Prifti dëshmon në gjykatë: Video është origjinale, u qëndroj akuzave ndaj Metës
Dritan Prifti ka dëshmuar paraditen e sotme në Gjykatën e Lartë për videon e regjistruar nga ai, ku Ilir Meta shfaqet duke kërkuar një favor në këmbim të 700 mijë eurove.
Gjatë marrjes në pyetje, zoti Prifti ka ripërsëritur faktin se video është origjinale, ndërsa ka thënë se u qëndron të gjithave akuzave dhe deklaratave të tij publike në lidhje me korrupsionin e Ilir Metës.
Videoja është autentike dhe unë nuk kam kryer asnjë ndërhyrje në të. Regjistrimi është bërë me kamera orë, nuk kam kompetencë shkencore, por flas në përgjegjësinë time personale, tha Prifti.
Ilir Meta është duke marrë pafajësinë, pasi Gjykata e Lartë ka vendosur që të pranojë një ekspertizë nga tre shqiptarë, të cilët pretendojnë se video nuk është origjinale. Kjo, kur ekspertët amerikanë dhe anglezë thanë se video është origjinale.
Duke qenë se tashmë video është rrëzuar, dëshmia e Priftit nuk pritet që të merret shumë seriozisht nga gjykata, e cila duket se e ka marrë vendimin para se të fillonte procesi.