E Diel, 1 Nëntor 2026

Kalorësit e çuditshëm



1. Kalorësit e famshëm dhe veprat kavelareske deri tek Don Kishoti

Nuk kemi as një dyshim se kalorësit historikë janë ndër personazhet më të çuditshëm që kanë populluar një pjesë të madhe të ngjarjeve, temave, subjekteve, lëndëve e historive. Franco Cuomo në librin e tij “Storia ed epopea della cavalleria” (“Historia dhe epopeja kalorsiake”) na jep një pamje të plotë në këtë rrafsh. Flitet aty për origjinën legjendare dhe historike kalorsiake, për kryqëzatat në “tokën e shenjtë” dhe në Evropë, për institucionet kalorsiake, ritet fillestare dhe rregullat e përkatësisë, për “të fundit kalorës”, urdhrat dinastikë. Tregohet për analogjitë në vende e popuj të ndryshëm si dragonjtë kinezë, yjet afrikanë, imperatorët amerikanë, kalorësit islamikë, shkohet tek rrënjët e integralistëve, pastaj për urdhrat e vrasësve, përhapjen e modelit evropian dhe samurajët e Azisë.

Në këtë libër një vend joperiferik zë dhe letërsia kalorsiake, me gjetësit (zbuluesit) e mëdhenj, me këngë gjestesh dhe romane kortezie, me “minnesang”-ët gjermanë dhe “favolelli” italiane, me veprat e Ariosto-s, Tasso-s, Boiardo-s dhe Pulc-it, tregohet për bëmat e heronjve romantikë, Ivanhoe e Fieramoska, flitet rreth veprave të Valter Skotit, për temat e mirësjelljes e për “Zonjën mbi liqen”, për “Ese mbi kalorësinë” të Skot apo “Idilet e mbretit Artur” të Lordit Tenyson, për “Betejën e Beneventos” të Francesko Guerac-it (1836).

Por veçantinë e letërsisë kalorsiake dhe ndoshta toni më i veçantë është epika spanjolle, ku ajo në fillesat e veta trajton tema të luftës për zaptimin iberik. Madje dokumenti i parë i poetik (“Cantar de mio Cid” 1140) është i lidhur pikërisht me këtë periudhë dhe konfliktet kristianiste në Spanjë, dhe menjëherë pas saj, në 1160 vjen “Cronica Najarense”, e cila flet për historinë e mbretërve të parë të Kastiljes. Pas rreth tre shekujsh lulëzimi i letërsisë kalorsiake i solli botës të ashtuquajturat “Romancat e vjetra” në të cilat ka një repertor të gjerë historik dhe poetic i ngjarjeve të së shkuarës.

Në tërë këtë letërsi tradicionale temash e trajtimesh në vitet 1600 hyn në mënyrë krejt të kithtë Servantesi me Don Kishotin e tij, duke i dhënë letërsisë spanjolle e botës një veçanti të paimitueshme të imazhit kavaleresk nëpërmjet heroit të vet, duke trajtuar dekadencën e kavalerisë në udhëkryqin mes reales dhe ëndrrës, duke ekzagjeruar iluzionet kalorsiake për të çmitizuar pikërisht atë. Kjo vepër u shpall njerëzve falsitetin e fabulave ekstravagante të librave kavaleresk (hiperbolizimi i fantazisë kavalereske).

Në një botim të “Mondadorit” për Servantesin (jeta, punët –veprat, personazhet, pikturat me tema servantine etj.) thuhet se “Don Kishoti është dhënë me ironi, por dhe me një butësi e dhimbje, në një narracion të jashtëzakonshëm. Me gjithë tonet çmitifikuese që rrënojnë mitin e kavalerisë, romani i Servantesit mbetet prapë një vepër tipike kavalereske”.

2. Spanja e çuditshme e krijimit

Në tërë ato emra të mëdhenj vendesh, lundërtarësh e aventurash, e kujt më shumë se Spanjës i shkojnë heronjtë e udhëve dhe rrugëtarët e çuditshëm.

