Primadona Kati
Kësaj radhe do të ndalem te monografia “Katarina Josipi – Kati”, që Frrok Kristaj e botoi në vitin 2004. E zgjodha këtë libër pasi që sivjet bëhen plot 88 vjet që kur në fshatin Zym të Hasit të Thatë u lind aktorja e madhe Katarina Josipi, kurse sivjet bëhen plotë 42 vjet kur ajo kaloi në amshim. Pra, 42 vjet pa Katin zymjane, pa Katin artiste, por 88 vjet me Katin dhe emrin e saj. Në fakt, emri i Katit është dërrasa e parë e binës së teatrit në gjuhën shqipe jashtë Shqipërisë administrative.
Katarina Josipi si aktore hapëroi në dërrasat e Teatrit Amator në Ferizaj, kurse në pranverë të vitit 1948 hyri si femra e parë shqiptare në Teatrin Popullor të Prishtinës. Në Prishtinë kishte shkuar së bashku me Shaban Gashin e Matej Serreqin, që të dy nga Ferizaj. Në Prishtinë, Kati plot 21 vjet aktroi dhe kulmoi në skenën profesionale. Dhe, po aty, në Prishtinë, vdiq më 29 prill 1969, kurse u varros atje edhe nga erdhi - në Shëngjergj, afër Zymit të Hasit, pranë meshtarit e patriotit Atë Luigj Palaj dhe të madhit Atë Shtjefën Gjeçovit.
Autori i monografisë “Katarina Josipi – Kati”, Frrok Kristaj, thotë se Katarina Josipin e kemi parë në skenën e teatrit profesional, e kemi dëgjuar në radio me radiodrama, por e kemi parë edhe në një film (Uka i Bjeshkëve të Nemuna). Megjithatë, ajo jetoi në skenën teatrore, aty ku e fillonte jetën magjepsëse që e sheh, e ndien, ku i zbulonte karakteret e njerëzve, rolet e të cilëve i interpretonte. Jeta e Katit ka filluar kur janë ndezur dritat e skenës. Aty la djersën e vet. Por, në skenë ajo jeton edhe sot në kujtimet e artistëve, por edhe të shikuesve e të dashamirëve të teatrit.
Njëzet e një vjet me radhë, aq sa jetoi në skenën e Teatrit të Prishtinës, Kati ishte kampione, bartëse e roleve më komplekse të repertorit më të shumëllojshëm të teatrit tonë. Bukuria e brendshme e Katit shpërthente vetëm atëherë kur fikeshin dritat në sallë e ndizeshin të tjerat në skenë. Atëherë temperamenti i saj artistik i magjepste shikuesit. Për Katin ishte njësoj me rëndësi roli kryesor, i mesëm apo episodik. Të gjitha i interpretonte me pasionin më të madh, me përkushtim, duke e shkrirë vetën në role, duke përjetuar dhe duke krijuar fytyra dhe karaktere të reja. Për Katin, po ashtu, ishte njësoj të interpretonte role nga drama origjinale apo ajo e përkthyer, drama klasike apo bashkëkohëse. Pra, Kati ishte në gjendje të krijonte fytyra komplekse, madje edhe atëherë kur nuk ishin të kompletuara nga autori apo regjisori.
Kati me invencion të rrallë kishte interpretuar bareshën dhe ministreshën. Kishte aftësi transformimi. Mishërohej thellësisht me personazhet që i interpretonte. Identifikohej me fatet e tyre dhe ua zbulonte karakteret. Ajo me talentin e saj të një artisteje, por edhe të një primadone të madhe, ngriti një galeri të tërë tipash që e ndien jetën pa kufi, kohë e hapësirë. Dhe, vërtetë është vështirë tash të bëjmë ndonjë shëtitje nëpër ato 71 e sa role që i interpretoi gjatë jetës së saj.
Katarina Josipi - Kati për kontributin e saj, por edhe për rezultatet e arritura, mori shumë shpërblime e mirënjohje, që i jepnin atëbotë institucionet profesioniste. Në veçanti po përmendim se ajo ishte laureate e Shpërblimit të Dhjetorit (1958) të Kuvendit të Kosovës. Po ashtu, Kati para se të vinte në Teatrin Popullor të Prishtinës, në shkurt të vitit 1947, nga pushteti okupator serb, u mor në hetime dhe u nxor para gjyqit bashkë me vëllanë, Lazrin, si anëtarë të Organizatës Nacional - Demokratike Shqiptare me akuzën armike e popullit. Ndër 38 anëtarët e "Grupit të Hamdi Berishës", që të gjithë nga Ferizaji e rrethina, në procesin makabër të Gjilanit, mbajtur prej 1 deri më 7 shkurt të vitit 1947, Katarina Josipi ishte e vetmja femër ndër 37 meshkuj.
Të themi edhe këtë se me emrin e Katit është pagëzuar Konkursi për Dramë Origjinale i Teatrit Kombëtar të Prishtinës, ShKA në Zym, që është themeluar në njëvjetorin e vdekjes së Katit, pastaj me emrin e Katit është pagëzuar edhe çmimi për rolin më të suksesshëm të femrës aktore për komedi (në Preshevë të Kosovës Lindore). Njëherësh, në vendlindjen e saj tash e disa vjet jepet çmimi ”Unaza e Katit”, si dhe në Pejë me emrin e saj është pagëzuar një shkollë për gjuhë të huaja.