Prifti merr mbështetjen e BE-së për projektet energjetike
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Dritan Prifti, zhvilloi një takim me komisionerin evropian për Energjinë, z. Andris Piebalgs, në Bruksel. Pas një prezantimi me ecurinë e reformave kryesore të ndërmarra nga qeveria shqiptare në sektorin e energjisë në Shqipëri, z. Prifti paraqiti objektivat e tij, si dhe qëllimin e qeverisë mbi përmirësimin dhe fuqizimin e këtij sektori në vend. Ligji mbi energjitë e rinovueshme është edhe një hap i ri për nxitjen e këtyre reformave, duke u përqendruar në prodhimin e energjisë së pastër. Z. Piebalgs shprehu vlerësimet më të larta rreth zhvillimeve në sektorin energjetik në Shqipëri. Ai përshëndeti reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare si pjesë e politikave të zhvillimit dhe të integrimit, duke kontribuar me një rol tepër pozitiv edhe për funksionimin e Komunitetit të Energjisë midis vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian. Ai siguroi mbështetjen e Bashkimit Evropian për ecurinë e mëtejshme për projekte të ndryshme si: për ndërtimin e rrjeteve të gazsjellësve trans-adriatik (TAP) dhe atij të rigazifikimit të gazit të lëngshëm, duke përdorur kapacitetet stokuese të vendit, funksionimin e qendrës rajonale të koordinimit të ankandeve energjetike apo linjave të interkonjeksionit me vendet fqinje. Gjithashtu, z. Piebalgs ofroi gatishmërinë për mbështetje financiare nga Banka Evropiane për Investime dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për të bërë të mundur realizimin e këtyre projekteve.
Kryeministri: Do të thellojmë reformat për investitorët e huaj
Kryeministri Berisha priti në një takim presidentin e kompanisë italiane të prodhimit të këpucëve “Made in Albania”, zotin Adelchi. Zoti Adelchi, pasi e uroi Kryeministrin Berisha për rizgjedhjen në këtë detyrë, i prezantoi suksesin e kompanisë në këtë biznes, i cili, nga biznes i tipit fason u kthye në biznes me cikël të plotë që nxjerr produkte me markën e prodhimit në Shqipëri. Suksesi i biznesit të tij, në bashkëpunim me partnerët shqiptarë, mban të punësuar rreth 1.800 punonjës në Tiranë dhe Shkodër. Për të rritur kualifikimin e punonjësve në këtë sektor dhe për të përgatitur punonjës të rinj, kompania ka vendosur të hapë një shkollë profesionale kualifikimi, ku do të përgatiten edhe stilistë në këtë fushë. Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Adelchi për arritjet e prezantuara dhe i garantoi atij mbështetjen e mëtejshme të qeverisë dhe strukturave të saj. Kryeministri Berisha siguroi se edhe në këtë mandat, qeveria e tij do të vazhdonte thellimin e reformave në ndihmë të investitorëve të huaj e vendas.