Prifti ngre grup pune për statusin e minatorit
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka ngritur një grup pune për të hartuar një studim mbi mundësinë konkrete për realizimin e statusit të minatorit. Grupi është ngritur me urdhër të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, në bazë të urdhrit të Kryeministrit lëshuar më 5 shkurt të këtij viti “Për ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës për statusin e minatorit”, dhe do të kryesohet nga zv.ministri Neritan Alibali. Në përbërje të këtij grupi do të jenë dhe të tjerë funksionarë të lartë të METE-s, përfaqësues nga Ministria e Financave, Ministria e Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Ministria e Drejtësisë, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Ky grup pune, deri më 5 prill, do të hartojë studimin mbi mundësitë konkrete për realizimin e statusit të minatorit, si dhe t’i paraqesë Kryeministrit propozimet për këto mundësi, së bashku me aktet e nevojshme ligjore dhe nënligjore lidhur me statusin e minatorit. Për realizimin e detyrave të përcaktuara në urdhrin e Kryeministrit, grupi i punës do të shfrytëzojë praktikën e deritanishme lidhur me statusin e minatorit. Në përfundim të punës për hartimin e dokumenteve mbi statusin e minatorit, grupi i punës do të konsultohet me faktorët e interesit.
#