E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen komisionet e 8 majit, PS e PBDNJ nuk çojnë anëtarë

SHKRUAN: Fejzi Braushi 08-02-2011 10:54

Ende pa nisur tamam, procesi zgjedhor për drejtuesit e njësive vendore ka hyrë në “ngërç”. Shkak është bërë bojkoti, që opozita i ka bërë këtij procesi, jo vetëm me mospjesëmarrjen e saj në mbledhjet e KQZ-së, por edhe me mosplotësimin e detyrimeve ligjore, që kanë të bëjnë me anëtarët e Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ). Dje ka skaduar afati që përcakton Kodi Zgjedhor, për paraqitjen e propozimeve për anëtarë KZAZ-je nga partitë politike, ndërsa asnjëra prej dy forcave opozitare, PS dhe PBDNJ, që kanë të drejtën për të pasur anëtarë në këto komisione, nuk ka pranuar të plotësojë këtë detyrim. Një mosveprim ky, që ka bllokuar gjithë procesin e plotësimit të këtyre komisioneve me anëtarë, pasi vet ligji zgjedhor nuk jep zgjidhje ezauruese, në rastet kur forcat e një krahu politik nuk pranojnë të bëhen pjesë e një procesi zgjedhor, siç po ndodh aktualisht në vendin tonë, ku të majtët pavarësisht se nuk kanë deklaruar bojkotin e zgjedhjeve vendore, kanë braktisur prej kohësh procesin e përgatitjeve të këtyre zgjedhjeve.

Mbledhja

KQZ ka zhvilluar dje mbledhjen e tij të radhës, pa praninë e anëtarëve të majtë, ndërsa ka mundur të miratojë një pjesë të propozimeve për anëtarë KZAZ-sh. KQZ ka miratuar pa asnjë vërejtje, të gjitha propozimet e bëra nga PD, e cila rezulton të jetë forca e vetme që ka plotësuar detyrimet ligjore për plotësimin e vendeve në komisionet e nivelit të dyta, që janë KZAZ-të. Gjithashtu, në mbledhjen e djeshme janë miratuar edhe 21 propozime të bëra nga LSI, e cila siç edhe u konstatua nga drejtori përkatës në KQZ për komisionet, nuk i ka paraqitur të gjitha emrat që i takojnë. Për rastin e LSI-së, megjithëse afati ligjor ka mbaruar, kreu i KQZ-së Arben Ristani ka porositur drejtorin përkatës, që të kërkojë me urgjencë prej kësaj force që të plotësojë këtë detyrim ligjor. Por duket se problemi nuk qëndron tek LSI, por tek forcat e majta, të cilave u ka lindur e drejta për të pasur anëtarë në komisionet e niveleve të dyta dhe të tretat.

Ngërçi

Mosparaqitja e propozimeve për anëtarë të KZAZ-ve, nga ana e partive të majta në kohë, ka bllokuar procesin e konstituimit të tyre dhe për rrjedhojë dhe bllokimin e punës së mëtejshme, që ligji zgjedhor u ngarkon këtyre komisioneve. Kodi Zgjedhor, faktikisht parashikon zgjidhje edhe për situata të vështira, kur një forcë e caktuar politike nuk pranon të marrë pjesë në zgjedhje, por hartuesit e tij nuk kanë llogaritur rastet ekstreme, kur asnjëra nga forcat e një krahu politik nuk pranon të marrë pjesë në një proces zgjedhor, siç është dhe rasti aktual. Kodi Zgjedhor, në nenin 29 të tij, në pikën 5, përcakton se “Nëse partitë politike të shumicës parlamentare dhe të opozitës parlamentare, që kanë të drejtë të paraqesin kandidatura për KZAZ-të, nuk e ushtrojnë këtë të drejtë në afatin e përcaktuar, kjo e drejtë u kalon automatikisht partive që vijnë në radhë me numër vendesh në Kuvend pas të parave, brenda grupimit përkatës. Kur kjo nuk është e mundur, propozimet bëhen sipas pikës 1, shkronja “a”, të këtij neni”. Pra ligji zgjedhor nuk ka parashikuar se çfarë ndodh me plotësimin e KZAZ-ve, sëpari në rastin kur asnjëra nga dy forcat politike të një krahu nuk marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe së dyti nuk ka parashikuar edhe rastin tjetër, kur forca parlamentare nga një krah i caktuar politik janë vetëm dy, siç ndodh sot me opozitën e cila në parlament përfaqësohet vetëm nga PS dhe PBDNJ. Kodi parashikon një zgjidhje që duket se shërben vetëm për ditën e zgjedhjeve, çka do të thoshte, që si anëtar të KZAZ-ve të zgjidheshin njerëz së pari, të pa trajnuar dhe së dyti, që këto komisione në gjysmën e tyre të konstituoheshin vetëm në ditën e zgjedhjeve. “Nëse edhe këto parti nuk propozojnë anëtarë, KQZ-ja emëron kryesisht anëtarët e KZAZ-së, deri në plotësimin e numrit të nevojshëm të anëtarëve për vendimmarrje”, - përcakton Kodi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›