E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meksi: Zhvlerësimi i lekut, pasojë e shpenzimeve elektorale

Deputetja e PS-së, Ermelinda Meksi, jep një panoramë të detajuar mbi arsyet e zhvlerësimit së lekut dhe komenton shifrat kontradiktore të qeverisë për rritjen ekonomike


"Kur qeveria shpenzon me tepri lekë, këto lekë këmbehen në euro, gjë që rrit presionin mbi monedhën kombëtare"

Znj. Meksi, aktualisht euro kuotohet në rreth 137.8 lekë, çka është shifër e ngjashme me 10 ditë më parë, kur qeveria fajësoi opozitën ndër të tjera edhe për kursin e këmbimit. Por, që nga ajo ditë, me gjithë thirrjet e Ministrit të Financave dhe Guvernatorit të BSH-së për të rritur besimin te monedha vendase, ka vazhduar zhvlerësimi i shpejtë i lekut.


Cilat janë arsyet e këtij zhvlerësimi?


Gjatë 9 mujorit të parë të këtij viti, ka pasur një tendencë të fortë dhe të qëndrueshme të zhvlerësimit të lekut, kryesisht ndaj euros dhe shifrat e ditëve të fundit tregojnë se euro po shënon rekorde të reja historike.


Sigurisht, që ky nuk është një zhvillim spontan apo thjesht "spekulativ", e aq më pak për "faj të opozitës", siç deklaron në mënyrë të çuditshme qeveria, por pasojë e drejtpërdrejtë e një politike të shfrenuar fiskale, ku nga njëra anë janë rritur ndjeshëm shpenzimet dhe nga ana tjetër janë rrudhur duke rritur deficitin buxhetor. Sipas vetë Bankës së Shqipërisë, deficiti i lartë buxhetor në Shqipëri kontribuon në dobësimin e lekut.


Shpenzimet e tepërta elektorale të qeverisë këtë vit çuan në rritje të importeve dhe të llogarisë korente, e cila ka arritur nivelin më të lartë historik. Pra, kur qeveria shpenzon me tepri lekë, këto lekë këmbehen në euro, gjë që rrit presionin mbi monedhën kombëtare.


Në këto kushte ilaçi i vetëm do të ishte ulja e shpenzimeve buxhetore. Ndërkohë ka ndodhur e kundërta. Në maj, për qëllime elektorale u rritën pagat dhe pensionet me 10 për qind, ndërkohë që të ardhurat e buxhetit të shtetit qenë rritur me vetëm 5 për qind.


Diferenca solli automatikisht zhvlerësim të lekut. Pra në maj, në vend të rritjes,qeveria u dha pensionistëve dhe rrogëtarëve të shtetit para borxh, që ata po i paguajnë me zhvlerësimin e lekut.


Kjo ka sjellë rënien e fuqisë blerëse dhe vështirësi në shlyerjen e kredive në valutë,duke sjellë rritjen e kredive të këqija. Por, sigurisht ka dhe faktorë të tjerë, ku vend kryesor zë rënia e ofertës së euros në treg, si pasojë e rënies së ndjeshme të të ardhurave nga emigrantët dhe dobësimit të eksporteve, kryesisht të rieksportove.


Gjithashtu, forcimit i euros në bursat ndërkombëtare, një faktor shumë i rëndësishëm që ka sjellë zhvlerësimin e lekut, është niveli i lartë i deficitit buxhetor përtej parashikimit gjatë gjithë muajve të këtij viti .


Ky deficit parashikohet të rritet akoma më shumë me rishikimin e buxhetit të 2009 .Kjo ka sjellë mungesa të valutës në treg, sepse kërkesa e lartë sezonale për valutë, që shërben për të plotësuar nevojat e vendit me importe ka shpejtuar rënien e lekut gjatë muajit të fundit, tendencë që është shfaqur gjatë gjithë vitit 2009.


Çfarë bëjnë qeveritë në të tilla raste?


Në vende që kanë pasur këtë fenomen gjatë këtij viti, që shfaqi edhe më të plota efektet e krizës globale, qeveritë pranuan këshillat e FMN-së, të cilat qenë të thjeshta: Qeveritë të ulin shpenzimet e veta dhe rrjedhimisht, edhe monedhat e tyre kombëtare nuk zhvlerësohen.


