E Diel, 1 Nëntor 2026

Babai i vajzës së vrarë: I fejuari i saj ishte i droguar

Ismail Hoxha, babai i Marsidës, vajzës shtatzënë e cila u vra nga i fejuari i saj, pohon se ishte në dijeni të konflikteve mes tyre dhe i kishte kërkuar asaj që të ndahej prej tij

RROGOZHINË Qindra qytetarë të Rrogozhinës i kanë dhënë lamtumirën e fundit 22- vjeçares Marsida Hoxha, vajzës shtatzënë tremuajshe, e vrarë dy ditë më parë me armë zjarri nga i fejuari i saj Kreshnik Selmani, i cili më pas ka vrarë edhe veten.

Kortezhi i gjatë është nisur nga shtëpia ku ndodhi krimi në drejtim të varrezave të qytetit, që ndodhen disa qindra metra larg shtëpisë. Kortezhi ka ecur në këmbë, ndërsa arkëmorti i mbuluar me lule ka prirë turmën e përlotur dhe të përfshirë nga dhimbja. Askush nuk ka dashur të flasë për median, duke u shprehur se shkaqet dhe gjithçka që lidhet me humbjen e dy jetëve, bashkëshortët e kanë marrë me vete. Mëngjesi ka qenë i zymtë në Rrogozhinë. Në rrugicën që të çon drejt shtëpisë ku ndodhi krimi shiheshin veç grupe njerëzish që shkonin për ngushëllim drejt të afërmeve të vajzës që nuk u bë kurrë nënë. Shtëpia ndodhej sipër një kodre, mes një blloku banesash njëkatëshe të një lagjeje që shtrihet sapo kalon shinat e vjetruara të linjës hekurudhore.

Grupe njerëzish ishin grumbulluar para portës së shtëpisë, një portë e lyer me bojëqielli, ngjyrë e hapësirës, dhe njëkohësisht dhjetëra të tjerë, që tymosnin cigare, shenjë e pjesëmarrjes dhe ndarjes së përbashkët të dhimbjes, qëndronin brenda oborrit, oborr i mbuluar me pak ngjyrim vjeshte, hardhi dhe pemë me degë që kishin filluar të thaheshin nga zagushia dhe vula e stinës së vjeshtës. Të gjithë të presin në heshtje dhe të përcjellin në heshtje. Dhe askush nuk komenton ngjarjen.

Njëri prej kushërinjve të viktimës, që nuk do të identifikohet, rrëfen se kishte qenë i pari që kishte parë mes gjakut kushërirën e tij të pajetë dhe të fejuarin e saj, Kreshnikun.

“Ishte pamje e llahtarshme. Vajza kishte rënë në brinjë me një plumb në afërsi të vetullës së djathtë, ndërsa i fejuari me kokë të ndarë në dysh nga plumbi. Në fakt gjatë kësaj periudhe ata ishin grindur shumë. Vajzën e mbajti burri i tezes së saj këto dhjetë ditë. I fejuari erdhi një ditë para krimit dhe gjatë asaj nate janë dëgjuar tek fjaloseshin dhe grindeshin. Kujt ia merrte mendja se do të ndodhte tragjedia? Të nesërmen ai kishte kërkuar kafe. E kishte pirë dhe më pas kishte qëlluar vajzën. Thonë se kishte lënë një letër në xhepat e tij. I drejtohej fëmijës së ardhshëm Nuk e di sa e vërtetë është kjo E di policia”, pohoi i afërmi i viktimës 22-vjeçare.

Vajza me foshnjë në bark që kurrë nuk arriti të bëhej nënë, do prehet në varrezat e qytetit të Rrogozhinës, atje jashtë mureve rrethues të parcelës. Kjo për mungesë të vendeve në brendësi të saj. Ende policia nuk ka dhënë shkaqet dhe motivet e vrasjes së dyfishtë. Mendohet paraprakisht se shkak mund të ketë qenë shtatzënia.

Në varrim nuk ka marrë pjesë nëna e vajzës së vrarë. Ajo, sipas të afërmve, ishte e sëmurë. Ndërsa ka marrë pjesë vetëm babai i saj Ismaili dhe dy fëmijët, vajza e tij 18-vjeçare dhe djali i vetëm 12-vjeçar. Ismaili është kthyer në ditën e djeshme nga Italia. Ai rrëfen se e ka marrë vesh lajmin e hidhur në shtetin fqinj ku punon dhe jeton prej vitesh. Ndërsa ka deklaruar se vajza e tij dhe dhëndëri prej kohësh ishin të përfshirë në grindje.

Si ishin marrëdhëniet mes vajzës dhe të fejuarit të saj?

Ai e rrihte vazhdimisht vajzën. Vajza më ishte ankuar për këtë gjë. I kisha kërkuar të ndahej, të shkëputej e t’i jepte fund kësaj lidhjeje. Ai e torturonte vazhdimisht derisa i mori jetën. I thashë mos shko më tek ai burrë. E mora vesh që kur isha duke punuar.

Grindeshin edhe më parë me njëri-tjetrin?

E thashë, ai e rrihte dhe e torturonte. Vajza më ankohej përherë për këtë gjë.

Askush nga familja nuk pretendon hakmarrje apo të kërkojë nga shteti zbardhjen e ngjarjes. Edhe predikimi i Hoxhës në varrim ishte që të ruajmë paqen dhe gjakftohtësinë prej të gjithëve në këtë moment të vështirë.

A e njihnit të fejuarin e vajzës?

Nuk e njihnim mirë, pasi ne jetonim në Itali. Mund të ketë qenë i droguar, sepse gjatë gjithë kohës ai njihej si përdorues i saj. Edhe vetë njohja e të rinjve është bërë gjatë kohës që ai ishte në burgun e Rrogozhinës i dënuar për drogë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›