E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat shtetërore që do të shiten

08/01/2009  Qeveria miraton vendimin për kushtet dhe procedurat e tjetërsimit të sipërfaqeve të tokës

Ndryshimi i projekteve, aplikuesi ndërton me shpenzimet e veta, duke ruajtur funksionet

Për llogari të fondit të kompensimit financiar të ish-pronarëve, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të nisë së shpejti procedurat paraprake për tjetërsimin e sipërfaqeve të tokës që kanë cilësi të veçantë, por që janë në pronësi të pronarëve të ndërtimeve. Vendimi që përcakton kushtet dhe procedurat e tjetërsimit të sipërfaqeve të tokës u miratua dje nga qeveria pas propozimit të Ministrisë së Drejtësisë. Gjithkush që kërkon të tjetërsojë sipërfaqet e veçanta, do të paraqesë kërkesën dhe dokumentacionin përkatës. Pas marrjes së miratimit nga AKKP-ja kërkuesi është i detyruar të paguajë një kapar në masën 20 % të kundërvlerës në lekë të sipërfaqeve që do të tjetërsohen.

Sipërfaqet e veçanta

Në kategorinë e sipërfaqeve të tokës që kanë cilësi të veçanta, në kuptimin e këtij vendimi, sipërfaqet duhet të jenë rrugëkalime parcelash bujqësore, sipërfaqe të zëna nga impiante bonifikuese, kanale kullimi apo vaditjeje, të cilat kanë këto cilësi: janë në pronësi të shtetit dhe të patransferuara në inventar të organeve të qeverisjes vendore; janë të përfshira brenda një pasurie të paluajtshme në pronësi të kërkuesit, apo që rrethohet ose lidh dy a më shumë pasuri të paluajtshme në pronësi të kërkuesit; brenda tyre ose në lidhje funksionale me to, kërkuesi të ketë ngritur ndërtesa banimi, sociale apo industriale, apo të jenë pjesë e një studimi urbanistik të miratuar, të patrajtuar nga legjislacioni përkatës për legalizimin dhe urbanizmin e ndërtimeve pa leje; janë në masë deri në 20 për qind të sipërfaqes së tokës në pronësi të kërkuesit. Gjithashtu kërkuesit të kenë paguar në numrin e llogarisë së caktuar nga AKKP-ja, për llogari të fondit të kompensimit të pronave, kapar në masën 20 % të kundërvlerës në lekë të sipërfaqeve që do të tjetërsohen në pronësi të tyre, sipas çmimit përkatës të përcaktuar në bazë të vendimit të qeverisë dhe sipas metodikës për vlerësimin e pronës së paluajtshme. Kapari të jetë paguar për llogari të fondit të kompensimit të pronave jo më vonë se 3 muaj nga data e marrjes së njoftimit prej AKKP-së, por përpara dërgimit të materialeve nga AKKP-ja te ministri i Drejtësisë.

Shqyrtimi i kërkesës

Pas paraqitjes së kërkesës ajo shqyrtohet nga AKKP-ja sipas një procedure të caktuar. AKKP-ja fillimisht verifikon sipërfaqen që kërkohet të tjetërsohet dhe nëse dokumentacioni shoqërues përmbushin kushtet e përcaktuara në vendim. Verifikimi i kushteve bëhet nëpërmjet inspektimit në terren nga punonjësit e zyrës së AKKP-së në qark. Pas kësaj zyra e AKKP-së në qendër, pasi verifikon zbatimin e përpiktë të kërkesave të këtij vendimi, njofton kërkuesin për detyrimin për të paguar për llogari të AKKP-së për fondin e kompensimit financiar kaparin e përllogaritur sipas këtij vendimi të sipërfaqes që do të tjetërsohet. Në të kundërt mospërmbushjen e kritereve sipas këtij vendimi. Kalimi i pronësisë së sipërfaqes që do të tjetërsohet për llogari të fondit të kompensimit financiar bëhet me vendim të qeverisë, me propozimin e ministrit të Drejtësisë në bazë të materialeve të paraqitura nga drejtori i përgjithshëm i AKKP-së brenda 10 ditëve nga data e mbërritjes së mandatpagesës origjinale, që vërteton pagesën e kaparit. Kalimi i pronësisë bëhet përmes kontratës standard të shitblerjes sipas dispozitave të Kodit Civil.

Kërkesa dhe dokumentet

1. Kërkesa për tjetërsimin për llogari të fondit të kompensimit të sipërfaqeve të përcaktuara në këtë vendim paraqitet nga kërkuesit pranë zyrës së AKKP-së në qendër me postë rekomande. Krahas kërkesës, sipas formularit tip të miratuar nga drejtori i përgjithshëm i AKKP-së kërkuesit duhet të paraqesin edhe dokumentet e mëposhtme:

a) Dokumentin e lëshuar nga ZRPP-ja, që vërteton pronësinë e kërkuesit mbi pasuritë e paluajtshme, të cilat ndodhen brenda apo rrethojnë ose lidhen nga sipërfaqja, që kërkohet të tjetërsohet, sipas kushteve të përcaktuara në pikën 1 të këtij vendimi dhe, sipas rastit, lejen e ndërtimit dhënë nga organi përgjegjës në periudhën kur është bërë ndërtimi, apo studimin urbanistik të miratuar.

b) Dokumentin e lëshuar nga ZRPP-ja që vërteton pronësinë e shtetit mbi pasuritë e paluajtshme që kërkohen të tjetërsohen, sipas kushteve të përcaktuara në pikën 1 të këtij vendimi, si dhe regjistrimin përkatës kadastral të kësaj sipërfaqeje pranë zyrave të administrimit dhe të mbrojtjes së tokës në këshillin e qarkut.

c) Planvendosjen e sipërfaqes që kërkohet të tjetërsohet të lëshuar nga ZRPP-ja.

2. Për sipërfaqet e zëna nga impiante bonifikuese, kanale kullimi apo vaditjeje të jetë marrë paraprakisht miratimi nga ministria përkatëse. Në rastet e ndryshimit të projekteve aplikuesi duhet të paraqesë dhe të ndërtojë me shpenzimet e veta ndryshimet e mundshme në veprat në fjalë për ruajtjen e funksionit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›