Shqipëria është nga të paktat vende që nuk e pranoi këtë këshillë, për shkak se vendi gjendej para zgjedhjeve. Vetë Kryeministri deklaroi në anë kohë: "Mendoj se FMN-ja shkakton trazira sociale në raste krizash, prandaj nuk dua të punoj me të."
Qeveria shqiptare nuk ka pranuar në asnjë rast të diskutojë mundësinë e shkurtimit të shpenzimeve të saj për të ruajtur vlerën e lekut dhe për më tepër, deklaron se kursi aktual është "plotësisht i pranueshëm".


Kjo situatë ka sjellë me vete koston e saj, që shqiptarët prej kohësh po e paguajnë nëpërmjet zhvlerësimit të lekut, si një taksë tashmë të fshehtë, e cila duke perifrazuar nobelistin Milton Fridman, nuk ka nevojë për ligj.


Ajo që po ndodh me kursin e këmbimit, është thjesht një taksë që qeveria ua ka ngarkuar shqiptarëve në kurriz, për të mbuluar shpenzimet paraelektorale, përfshirë edhe rritjen e pagave e pensioneve nga 1 maji.


Zhvlerësimi i monedhës kombëtare është një lloj takse që nuk fal askënd dhe paguhet nga të gjithë. Mjafton të pyesni kredimarrësit në euro, ata që paguajnë banesat dhe makinat në euro dhe së fundi të gjithë konsumatorët që për shkak të raportit të thellë që kanë importet me eksportet (5 me 1) do të detyrohen të paguajnë më shumë lekë për të njëjtat mallra dhe shërbime, çka nënkupton një rënie të ndjeshme të fuqisë blerëse dhe thellim të varfërisë.


Dhe efektet po ndjehen. Qeveria propozoi dhe miratoi ligjin për rritjen e një sërë taksash për produktet e akcizës nën justifikimin e standardizimit me vendet e BE-së, ndërkohë që arsyeja reale është mungesa e të ardhurave të parashikuara në buxhet dhe vazhdimi i shpenzimeve të fryra si për administratën (VENDIM PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR. 115, DATË 02.02.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, "PËR PËRCAKTIMIN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME, PËR VITIN 2009, NË DISA MINISTRI DHE INSTITUCIONE QENDRORE", TË NDRYSHUAR) ashtu dhe për shpenzime operative.


Mjafton të shikosh vendimet e fundit të qeverisë për numrin e punonjësve të administratës, apo procedurat e prokurimeve (për zyrat e ministrave) që tregojnë pamaturinë e rishikimit të shpenzimeve buxhetore në përputhje me situacionet e krijuara në të hyrat dhe shpenzimet buxhetore.


Ka kohë që debatohet për rritjen ekonomike, kohët e fundit INSTAT-i deklaroi që rritja ekonomike e tremujorit të dytë qe 5,3%, kur sapo FMN-ja deklaroi një rritje 0,7%. Ju si e komentoni këtë shifër?


Debati për çështjet ekonomike në Shqipëri fatkeqësisht shoqërohet me informacionin e keqpërdorur prej pushtetit përkundrejt asaj që ndodh në çdo vend të zhvilluar e demokratik, ku debate të tilla i karakterizon realizmi që udhëhiqet nga pushteti i informacionit. Informacioni është pushtet për një vendimmarrje efikase në kohen e duhur për ekonominë. Por, në Shqipëri ndodh e kundërta, informacioni si pronë e pushtetit manipulohet në funksion të politikës demagogjike që po e qorrollis ekonominë.


Sapo FMN-ja u shpreh për rritjen ekonomike në Shqipëri për këtë periudhë të 2009-s në nivelin 0,7%, INSTAT-i, si një institucion aspak serioz, tashmë i pabesueshëm për publikun, nxitoi sigurisht me një urdhër politik të shpallte shifrën prej 5,3 % rritje të PPB-së në tremujorin e dytë kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.