Spanja e Velaskezit, El Grekos, Gojës, detarëve të vendit Bask, Katalonjës, Majorkës, Andaluzisë, e Huan Ramonit e poetit të madh që lindi e vdiq i vetmuar në fshatin e tij të vogël, por që nga brigjet e të cilit qenë nisur një pjesë e flotës së Kolombit të famshëm, Spanja e Pablo Pikasos dhe Frederiko Lorkës, Maçados dhe Ernandesit, ai vend ku mbërriti heroi ynë Ago Ymeri (temë që e kam trajtuar dhe para shumë kohësh në shtyp), apo nga na mbërritën imazhet e katalanasve me fenerë në ballë, vendi i poetëve Salinas, Himenes, Karlo Alvaresit apo e Servantesit dhe e Don Kishotit të tij, e Don Kishotit dhe e Sanços së tij. Edhe Don Kishoti qe një udhëtar, një rrugëtar që megjithëse nuk shkoi larg me kalin e tij, ai gjithsesi i ra pash e më pash botës.

Nëse Odiseu udhëtonte pambarimisht drejt shtëpisë mbasi misioni i tij kishte mbaruar, tragjikja e Don Kishotit është se duan ta kthejnë në shtëpi akoma pa e kryer projektin që ka në kokë, thuhet në një kritikë rreth librit të Servantesit.

3. Piktura, bëmat e Don Kishotit dhe temat servantine

“Koka jonë është strehë imazhesh”, - thotë E. From tek studimi i tij “Gjuhë e harruar”. Imagjinata është e populluar vazhdimisht prej mitologjisë dhe eposesh, nga figura mistitike dhe mite, nga heronj përrallash dhe udhëtar e aventurierë historish të vjetra, nga fate dhe ngjarje të kobshme, nga murgj e rapsodë, nga piratë, falsifikatorë, kusarë e mjeshtra të mëdhenj, nga filozofë e teologë të çuditshëm.

Por nëse dikush vjen në përfytyrimin tonë nga shtegu i bëmave kalorsiake e prej faqeve të librave, ai s’ka se si të jetë tjetër kush veçse Don Kishoti i famshëm, komiku ynë i mjerë, heroi i mrekullueshëm grotesk e tragjik i letërsisë botërore, i shpartalluari dhe misionari i çmendurive dhe fateve të veta e të kësaj bote. Mbi një kalë gërdallë, i pushtuar nga idetë e tij dhe imazhi i Dylqinjës së bukur, me heshtën e gjatë dhe Sançon e shkurtër, që i vjen pas me gomarin e tij.

Qysh në krye të herës Don Kishoti qe figura interesante që gazmoi shumëkënd me historitë, bëmat, travajet e aventurat e pafund. Piktorët qenë aty ku prodhohej e ndjehej ai realitet (qenë të përfshirë në atë situatë që shkroi Servantesi) dhe nuk u vonuan ta bënin të tyrin këtë hero të çuditshëm që po i qasej kaq pranë imazhit.

E para qe kështjella Sheverni, rezidenca verore e Maria de Medicit, ku u bënë ilustrime murale të temave të Don Kishotit. Në 34 piktura të vendosura në dy galeri dhe në dhomën e ngrënies, dalloheshin episodet më komike si: lufta me mullinjtë, takimi me fshatarët, thirrjet për Dylqinjen. Qe pikërisht Jean Mosnier 1600-1656 që provoi i pari të rreket pas ideve dhe imazhit të Don Kishotit dhe ndodhive të tij plot telashe e groteske.

Ndërsa edicioni i parë i madh me tema të ilustruara nga Don Kishoti u shfaq në Londër në 1738 me 67 vepra (Vanderbank). Në këtë rast dhe një piktor jo shumë i dëgjuar deri atëherë, por me një stil të ri e shumë origjinal (William Hogarth) na jep banketin e Sanços si Guvernator. Kurse artisti tjetër Fragonard pikturon gjithë energji e dinamikë skenën e prishjes së librave kavaleresk, shkaku i çmendurisë së Don Kishotit.

