Cameron: Multikulturalizmi ka dështuar
Kryeministri britanik David Cameron thotë se multikulturalizmi në Britani ka dështuar dhe se duhet zëvendësuar me një ide të qartë të identitetit kombëtar që është i hapur për të gjithë. Në një fjalim gjatë një konference për çështjet e sigurisë në Gjermani Cameron tha se vendet europiane kishin patur frikë të merreshin me radikalizimin te muslimanët. 'Nën doktrinën e multikulturalizmit, kemi inkurajuar që kultura të ndryshme të jetojnë jetën e tyre të veçuar nga njëri-tjetri dhe nga pjesa më e madhe. Ne nuk kemi mundur të paraqesim një vizion të një shoqërie në të cilën ata duan të bëjnë pjesë,' tha Cameron. Ai bëri një dallim të qartë mes muslimanëve ekstremistë dhe pjesës më të madhe të popullsisë muslimane, por tha se grupet që refuzonin vlerat liberale Perëndimore nuk duhen toleruar apo t'u jepen fonde publike. Vitin e kaluar kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh ngjashëm me kryeministrin Cameron, duke thënë se multikulturalizmi kishte vdekur.