Po kujt i duhet kjo shifër empirike, pjesore e llogaritur për nevoja të brendshëm të INSTAT-it, përveçse të ilustronte me shifra demagogjinë e arritjeve të qeverisë, të paktën të na jepte rritjen 6- mujore? Ky institucion akoma nuk i ka dhënë publikut një shifër zyrtare për nivelin e arritur të PPB-së për vitin 2008, detyrë kjo shumë e rëndësishme e tij sipas ligjit.


Kjo do ta detyronte atë të mbante përgjegjësi ligjore së bashku me Ministrinë e Financave për saktësinë e llogaritjes së deficitit kundrejt PPB i cili po manipulohet përsëri në mënyrë skandaloze nga përfaqësuesit e Ministrisë së Financave në funksion të ilustrimit te pseudo arritjeve.


Akoma kujtojmë nga viti i kaluar rritjet deri dyshifrore që ky institucion nxitoi të shpallte për ndonjë tremujor, pa arritur të na jepte një shifër zyrtare vjetore. Pale për statistikat e PPB në vite, as që bëhet fjalë t'i gjesh në website e INSTAT.


Prandaj as nuk ia vlen me t'i referohesh këtij institucioni. Kjo është një situatë për të ardhur keq, kur ky institucion që mbahet me taksat e shqiptarëve dhe ka marrë jo pak asistencë ndërkombëtare, ka si funksion prodhimin e statistikave të sakta dhe të shpejta sikurse në çdo vend evropian, ku synojmë të bëhemi pjesë.


Në vend të të dhënave zyrtare të përditësuara dhe informimit të publikut për ecurinë e treguesve të ekonomisë ne njihemi për "arritjet tona" nga konferencat e shtypit të kryeministrit, ministrit apo zv. ministrit të Financave dhe këtij kori shpesh i mban iso dhe Guvernatori, megjithëse më duhet të vlerësoj statistikat e BSH si mjaft serioze dhe të përditësuara që më japin shpesh rastin të përgënjeshtroj sa thonë këta pushtetarë, mbi ecurinë e ekonomisë sonë.


Duke iu referuar informimit të publikut në SHBA, nuk mund të mos vesh re se ndërsa atje vëmendja për ecurinë e ekonomisë (sidomos në këtë periudhë të vështirë që po kalon ekonomia amerikane dhe ajo botërore), reflektohet menjëherë në çdo muaj në nivelin e papunësisë duke i ofruar publikut të dhënat e papunësisë në datën 3 të çdo muaji.


Kurse INSTAT-i ndërsa flet për rritje të PPB, në tremujorin e dytë kundrejt një viti më parë, vazhdon të publikojë një informacion për papunësinë shumë të vonuar (tremujorin e katërt të vitit të kaluar) dhe njëkohësisht të pasaktë dhe të paplotë.


Për më tepër, ky informacion realizohet vetëm mbi bazën e anketave pa iu referuar edhe burimeve të tjera siç janë zyrat e regjistrimit të papunësisë, zyrat e sigurimeve shoqërore etj.


Kjo është një arsye tjetër që e bën këtë institucion të pabesueshëm e të keqpërdorur nga politika.


Atëherë, duke folur për ecurinë ekonomike, ju kujt institucioni do t'i besonit për të vlerësuar rritjen e saj?


Me këtë rast kujtoj një vit më parë FMN-në që i rekomandonte qeverisë shqiptare në kushtet e krizës globale, nga e cila nuk do mbetej e pandikuar dhe ekonomia shqiptare, të parashikonte një rritje të matur në nivelin 3-5% të PPB.


Me këtë qëndrim u bashkua dhe opozita. Qeveria përkundrazi, me eufori në një vit elektoral parashikoi rritje 6% të PPB për të justifikuar kështu, djallëzisht, shpenzimet marramendëse buxhetore për qëllime elektorale.


Por FMN-ja në tremujorin e parë të vitit 2009, parashikoi rritjen ekonomike (PPB) shumë më të ulët se më parë 0-1%, si rezultat i ndikimit të krizës globale në ekonominë shqiptare.


Së fundi FMN-ja përsëriti të njëjtin parashikim të rritjes së PPB në nivelin e 0,7% Kjo situatë pavarësisht deklaratave të përsëritura propagandistike të qeverisë për një rritje të lartë, apo shifrave që ofron INSTAT-i, flet më shumë për një stanjacion të ekonomisë shqiptare. Për të arritur në këtë konkluzion mjafton t'u referohemi treguesve të tjerë që na ofron BSH.


