Mashtrimet e Greqisë po zbulojnë fundin e utopisë “Evropë”, një strukture të ndërtuar mbi themele rëre
Pyetja nuk është pse Evropa do të përfundojë, por pse ajo do të vazhdojë. Perandoria nuk është gjendja e natyrshme e parazgjedhur e kombeve - kjo ndodh kur forca shumë të mëdha dhe shumë të fuqishme detyrojnë popuj të ndryshëm që të mblidhen së bashku në grup-kombe, duke iu nënshtruar interesave dhe identiteteve mbi-kombëtare. Ka instrumente mjaft efikase për ta kryer atë, dhe një prej tyre është një ushtri e fuqishme. Kjo është forma më e zakonshme e aderimit perandorak. Disa shpirtra të ndrydhur besojnë se mënyra e vetme që ata të bëhen të lumtur është që të mos jenë vetëm një mbret, por një mbret i mbretërve. Shumica e këtyre shpirtrave vdesin të rinj, por disa kanë dhuratën e madhështisë ushtarake, të cilën e përdorin për të pushtuar. Pushtuesit zakonisht e takojnë njëri-tjetrin në fushëbeteja, ku më të fortit, ata që kanë një madhështi ushtarake më superiore, i “gllabërojnë” perandoritë e vogla. Një numër i vogël pushtuesish shkojnë në varre të pamposhtur, por perandoritë e tyre shuhen me ta. Ndërkaq, një numër i vogël i njerëzve posedojnë aftësitë që i mundësojnë atyre që të pushtojnë çdo armik që luftojnë, si dhe aftësitë e ndërtimit të shtetit. Këta njerëz krijuan perandori të vërteta dhe të qëndrueshme. Këta njerëz të paktë - Nimrodi, Nebuçadersi, Ksersi, Aleksandri, Çezari, Khani dhe Karli i Madh - të historisë botërore, janë, falë Zotit, mjaft të rrallë. Pse ekziston kjo rrallësi? Sepse ne jemi të lidhur me grupe të vogla. Ne jemi të lidhur me familjet dhe me fshatrat që janë familjet e familjeve. Kur një fshat formon një komb, avantazhe të caktuara fillojnë të shfaqen, si: mbrojtja reciproke, një sistem i unifikuar i tregtisë dhe i ligjeve, dhe ndoshta një ndjenjë më e madhe e identitetit. Por në këtë fazë lindin edhe dyshimet: përçarja në mes të lokales dhe kombëtares, në mes të të zakonshmëve dhe elitës. Çdo formë e konsolidimit politik, e cila është më e madhe se vetë kombi, është e prirur që të prishet. Sa më të mëdha të jenë dallimet, qofshin këto etnike, gjuhësore, fetare a kulturore, aq më të forta do të jenë forcat centrifugale që do të ndajnë grupet. Pra, pyetja që shtrohet nuk është se cili do jetë shkaku i shkatërrimit të Europës, por çfarë e mban atë të bashkuar. Evropa u krijua fillimisht nga tre forca: Katolicizmi, kërcënim ushtarak i Islamit dhe ambicia ushtarake e Karlit të Madh. Me kalimin e kohës, Perëndimi i fitoi kryqëzatat, burrat më të vegjël se Karli u ngjitën në fronin e Perandorisë së Shenjtë Romake, reformimi theu monopolin katolik fetar, dhe perandoria u thërrmua në shtet-kombe ndërluftuese. Secili u përpoq që të arrinte hegjemoninë e përhershëm, por nëpër kapitujt e epokës 100-vjeçare të luftërave - luftërave të Napoleonit, Rajhut të Dytë dhe të Tretë, njerëzve të ndryshëm të Republikave - asnjë nuk arriti të takohej me suksesin. Një ambicie kundërshtoi një tjetër, duke i neutralizuar të dyja. Analiza e kësaj mini-sintezë historike na shtron pyetjen: Kush do ta përfundojë këtë punë të lenë përgjysmë nga të sipërcituarit? Sot nuk ka një ushtri mbi të cilën mund të thuren lavde. Evropa ka çarmatosur në masë të madhe arsenalin e saj ushtarak. Nuk ka konsensus katolik: pas një debati të gjatë, hartuesit e eurozonës kanë vendosur që të mos përmendin rrënjët e krishtera të Evropës, madje as të pranojnë ndikimin e saj historik. Nuk ka gjuhë të përbashkët dhe as një etni të përbashkët. Megjithëse, kërcënimi i jashtëm nga Lindja e Mesme është më i madh se kurrë më parë, Evropa është e verbër ndaj saj. Për të trajtuar botën myslimane, ajo i ka refuzuar të dyja, si strategjinë mbrojtëse ashtu edhe strategjinë asimiluese, duke vendosur për multikulturalizmin. Forca e vetme unifikuese që Evropa mund të ketë pasur ishte interesi i përbashkët financiar dhe ekonomik. Kjo ishte pika fillestare e ëndrrës origjinale ekonomike të Nobelistit, Robert Mundell-së: të tregtisë së lirë dhe të monedhës së shëndoshë. Por gjërat nuk shkuan në këtë mënyrë. Shtetet anëtare të eurozonës mashtruan. Shumica e tyre gënjyen në lidhje me nivelin e borxhit, dhe si pasojë eurozona e ka thyer tashmë zotimin e saj kushtetues që të mos angazhohet si “kamerdare” shpëtimi për këto vende. Pjesa më e madhe e parave po vijnë nëpërmjet Bankës Qendrore Evropiane, e cila e ka dobësuar euron krahasuar me arin, masa e preferuar e krahasim të vlerë së monedhës së Dr.Mundell-it. Pra, modeli Mundellian i një Evrope të re, modeli i vetëm që kishte një shans në mjedisin e tanishëm, u braktis në favor të një shteti të fryrë të mirëqenies. Kursimtarët e Europës Veriore nuk kanë një interes të përbashkët ekonomik me popujt e “falimentuar” të jugut. Elitat e tyre mund të kenë, por njerëzit e thjeshtë nuk kanë. Interesi i elitave ndoshta do të mbajë këtë perandori të “krisur” së bashku me krizën e tanishme. Euro ka të ngjarë t’i mbijetojë testit të saj. Por në fund, vetëvrasja demografike, rreziku moral, amullitë ekonomike, inflacioni dhe mbi të gjitha mungesa e dukshme e forcave të unifikimit, mund t’i japë fund këtij eksperimenti utopik. Evropa është një qytetërim i ndërtuar mbi rërë, dhe vetëm për shkak se ajo ndoshta mund t’u mbijetojë stuhive aktuale në periferi, nuk do të thotë se ata do t’i mbijetojnë stuhisë që po i drejtohet zemrës së mbretërisë.