E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti korruptonte kontrollorin e doganës dhe kalonte klandestinët

08/01/2009  Prokuroria vërteton akuzat për të arrestuarit e operacionit “Korridor i lirë”

TIRANE- Njësia hetimore Task-Forcë pranë Prokurorisë së Tiranës ka përfunduar procesin hetimor ndaj 10 të pandehurve që akuzohen për veprat penale të “trafikimit të klandestinëve”, “Korrupsionit Pasiv dhe atij aktiv”. Mësohet se dhjetë të pandehurit Ilir Çipi, Leonard Belortaja, Altin Qatipi, I. Dalipaj, Mihal Shuli, Artur Likollari, Edmond Tallkuci, Manol Xhamia dhe Rajmond Duro në bashkëpunim me njëri-tjetrin kalonin përtej kufirit grek grupe klandestinësh. Nga provat e administruara rezulton se dhjetë të pandehurit i kalonin klandestinët në dy drejtime, në pikën kufitare të Kakavijës dhe në atë të Kapshticës. Pikërisht në këtë të fundit organizatorët e këtij rrjeti kriminal Edmond Tallkuci, prifti i fshatit të Karavastasë Mihal Shuli dhe Artur Likollari, kishin mundur të korruptonin disa herë me radhë të pandehurin Rajmond Duro, i cili ushtronte detyrën si kontrollor në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Nëpërmjet kësaj pike, por edhe nëpërmjet rrugës së malit, ata kalonin në mënyrë ilegale klandestinët, të cilëve u merrnin shumën nga 300 deri në 2000 euro secilit. Klandestinët i përkisnin zonave të ndryshme të Shqipërisë, ku pasi strehoheshin në Kamzë dhe në kishën e Karavastasë, ata transportoheshin me makina në drejtim të fshatit Vërnik të rrethit të Devollit. Prej këtej, nëpërmjet rrugës së malit trafikantët i kalonin klandestinët në Greqi, vend në të cilin ata shpërndaheshin në drejtime të ndryshme. Sipas kërkesës për gjykim, shuma financiare në pjesën më të madhe vendosej në varësi të rrugës së largët ose të shkurtër që do të bënin klandestinët. Arrestimi i dhjetë të pandehurve u mundësua nga operacioni i koduar me emrin “Korridori i lirë”, i cili u organizua nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në bashkëpunim me Drejtorinë Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në bashkëpunim me drejtoritë e policisë në qarqet Tiranë, Korçë, Fier dhe Vlorë. Aktualisht ndaj tyre Prokuroria ka provuar vetëm katër raste.

E. Qyno

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›