E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti sqarime te reja per videon

Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti është paraqitur sot në Prokurorinë e Përgjithshme, për të dhënë sqarime mbi videon-skandal mes tij dhe Ilir Metës.

Në dalje nga prokuria, Prifti ka deklaruar për mediat se ka dhënë për prokurorët përgjigje të reja mbi hetimin që po kryhet.

“Sot erdha në prokurori i thirrur nga prokurorët që hetojnë videon “Meta”. Isha në dispozicion të tyre për të dhënë detajet mbi këtë hetim. Kam sqaruar lidhur me dëshmitë në prokurorinë e Tiranës, janë konfirmuar përgjigjet e mia të mëparshme, por edhe përgjigjet e reja për disa deklarata që i ka bërë vetë Meta”, ka pohuar Prifti.

Sipas tij, prokurorët e cështjes janë të bindur për vërtetësinë e videos dhe një gjë të tillë, ka theksuar ai, e kanë konfirmuar edhe ekspertët.

“Kam bindjen që gjërat po shkojnë në drejtim të zbatimit të ligjit. E kuptova që s’kishte asnjë dyshim tek prokurorët me vërtetësinë e videos. Edhe pse s’mora një verifikim zyrtar, nga ekspertët është vërtetuar se ajo është e pamanipuluar dhe e pamontuar”, ka nënvizuar Prifti.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, Prifti ka saktësuar se përgjigjet e tij të reja kishin të bënin me disa deklarata të bëra vullnetarisht nga Meta në prokurori.

“Sot kuptova që zoti Meta është paraqitur vetë para prokurorëve dhe ka dhënë disa përgjigje lidhur me këtë video. Unë kam një marrëveshje me prokurorët dhe sekretet nuk duhet të preken”, ka shtuar Prifti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›