Qeveria Berisha kthehet në një njësi Task-Forcë
Problemet gjatë mandatit të parë të qeverisë “Berisha” kanë detyruar Kryeministrin të ngrejë njësi ndërinstitucionale të quajtura Task-Forcë për të reformuar institucionet bazë të shtetit. Kryeministri ka premtuar brenda një kohe të shkurtër ngritjen e njësive të përbashkëta për reformën në drejtësi, arsim e shëndetësi. Madje janë ngritur Task-Forcë për gjetjen e eshtrave të komunizmit, shkrirjen e inspektorateve, si dhe Task-Forcë për tatimet, si dhe për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaporta biometrike e karta identiteti. Madje, Berisha ka shkuar më tej, duke u kërkuar diplomatëve shqiptarë në botë që puna e tyre të jetë më shumë në aspektin ekonomik dhe në këtë kuadër ata të kthehen në një Task-Forcë. Berisha këshilloi që një ambasador të jetë baras me një Task-Forcë.
Task-ForcatNjë nga premtimet për ish të përndjekurit politikë dhe për familjarët e të pushkatuarave gjatë regjimit komunist është ngritja e një Task-Forcë për gjetjen e eshtrave të të ekzekutuarve. Zbulimi i varrit masiv në malin e Dajtit ka bërë që qeveria të marrë masa konkrete për zbulimin e rreth 4 mijë viktimave që paidentifikuara të komunizmit. Kryeministri Sali Berisha deklaroi se është e nevojshme ngritja e një grupi pune që do të merret posaçërisht me kërkimin dhe gjetjen e viktimave të komunizmit. “Kërkoj ngritjen e një Task-Forcë që do të merret me kërkimin, gjetjen, e trupave të burrave dhe grave që u ekzekutuan barbarisht nga regjimi hoxhist, vetëm se besonin te fjala e lirë”, u shpreh Kryeministri.
Ndërkohë, qeveria ka marrë një vendim për të shkrirë të gjitha inspektoratet në një të vetëm dhe kjo në kuadër të një Task-Forcë për reformën rregullatore në Shqipëri. Qeveria ka premtuar se ka zgjedhur një model të inspektorateve në Shqipëri, që nuk dëmton bizneset, por garanton konkurrencën e ndershme dhe të lirë në treg. I prekur nga Task-Forca është edhe organi tatimor qendror, i cili ka ngritur këtë njësi për të shqyrtuar me përparësi çdo ankesë të biznesit të vogël.
Nga ana tjetër s’kishte si t’i shpëtonte Task-Forcë edhe shëndetësisë. Qeveria ka ngritur një njësi ndërinstitucionale për reformën në shëndetësi për familjet e varfra, të cilat nuk kanë mundësi ekonomike dhe do të përfitonin falas shërbimin spitalor. Më herët qeveria kishte ngritur këtë njësi edhe në funksion të procesit të aplikimit dhe pajisjes me karta identiteti dhe tashmë për pajisjen me pasaporta biometrike.
Në Ministrinë e Transporteve është ngritur grupi Task-Forcë për të monitoruar ato firma, të cilat nuk punojnë me tre turne. Berisha dha porosi të qarta për inspektim dhe ndëshkim të tyre në rast të shkeljes së ligjit, pasi shumë vepra publike kanë ngelur në vendnumëro. Janë ngritur grupe pune të quajtura Task-Forcë për antikorrupsionin, kriminalitetin në rajon, si dhe për kultivimin e ullirit.
Task-Forca e fundit e ngritur nga qeveria daton ditën e djeshme. Një marrëveshje bashkëpunimi midis ministrave të Drejtësisë të Shqipërisë dhe Estonisë për dixhitalizimin e pasurive të paluajtshme është kthyer në një grup të përbashkët ndërinstitucional.