Vendorët çojnë qeverinë në Kushtetuese
TIRANË- Ndryshimet më të fundit të miratuara nga Kuvendi për uljen e disa taksave vendore dhe ndryshimi i destinacionit të derdhjes së tyre nga arka e pushtetit lokal në atë të pushtetit qendror kanë alarmuar një sërë drejtuesish të bashkive dhe komunave në vend.
Për të ndalur zbatimin e dispozitave të miratuara tashmë, të zgjedhurit nën siglën e Partisë Socialiste do t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar papajtueshmërinë me ligjin themeltar të vendit.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, zhvilloi dje një mbledhje me drejtues socialistë nga gjithë Shqipëria ku deklaroi edhe qëndrimin që do të mbahet ndaj asaj që ai e quajti dhunim të pushtetit lokal nga qeveria.
"Është koha për të ndërmarrë hapa të tjerë, është koha për të ndërmarrë një rrugë paralele me rrugën e ankimimit në Gjykatën Kushtetuese, ndaj masave të fundit të këtij pushteti të korruptuar dhe korruptues që është kthyer në një pengesë reale për zhvillimin normal dhe real të Shqipërisë", - tha Rama.
Dy javë më parë, Kuvendi miratoi një serë ndryshimesh në sistemin e taksave që vilen nga pushteti lokal. Një nga ndryshimet që ndikon së tepërmi në zvogëlimin e buxhetit të bashkive dhe të komunave është ai për taksën e tabelës për qëllime identifikimi.
Në bazë të ligjit, zbatimi i kësaj takse në Bashkinë e Tiranës është në nivelet 150 lekë në vit për tabelat në gjuhën shqipe dhe 3.000 lekë për tabelat në gjuhë të huaj. Por me ndryshimet më të fundit, ajo unifikohet në një euro pavarësisht gjuhës së shkruar.
Gjatë fjalës së tij kreu i Bashkisë së Titanës Edi Rama bëri një paralelizëm midis qeverisjes së sotme të Kryeministrit Berisha dhe asaj gjatë periudhës së diktaturës komuniste.
"Si ka mundësi që në mes të Europës, në shekullin e 21-të, kur po mbaron 10 vjeçari i parë, qeveria qendrore të bëjë veprime që e bëjnë atë të ngjashme si dy pika uji, me qeverinë e Enver Hoxhës, duke trajtuar bashkitë e komunat e vendit e të zgjedhurit e popullit si vartës dhe madje, duke ua kufizuar përgjegjësitë e tyre, shumë më zi se në kohën e vetë Enver Hoxhës.
Ne u kemi premtuar qytetarëve qytete të pastra dhe qytetet pastrohen me kontributet e qytetarëve, përmes tarifave vendore të pastrimit", - theksoi ai duke shtuar se, kjo nuk është hera e parë që bashkitë i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese madje duke dalë edhe të fituar.
"Pavarësisht thyerjes së hundëve në Gjykatën Kushtetuese disa herë rresht, kjo qeveri dhe ky zotëri që e drejton këtë qeveri nuk zmbrapsen në përpjekjet e vazhdueshme për ta tkurrur autonominë vendore, për ta kthyer pushtetin vendor në njësi komunale të vendit, për të mos lejuar bashkitë e vendit, por edhe komunat që të zhvillohen lirisht", - tha ai.
Pas dërgimit të çështjes në Kushtetuese, drejtuesit socialistë të bashkive dhe komunave të vendit deklarojnë se do t'i drejtohen edhe institucioneve ndërkombëtare për ndalimin e zbatimit të ndryshimeve të miratuara nga kuvendi. "Ne do të ngremë zërin tonë kudo në Europë, në KE, në Kongresin e Autoriteteve Lokale Rajonale, ne do ta ngremë zërin tonë në çdo skaj të Shqipërisë, sepse kjo histori e pafund duhet të marrë fund, dhe ne jemi të vendosur t'i japim asaj fund me çdo çmim",- tha Rama.
Taksa e ndikimit në infrastrukturë pëson ulje të konsiderueshme në një kohë kur legalizimet janë në fazën finale
Rama: Berisha kërkon të mbushë gropën e buxhetit
TIRANË- Pjesë e paketës së ndryshimeve ishte dhe taksa e ndikimit të infrastrukturës për ndërtimet që janë në proces legalizimi , e cila gjithashtu mblidhet nga pushteti lokal. Nëse para ndryshimeve, kjo taksë varionte nga 1 deri në 3 për qind të vlerës së investuar për objektet në rrethe dhe 2 deri në 4 për qind të vlerës së investuar për ato ne Tiranë, sipas ndryshimeve të bëra, ajo unifikohet në nivelin e 0.5 për qind të vlerës së ndërtimit. Në këtë mënyrë ulen në mënyrë të theksuar të ardhurat në buxhetin e bashkive dhe komunave duke marrë parasysh numrin e lartë të objekteve që janë në proces legalizimi.
Gjatë takimit me krerë socialistë të pushtetit lokal, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, theksoi se ky hap i qeverisë ndërmerret me qëllim mbushjen e arkës së shtetit duke zbrazur atë të bashkive dhe komunave të vendit.
"Sali Berisha arrin të marrë dhe një masë tjetër të patolerueshme, që të ardhurat nga procesi i legalizimeve, të mos ia lejojë pushtetit vendor për të rimëkëmbur infrastrukturën në ato komunitete të ardhurish që pasi kanë ndërtuar shtëpitë, kanë nevojë për kanalizime, ujë, ndriçim, kanë nevojë për shumëçka dhe këto nevoja ne mund t'i plotësojmë, në radhë të parë duke pasur atë kontribut që ata vetë e japin dhe të tjerët duhet ta kthejnë tek ata, ndërkohë që Sali Berisha kërkon ta marrë atë kontribut për gropën e zezë të buxhetit të shtetit", - tha ai.
Në lidhje me këtë, ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi gjatë seancës kur u miratua paketa me ndryshimet se kjo ndërhyrje bëhet me qëllim lehtësimin e procesit të legalizimeve pasi sipas tij, taksat e larta që kanë vendosur autoritetet e pushtetit vendor kanë rritur koston e këtij procesi për të gjithë qytetarët.