Primera Divizion, Barça synon rekordin e 100 pikëve
Kampionati Spanjoll ka luajtur këtë fundjavë ndeshjet e vlefshme për javën e 36-të, ku Barcelona pas shpalljes kampion një javë më parë ka festuar titullin e 22-të në La Liga përballë tifozërisë vendase, por pa arritur të ngrejë lartë trofeun i cili do të jepet pas dy javësh kur katalanasit do të presin në Kamp Nou, skuadrën e Malagës.
Gjithçka ka filluar me një respekt të skuadrës kundërshtare që me fillimin e ndeshjes dhe ka përfundur pastaj me fitoren e katalanasve 2-1 përballë Valadolid. Pedro shënoi golin e parë për balugranat në minutën e 21, ndërsa në të 42-tën Hernandez shënoi autogol duke i mbyllur 45 minutat e para me një fitore 2-0 për të besuarit e Tito Vilanovës .
Në pjesën e dytë, miqtë do të shkurtonin diferencat vetëm në minutën e fundit të kohës së rregullt por pa patur mundësi që të barazojnë rezultatin. Me këtë fitore, Barça tregoi se mund të fitojë edhe pa yllin e saj Lionel Messi. Kur kanë mbetur edhe dy javë nga fundi i kampionatit, synimi i Barcelonës është thyerja e rekordit të real Madrid dhe kalimi i 100 pikëve të grumbulluara në kampionat. Katalanasit kanë aktualisht 94 pikë, ndërsa u duhen edhe dy fitore për të arritur këtë kuotë rekord.
Në kampionatin spanjoll akoma nuk janë përcaktuar skuadrat që do të marrin pjesë në kupat e Europës, përveç tre vendeve të para që mbahen nga Barcelona kampione, Real Madrid nënkampione dhe Atletiko Madrid që ka siguruar vendin e 3-të.
Gjithashtu në dy javët e mbetura, pritet që të përcaktohen edhe skuadrat që do të zbresin një kategori më poshtë, pasi lufta do të vazhdojë deri në minutat e fundit.
Në këtë fundjavë, në kampionatin Iberik janë shënuar këto rezultate:
Getafe – Valencia 0-1
Granada – Osasuna 3-0
Sevilla – Real Sociedad 1-2
Levante – Rayo Vallecano 2-3
Deportivo la Coruna – Espanyol 2-0
Zaragoza – Athletic Bilbao 1-2
Barcelona – Valladolid 2-1
Ndërsa mbyll sot javën e 37-të, sfida mes Mallorca dhe Real Betis.