Në Spanjë e Servantesit i pari që hodhi në pikturë temat donkishoteske ishte Cristobal Valero, dhe pikërisht ai trajton groteskun e momentit të famshëm, kur Don Kishoti emërohet kavalier i bujtinës, që me veten e tij dhe në kokë e mendonte për një kështjellë të lartë e të rëndësishme. Pronari i bujtinës llomotiste si formulë përbetimi postulate legjendare të vjetra e të pakuptim. Ceremonia e kurorëzimit të kavalierit merr tone komike, mbasi në të është një punonjës stalle që mban një qiri në dorë si dhe një pastruese me një shtizë në dorë që bën muhabet me një fshatar.

Hyrja e Don Kishotit në qytetin e Barcelonës i shoqëruar dhe i përkrahur nga miqtë e banditit Roko Guinari, është një nga afresket më me famë bërë nga një piktor tashmë anonim, që ndodhet në ambientet e bashkisë së Barcelonës.

Vetëm pak vite pas hyrjes triumfatore të kavalierit në Barcelonë, në kronikat e kohës përmenden dhe dy pikturat e Gobelins që trajtojnë dy çaste komike: Kur Sanço i dërgon Dukeshës të falat e Dono Kishotit, dhe tek tabloja tjetër dy miqtë e famshëm të lidhur sysh me shami dhe të hipur në kalin e drunjtë, duke menduar se po fluturojnë në qiell.

Në vitet 1700 tema të bëmave të Don Kishotit i shohim të punuara në sixhadetë më të shtrenjta që përdoreshin në ambientet e larta. Në atë kohë përveç dy punishteve të mëdha të sixhadeve në Madrid qe dhe një tjetër që përkrahte kulturën e Seviljes.

Në një analizë për Don Kishotin mbaj mend të thuhej se përveç kavalierit të librave dhe të pikturave ka dhe një Don Kishot tjetër, atë të popullit spanjoll, në kuptimin e imazhit të tij shumë më afër shtresave të thjeshta të spanjollëve. Ka qenë pikërisht kjo që ka bërë që portreti i tij grotesk e bëmat e tij komike të aplikohen dhe në orenditë më të përdorshme të spanjollëve. Kemi pra një Don Kishot të folklorizuar e të traditës që e gjejmë të pikturuar mbi shumë qypa qeramike (të piktorit Buen Retiro). Gjejmë takimin e Heroit tonë me Damën e tij, Dylqinjën, takimi me demat, takimin e Don Kishotit me banditët e plot të tjera.

Në një pikturë që është kataloguar dhe future në të gjitha antologjitë e pikturës me temë kavalereske, paraqitët Don Kishoti që ka ndaluar në mes të rrugës gjashtë tregtarë nga Toledo, për t’u treguar atyre bukuritë e damës së tij, Dylqinjës, dhe si zakonisht futet në telashe të mëdha. Po e kësaj periudhe është dhe një tjetër tablo ku një kortezh mortor me njerëz të frikësuar mbahet në fshat nën dritën e pishtarëve. Fshatarët kanë frikë për shfaqje e fantazmave dhe të djajve, dhe kavalieri ynë Kishoti, mbron fshatin nga ato qenie të frikshme.

Gjashtë artistë ilustruan tema të Don Kishotit në Akademinë Mbretërore Spanjolle në vitin 1780, megjithëse artistët qenë jo shumë të dëgjuar dhe tepër tradicionalë. Në këtë kolanë u refuzua të punonte dhe Hogarth (piktor i një stili avangard).

Po të njëjtin fat, refuzimin për t’u marrë me temat e Don Kishotit, do të shohim të ketë dhe piktori i madh Francisko Goja. Pas këtij refuzimi Goja pikturon Don Kishotin në një mënyrë krejt të re për kohën, duke prishur gjithë urat me pikturën tradicionale e akademike të deri atëhershme.