Konkretisht, rënia ka ardhur nga rënia e dërgesave të emigrantëve, rënia e kredisë për ekonominë dhe përkeqësimi i llogarisë korrente. Këtë rënie e vërtetojnë pjesërisht dhe të dhënat e cunguara të statistikave tona, ku sipas INSTAT-it treguesi i shitjeve me pakicë të tremujorit të dytë të 2009 ka një rritje 1%.


Kjo e dhënë mungon për tremujorin e parë apo të tretë, sepse nuk do ketë rritje (ndryshe nga sa ndodhte vjet, që kur kjo shifër qe e lartë nuk mungonte te shpallej në website të INSTAT) Treguesit e depozitave dhe kredisë janë ndër treguesit kryesorë, ku mbështetet rritja ekonomike.


Gjatë tremujorit të fundit të vitit 2008, periudhë kur ndikimi i krizës filloi të shfaqet edhe tek ne, vërehet rënia e depozitave bankare në çdo muaj dhe pas ulje - ngritjesh mujore me gjithë njëfarë rritjeje në gusht të këtij viti, ato nuk arrijnë nivelin e tyre të para rënies.


Kjo rënie në depozita u shoqërua me tkurrjen e kreditimit të ekonomisë dhe rritjen e kredive të këqija për 2009 ( 9,5%) Kreditimi u bë më i rrallë dhe më i shtrenjtë duke sjellë rënie të ritmit të rritjes ekonomike, të zhvillimit të biznesit dhe për rrjedhojë dhe të ardhurave buxhetore.


Prandaj, në buxhetin e rishikuar të vitit 2009 propozohet një ulje e të ardhurave tatimore dhe doganore, duke ulur të ardhurat e planifikuara nga TVSH me 3 miliard, akcizat me 8 miliard, të ardhurat nga tatim-fitimi me 3 miliard, që janë reflektim i drejtpërdrejtë i rënies së aktivitetit ekonomik të biznesit si rezultat i efekteve të sipërpërmendura.


Gjithashtu, vërehet rënie e volumit të tregtisë, që kanë dhënë efekt në uljen e të ardhurave buxhetore. Kjo shpreh rënie të konsumit nga rënia e fuqisë blerëse, apo që biznesi ka pakësuar dukshëm investimet dhe se aktiviteti ekonomik në përgjithësi ka rënë.


Kjo përkthehet në ngadalësim të rritjes ekonomike siç e formulon dhe BSH që ka shpënë në rritje të papunësisë. Këtë fenomen e pohojnë me shqetësim veçanërisht: shoqata e fasonistëve, ku janë pakësuar 10% e punonjësve dhe ajo e ndërtuesve.


Sipas INSTAT sektori i ndërtimeve ka pasur rritje, por ky institucion si gjithmonë nuk analizon sa kjo vjen si pasojë e ndërtimeve publike dhe as atyre të sektorit privat. Nuk analizohet gjithashtu se sa ndikojnë ndërtimet publike në rritjen e kërkesës agregate dhe për pasojë në rritjen ekonomike.


Nga një shikim i përgjithshëm i shifrave rritja e sektorit të ndërtimeve dhënë nga INSTAT-i, vjen falë investimeve gjigande të rrugës Durrës-Kukës për 2009, ku megjithatë 80% e vlerës së saj shkon në import duke rritur deficitin e llogarisë korrente që ka ndikuar në zhvlerësimin e lekut. Si tetë-mujor vlera e eksporteve ra me 28%, kurse ajo e importeve me 16%, duke thelluar më tej këtë vit deficitin tregtar.


Edhe kjo situatë ka nevojë për analizë nga INSTAT-i, se sa ulja vjen nga rënia e tregtisë dhe sa nga rënia e çmimeve, siç mundohet të shpjegojë qeveria e cila në mungesë të statistikave, duhet të japë shpjegime. Ndërkohë, qytetarët pak apo aspak, kanë ndjerë uljen e çmimeve në tregun ndërkombëtar, si rezultat i zhvlerësimit të lekut.


