Ideja, të bashkohen gjimnazet e zonave rurale
Shkollat e mesme në zonat e thella rurale të mbyllen dhe nxënësit e tyre të grupohen në shkolla të tjera në qytet, të cilat nuk do të kenë më shumë se 200 nxënës. është kjo një ndër idetë që po diskutohet e formësohet së fundmi në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Ndërkohë që lidhur me sistemimin e këtyre nxënësve, sipas specialistëve të arsimit fare mirë mund të përdoren konviktet që në një pjesë të madhe të qarqeve janë me kapacitete të pashfrytëzuara, për shkak të interesit të ulët.
Qëllimi i një ideje të tillë synon në rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies edhe për këtë kategori nxënësish, që për fat të keq nuk janë në të njëjtat kushte shkollimi sikundër edhe bashkëmoshatarët e tyre që mësojnë jo vetëm në shkolla me kushte më të mira, por edhe me mësues profesionistë për lëndët e tyre. Në shumë shkolla komunash mësohet se për shkak të mungesave të mësuesve të një lënde, ora e mësimit zhvillohet nga arsimtarë të lëndëve të tjera. Kështu, ka shkolla në zona rurale ku mësuesi i biologjisë zhvillon jo vetëm këto orë mësimore, së bashku me ato të kimisë, por shpeshherë bëhet edhe mësues matematike e fizike. Madje, ka raste kur ora e anglishtes zhvillohet nga mësues që nuk janë diplomuar në këtë degë, por që kanë pak njohuri të saj.
Grumbullimi i nxënësve në shkollat e qytetit konsiderohet edhe si një përpjekje për t’u dhënë një shans më shumë të rinjve të zonave të thella rurale. Këta në fund, gjatë Maturës Shtetërore detyrohen që të konkurrojnë në kushte të barabarta me bashkëmoshatarët e tyre, të cilët kanë studiuar në shkolla ku kontrolli mbi punën e mësuesve ka qenë më i madh dhe i vëmendshëm.
Vetë specialistët e Ministrisë së Arsimit dhe ata të drejtorive arsimore në rrethe, të cilët e njohin këtë situatë pohojnë se ka nevojë për një ndryshim rrënjësor në këto shkolla. Në të kundërt arsimimi i të rinjve në shkollat e zonave rurale është i destinuar të dështojë.
Sipas specialistëve të arsimit, rezultatet e çdo mature shtetërore janë tregues mjaft i mirë dhe një bankë të dhënash që duhen analizuar me kujdes për të nxjerrë më pas edhe politikat e ndryshimit në arsim. Shumë të rinj dështojnë në përpjekjen e tyre për të ruajtur mesataren e katër viteve të shkollës së mesme në procesin e Maturës Shtetërore. Dhe në një kohë kur mesatarja mbart vetëm 20 për qind të totalit të pikëve të maturës për një nxënës, rezultatet e dobëta në katër provimet e detyruara dhe me zgjedhje do ta klasifikonin atë nga fundi i listës. Në të vërtetë, shprehen specialistët e arsimit, një fenomen i tillë është vënë re jo vetëm për nxënësit e shkollave të komunave, por edhe për ata të qytetit, madje ka shumë raste edhe në shkollat e Tiranës. Ndaj lidhur me këtë çështje drejtuesit e arsimit pohojnë se në këtë fenomen një rol mjaft të rëndësishëm ka mësuesi profesionist dhe i përkushtuar.
Sipas tyre, shumë mësues dështojnë së bashku me nxënësit e tyre,
që edhe pse u nënshtrohen kurseve suplementare pas shkollës sërish nuk arrijnë që të jenë rezultativ në procesin e Maturës Shtetërore.
Megjithatë si prioritare për ndërhyrje, sipas specialistëve të arsimit, është veçanërisht rritja e nivelit të shkollave të mesme të komunave, që në shumë raste nuk kanë kapacitetet e duhura për t’iu përgjigjur kërkesave të kohës për formimin e nxënësve. Ndonëse në këtë “klasifikim” ata nuk përjashtojnë as shumë shkolla të tjera të qyteteve, që vazhdojnë të qëndrojnë në heshtje dhe të mos përmenden asnjëherë për nxënës rezultativë a të shkëlqyer. Tashmë pas ideve mbeten vendimet.
#