Ndryshe nga fryma she shkolla spanjolle e të pikturuarit të temave kavalereske, piktorët anglezë e kanë trajtuar tematikën donkishoteske me nuance romantike. Vëmë re takimin e Sanços me Dukeshën, tek artisti anglez James Stothard, dhe një takim tjetër atë të Don Kishotit me Dorotean, vajzën aventuriere që për të ndihmuar dhe bindur Don Kishotin të kthehet në shtëpi, shtiret si një princeshë, pikturë kjo e C. R. Leslie.

Një nga piktorët më interesant për kohën qe në Francë artisti Honore Daumier. Ai pikturon Don Kishotin tipologjik të ndjekur prej së largu nga silueta e Sanços e sapodalë në horizont. Ky artist francez në pleqërinë e tij na shfaqet i mahnitur nga personazhi i Don Kishotit. Daumier nuk ndalet thjeshtë në një episod të veçantë, nuk rrëfen asnjë nga ngjarjet shumë të përfolura të kavalierit. Ai mjaftohet duke e shfaqur me shtizën dhe mburojën karakteristike, dhe duke nxjerrë në pah kompleksitetin e psikologjisë së Don Kishotit. Me këtë rast dua të theksoj se një tendencë që vihet re në pikturat që trajtojnë temën e Don Kishotit është ajo e përzierjes së ikonografisë spanjolle donkishoteske me romantizmin francez, dhe përfaqësuesi më tipik i së cilës është Celestino Nanteuil, një litograf i shkëlqyer francez, që jetoi gjatë në Spanjë dhe bëri atje 48 litografi të famshme me ngjyra, me temat donkishoteske.

Nëse shohim spanjollët që e kanë pasion trajtimin e temave të Don Kishotit, apo francezët e anglezët që nuk rrinë aspak larg kavalierit e ngjarjeve të tij, italianët dhe piktura e tyre, ka qenë më indiferente ndaj heroit servantin. Shohim tek tuk në të rrallë ndonjë kontribut si: tre piktura të çmuara të Giovanni Fattor-it, si dhe ilustruesit e shekullit të 19 Francesco Novelli e Bartolomeo Pinelli që i dedikohen ilustrimit të temave të Don Kishotit.

Piktori psikologjist anglez, John Gilbert, na jep në tablo çastin kur Don Kishoti, mbasi është mundur nga kalorësi i Binca Lunas, po kthehet tashmë në shtëpi. Me të parë fshatin e lindjes Sanço gjunjëzohet i lumtur dhe përshëndoshet me vendin e tij. Piktori ka mundur të na transmetojë atmosferën solemne dhe patetike të këtij episodi.

Moreno Carbonero na sjell dekikun kur Don Kishoti në lindje të diellit, kalon pragun e portës dhe niset për rrugën e tij të gjatë.

Krejt ndryshe artisti spanjoll Jose Maria Sert, që ka në qendër të pikturës së tij një Sanço të Pançës shumë entuziast dhe ndryshe nga herët e tjera, në përgatitjet e martesës së të pasurit Kamaçio me bukuroshen Kiteria. Sanço vihet re të dëfrejë me pije me shokët e tij. Në një shoqëruese që i është bërë kësaj tabloje në një revistë spanjolle vihen dhe këto fjalë: “Dhe le të rrijë padroni i tij i mbyllur në shtëpi duke medituar për fatin e të varfërve e të pasurve, ai Sanço mund të jetë në anën e atyre që kanë shumë para”. Asnjëherë, nuk mund të mendohej se piktori i madh me origjinë spanjolle Pablo Pikaso do ta harronte Don Kishotin e vendit të vet, dhe çoftë dhe në një çast të vetëm ai bëri një dizajn grafik për këtë personazh të çuditshëm dhe për mikun e tij, Sanço.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›