Debateve të fundit mbi rishikimin e buxhetit apo efektet e krizës, e zhvlerësimit të lekut i ka munguar argumenti i opozitës për shkak të bojkotit që po i bëni Kuvendit?


Mospjesëmarrja në Parlament nuk do të thotë që qeveria të bojkotojë ekonominë apo zërin e specialistëve, sikurse ndodhi me debatin e fundit për çështjen e kufijve, ku janë angazhuar seriozisht ekspertë të njohur të fushës dhe politikanë, madje dhe përfaqësues të mazhorancës si rasti i z. Godo.


Ky rast është një alarm mbi nevojën për transparencë dhe informacion më të madh si dhe për maturi para vendimmarrjeve të rëndësishme. Bojkoti i opozitës ka ardhur për parime të themelta të një shteti të së drejtës, si ajo e lirisë për të zgjedhur, por kjo nuk do të thotë që mazhoranca të abuzojë me gjithçka nxiton për të votuar.


Marrëveshja e kufijve ujorë me Greqinë është rasti klasik se si përgjegjshmëria e klasës politike duhet të ngrihet mbi interesat e momentit, për një raport më miqësor me një vend apo me një tjetër.


Familja evropiane, që aspirojmë, është një bashkim vlerash dhe ne do bëhemi pjesë me vlerat tona si partnere dhe jo vasale me kulturën dhe dijet e shqiptarëve që duhen respektuar realisht.


E ritheksoj se vendimmarrja e çdo shqiptari, qoftë ky kryeministri i vendit apo qytetari më i thjeshtë, duhet t'i shërbejnë vetëm interesave kombëtare dhe qëllimit strategjik të Shqipërisë, anëtarësimit në BE.


Zhvlerësimi i lekut


Shpenzimet e tepërta elektorale të qeverisë këtë vit çuan në rritje të importeve dhe të llogarisë korrente e cila ka arritur nivelin më të lartë historik. Pra, kur qeveria shpenzon me tepri lekë, këto lekë këmbehen në euro, gjë që rrit presionin mbi monedhën kombëtare.


Në këto kushte, ilaçi i vetëm do të ishte ulja e shpenzimeve buxhetore. Ndërkohë ka ndodhur e kundërta. Në maj, për qëllime elektorale u rritën pagat dhe pensionet me 10 për qind, ndërkohë që të ardhurat e buxhetit të shtetit qenë rritur me vetëm 5 për qind. Diferenca solli automatikisht zhvlerësim të lekut


Kursi i këmbimit


Ajo që po ndodh me kursin e këmbimit, është thjesht një taksë që qeveria ua ka ngarkuar shqiptarëve në kurriz, për të mbuluar shpenzimet paraelektorale, përfshirë edhe rritjen e pagave e pensioneve nga 1 maji. Zhvlerësimi i monedhës kombëtare është një lloj takse që nuk fal askënd dhe paguhet nga të gjithë.


Mjafton të pyesni kredimarrësit në euro, ata që paguajnë banesat dhe makinat në euro dhe së fundi të gjithë konsumatorët që për shkak të raportit të thellë që kanë importet me eksportet (5 me 1) do të detyrohen të paguajnë më shumë lekë për të njëjtat mallra dhe shërbime, çka nënkupton një rënie të ndjeshme të fuqisë blerëse dhe thellim të varfërisë


Taksa e fshehtë


Qeveria shqiptare nuk ka pranuar në asnjë rast të diskutojë mundësinë e shkurtimit të shpenzimeve të saj për të ruajtur vlerën e lekut dhe për më tepër, deklaron se kursi aktual është "plotësisht i pranueshëm".


Kjo situatë ka sjellë me vete koston e saj, që shqiptarët prej kohësh po e paguajnë nëpërmjet zhvlerësimit të lekut, si një taksë tashmë të fshehtë, e cila duke perifrazuar nobelistin Milton Fridman, nuk ka nevojë për ligj. Ajo që po ndodh me kursin e këmbimit, është thjesht një taksë që qeveria ua ka ngarkuar shqiptarëve në kurriz, për të mbuluar shpenzimet paraelektorale

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›