Primakov:Veriu i Kosovës,t'i jepet serbëve

Ish- shefi i diplomacisë ruse Jevgeni Primakov ka deklaruar se nuk beson që është reale të pritet kthimi në negociata për Kosovën dhe në gjendjen para shpalljes së pavarësisë, por duhet të zgjidhen çështjet që mund të zgjidhen. Sipas Primakov, një prej tyre është që pjesa veriore e Kosovës duhet t'u jepet serbëve. "Nuk besoj se çështja mund të kthehet realisht në negociata, në gjendjen para se të shpallej pavarësia e Kosovës dhe e njohur prej shumë shteteve, përfshirë edhe Malin e Zi e Maqedoninë", është shprehur Primakov në një intervistë për mediat serbe. Ish- ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë vlerëson se është ide shumë e mirë që Serbia e ka shtruar çështjen e Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, veprim për të cilin kanë votuar shumë shtete, por shtrohet pyetja se çfarë do të ndodhë pas saj. "Mendoj se tani duhet të zgjidhen ato probleme që mund të zgjidhen. Një prej tyre është, ndoshta, dorëzimi i pjesës veriore serbëve", ka thënë Primakov, i cili tani mban funksionin e kryetarit të Dhomës Ekonomike të Rusisë. Rusia, ashtu si dhe Serbia është njuë oponente e fortë e shpalljes në mënyrë të njëanshme të pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit të kaluar. Rusia ishte një vendet që kërcënoi me veto në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, njohjen e shtetit më të ri në botë, atë të Kosovës.