E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poliçan, shpërthen djegorja vdes 45-vjeçarja

07/01/2009  Ngjarja në uzinë, aksidentale. Viktima Suzana Kapxhiu po ngrohej me mbetjet e demontimit

Plagoset lehtë një tjetër punonjës, Adriatik Hysenbelliu. Pranë flakëve 6 punonjës

POLICAN- Qyteti i Poliçanit është tronditur paraditen e djeshme nga një ngjarje e rëndë e ndodhur në ambientet e uzinës mekanike. Një punëtore ka humbur jetën, ndërsa kolegu i saj ka mbetur i plagosur, ndërkohë që drejtuesit e uzinës, por dhe hetimet e para të policisë bëjnë me dije se ngjarja ka qenë krejtësisht aksidentale.

Ngjarja

Suzana Kapxhiu mësohet se humbi jetën në orët e para të mëngjesit të djeshëm pa mundur të marrë ndihmën e parë shëndetësore, ndërkohë që i lënduar lehtë mbeti punëtori tjetër Adriatik Hysenbelliu. Ngjarja e rëndë sipas burimeve nga uzina Mekanike e qytetit të Poliçanit mësohet se ndodhi rreth orës 09:00 të mëngjesit të djeshëm në ambientet e jashtme të Repartit C, ku gjashtë punonjës punonin për pastrimin e ambienteve nga mbetjet e procesit të demontimit. Gjashtë punonjësit e repartit të demontimit mësohet se kishin pastruar ambientet e tyre të punës dhe rreth orës 09:00 të mëngjesit kanë ndezur një zjarr në ambientet e jashtme të repartit. Mësohet se ata kanë shfrytëzuar mbetjet e mbetura nga materialet e demontimit për t’u ngrohur. Të gjashtë punonjësit mësohet se kanë dashur të ngrohen, por më afër zjarrit kanë qenë 45-vjeçarja Suzana Kapxhiu dhe 45 vjeçari Adriatik Hysenbelliu. Ndërsa kanë kaluar pak minuta nga ndezja e zjarrit mësohet se është dëgjuar një shpërthim i fortë, ku si rezultat i tij mësohet të ketë gjetur vdekjen e menjëhershme 45 vjeçarja Kapxhiu dhe është lënduar punëtori tjetër Hysenbelliu. Kapxhiu është transportuar urgjentisht në ambulancën e këtij qyteti, por pa mundur të marë ndihmën e parë shëndetësore. Burime pranë kësaj ambulance bëjnë me dije për gazetën se gruaja ka mbërritur pa jetë. Ndërkohë, që i plagosuri ka marrë ndihmën e parë dhe ndodhet jashtë çdo rreziku.

Hetimet

Të njoftuar për ngjarjen në uzinën mekanike të Poliçanit e njohur tashmë si ish-uzina e armëve dhe se mësohet se kanë mbërritur të parët punonjësit e postës së policisë së Poliçanit dhe më pas një grup ekspertësh të policisë së qarkut të Beratit si dhe prokurori i Beratit Tasim Puci. Në ambientet e jashtme të uzinës është vendosur një postbllok ushtarak, ku për orë të tëra nuk është lejuar askush veçse drejtuesve të uzinës të futen në ambientet e saj. I vetmi që ka komunikuar me median ka qenë kryeinxhinieri i kësaj uzine Adrian Spaho. Sipas tij, ngjarja konsiderohet si aksidentale e shkaktuar nga një pakujdesi njerëzore. Gjashtë punonjësit sipas tij kanë pasur si qëllim ndezjen e zjarrit për t’u ngrohur dhe në mbetjet që digjeshin ka plasur një djegore, shpërthimi i së cilës i ka marrë jetën menjëherë gruas dhe shkaktoi plagosjen e punonjësit tjetër. Sipas kryeinxhinierit dhe pse brenda ambienteve të uzinës është e ndaluar ndezja e zjarrit, punonjësit të specializuar në fushën e demontimeve nuk e kanë menduar se në mbetjet mund të kishte ngelur djegorja, që shkaktoi shpërthimin. Tragjedia për familjen Kapxhiu bëhet dhe më e madhe në kushtet ku tre muaj më parë gruaja kish humbur bashkëshortin e saj si pasojë e një aksidenti. Tashmë dy fëmijët e familjes mbeten krejtësisht jetim. Bashkia e qytetit të Poliçanit mësohet se dje ka marrë vendimin për të ndihmuar financiarisht familjen. Me një vendim të Këshillit Bashkiak familjes do t’i hiqen të gjitha shpenzimet e varrimit, ndërkohë që po mendohet që t’i vendoset dhe një pension. Në qytetin e Poliçanit ka mbërritur dje dhe deputeti i këtij qarku Erion Braçe. Ky i fundit është shprehur në një prononcim për median se nuk duhet t’i kthejmë sytë nga ky qytet vetëm në raste fatkeqësish. Sipas tij, punonjësve u duhen ofruar kushte më të mira sigurie.

