vlera të vërteta ushqimore. Mjeku specialist, Isuf Kalo, sqaron se tre janë problemet kryesore që sjellin mbipeshën dhe diabetin sidomos te fëmijët. Industrializimi, mungesa e aktivitetit fizik dhe kequshqyerja. "Shpesh herë prindërit u japin fëmijëve para për të blerë çokollata, biskota, ushqime me yndyrë apo sheqer, hiperkalorike. Të gjitha këto në një moshë madhore do të jenë shkaku i shpenzimit të më shumë parave për ilaçe", tha dje në Ditën Ndërkombëtare të Sëmundjes së Diabetit, Isuf Kalo.

Sipas tij, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha vendet në kohën e zhvillimit të industrisë dhe tregut të lirë, ka një bom kalorik ushqimesh me përmbajtje të larta klorike yndyrash dhe sheqernash.

"Fëmijët e shëndetshëm vazhdimisht kanë qenë ata me imazhin e buçkos, duke ngatërruar në këtë mënyrë të shëndetshmin me shëndetin. Po të shikosh fëmijët obezë, janë me faqe të kuqe të mbushura, këta nuk janë të shëndetshëm, por të mbiushqyer, të kequshqyer", tha Kalo. Sipas tij, agresioni i tregut në shkolla, fëmijët bëjnë garë kush të prishë para më shumë, ndërkohë që politikat lejojnë që të mos ketë vetëm makina që shesin çokollata, por klube apo lokale të cilat të tregtojnë ushqime hiperkalorike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›