Flet i plagosuri Adriatik Hysenbelliu

Pashë tmerrin, si vdiq Suzana

POLIÇAN- I plagosuri i djeshëm jashtë rrezikut për jetën, por ende i shokuar, Adriatk Hysnebelliu tregon se si ndodhi shpërthimi dhe si vdiq 45-vjeçarja Suzana Kapxhiu...

Si ndodhi ngjarja?

Ishim në uzinë afër një poligoni ku bëhen demontimet e predhave, por nuk kishim filluar punë ishte orë rreth 8.30 minuta dhe ishte shumë ftohtë, për t’u ngrohur dhe për të pastruar ambientet ku do të punonim shkuam për të marrë mbeturina dhe jashtë depos ndezëm një zjarr për t’u ngrohur. Në këto momente u detyruam që të afroheshim pranë zjarrit për t’u ngrohur dhe po bisedonim për probleme të ndryshme.

Papritur dëgjuam një shpërthim të fortë. Unë pashë gruan që po ulërinte dhe u mbyt në gjak. Kishte një plagë në kokë dhe një në dorë. Në moment erdhën disa shokë tanë që ishin shumë afër as 15 metra larg për të na ndihmuar.

Si e more vesh për vdekjen e Suzanës ?

Me Suzanën kam rreth 20 vjet që punoj. Por vdekjen e shoqes time nuk e mësova në moment pasi isha në një dhomë tjetër. Askush nuk me tregoi për disa orë derisa më morën për në shtëpi ku të miq të mi më thanë që Suzana kishte vdekur. U trondita shumë dhe më vinte shumë keq. Tre apo 4 muaj më parë pasi i vdiq bashkëshorti, ndërsa tani humbi edhe vetë jetën dhe la pas dy fëmijë jetim. Në atë familje ka fatkeqësitë paskan qenë shumë të mëdha. Ndaj dhe më vjen keq dhe e harrova fare plagosjen time.

Reagon Ministria e Mbrojtjes

Shpërthimi, nga pakujdesi njerëzor jashtë kombinatit

TIRANE- Ministria e Mbrojtjes deklaroi dje se aksidenti në Kombinatin mekanik të Poliçanit nuk ka ndodhur si shkak i kryerjes së procesit të demontimit të djegoreve në repartin përkatës, por jashtë tij, si shkak i një pakujdesie të treguar në ambientet e Kombinatit duke mosrespektuar rregullat e sigurimit teknik në punë. Përmes zëdhënëses, Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se menjëherë sapo janë informuar për këtë ngjarje është njoftuar policia dhe Prokuroria, të cilat kanë nisur hetimet për të nxjerrë edhe shkakun e këtij aksidenti. Sipas deklaratës për media, si pasojë e aksidentit ka humbur jetën punonjësja Suzana Kapxhiu 45 vjeç. Ministria e Mbrojtjes duke sqaruar ngjarjen deklaroi se jashtë ambienteve të Repartit të Poligonit 6 punonjësit e këtij reparti, përpara se të nisnin punën, kanë ndezur një zjarr për t’u ngrohur përbri murit të poligonit. “Për ndezjen e këtij zjarri ata kanë përdorur mbeturina të ambalazheve të djegoreve dhe si shkak i këtij zjarri një element i një gote të djegores të kalibrit 57 mm ka shpërthyer, duke goditur rëndë punonjësen Kapxhiu në pjesën anësore të kokës. Ajo është shoqëruar menjëherë drejt spitalit të Poliçanit, por ka gjetur vdekjen gjatë rrugës”, thuhet në deklaratë. Sipas saj, që prej vitit 2004, në këtë repart kryhet çmontimi i djegoreve të shtimeve të kalibrit 57 mm. “Ky proces kryhej nga punonjësit Krenar Hysi (përgjegjës poligoni), Luan Koroni, Suzana Kapxhiu, Burbuqe Sulçe, Adriatik Hysenbelliu dhe Edmond Lulaj. Të gjithë punonjësit prej një muaji ishin duke pastruar të gjithë territorin nga mbeturinat e këtij demontimi. Ndërsa ky proces kryhej prej 4 vitesh, këta punonjës kanë patur një eksperiencë prej 15 vitesh në këtë lloj pune”, thuhet në deklaratë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›