E Diel, 1 Nëntor 2026

Princ Leka: “Po ndihmoj për të futur Shqipërinë në Evropë me identitetin kombëtar”

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Një princ bjond, sykaltër, i gjatë si një malësor, me hijen që shumëkujt i duket prej të huaji, por që në përshkrimet e historianëve dhe udhëtarëve të hershëm nëpër këto treva, i përkon vendasit: “Bijtë e shqipes kanë tipare të çelëta dhe shtatin e lart녔, do të shkruante Edith Durham. Pushtimi dhe më pas sundimi i gjatë otoman duket se i ndryshoi pjesërisht këto tipare. Ngjyrat e lëkurës dhe flokët u errën.
Dhe kështu kujtimet e vjetra u fshinë. Mirëpo një princ shqiptar sykaltër, edhe të huajve sot nuk u duket si i tillë. Vetë princi Leka Zogu na tregon përgjatë intervistës së tij, se që në adoleshencë i është dashur të ndeshet me këto përcaktime joshqiptare për shkak të tipareve të tij. “Më thonë: Nuk ngjan si shqiptar”, thotë ai. Vështirësitë për të shqiptuar shqipen pa akcent anglez e pengojnë dhe ai ndihet i munduar nga dëshira për ta folur shqipen si secili prej nesh, sepse do që të ndihet e të duket në sy të të tërëve shqiptar. “Unë jam matjan, ndihem matjan”, thotë ai.
Që në vogëlinë e tij, ai kishte dëgjuar për Shqipërinë dhe njerëzit e saj, kishte ushqyer dëshirën e zjarrtë për të parë tokën e të parëve. Në largësi ajo e joshte shumë. Dhe ashtu në heshtje kishte bërë një marrëveshje me veten: “Kur të rritem, do të marr grua shqiptare”. Princ Leka nuk i qëndroi sytë gjatë viteve të studimit në Itali mbi ndonjë vajzë të huaj. As nuk priti që familja mbretërore ti gjente një princesëshë mes miqësive që e lidhnin nga të katër anët e botës. Vetë ai thotë: “ Nuk jemi në kohën kur princi martohet me një princeshë. Secili person zgjedh shpirtin binjak me të cilin ndihet mirë. Dhe unë them se e kam gjetur atë”. Kështu, flet Princ Leka, që është kaq i çiltër në rrëfimin e tij, saqë ky është një impresion më vete. Një habi më vete se si një djalë nga familja mbretërore, që ka jetuar në Afrikën e Jugut, është rritur me dado zezake, që ka kryer Akademinë Ushtarake në Angli, ku ka kaluar stërvitjet jashtëzakonisht sforcuese në dëborë, dhe tani punon në kabinetin e Ministrisë së Brendshme, ky djalë flet kaq thjeshtë e hapur edhe për ndjenjat e tij. Është 25 vjeç dhe herë-herë të duket një fëmijë, herë të tjera një burrë i pjekur. “Po të jetë për mua, unë nuk dua të rritem kurrë,- thotë Princi, por kur vjen fjala tek puna, ndjenja e detyrës kërkon të marrësh përgjegjësi. Unë nuk jam më si 15 vjeç”.
Por çfarë bën një Princ i rikthyer në vendin e tij? I përfshirë njëherësh në disa organizata humanitare, mundohet të lehtësojë varfërinë, por ajo që është më e rëndësishme, kërkon të përdorë imazhin e familjes mbretërore për të rritur kreditet e Shqipërisë, për integrimin e saj në BE. Edhe pse familja mbretërore nuk ka më funksione shtetërore si në regjimin Monarkik, ai mendon se ajo duhet të jetë e përfshirë dhe të ndihmojë shtetin për të rritur reputacionin e Shqipërisë. Qëllimi i tij madhor tani është heqja e vizave.

-Për kureshtjen e të gjithë atyre njerëzve, që kanë dëshirë të dëgjojnë për jetën e familjes mbretërore, mund të na tregoni diçka për jetën e sotme të kësaj familjeje?
Siç dihet, familja mbretërore është kthyer në Shqipëri në 2002-shin me vendim të Parlamentit të shtetit shqiptar gjatë kohës së qeverisë së Partisë Socialiste. Ne kemi aktivitete të ndryshme sociale, politike dhe kulturore. Unë kam projekte personale, ndihmoj jetimët, kam dhënë mbi 30 bursa për studentët në Kosovë dhe këtu, sapo kam përfunduar një udhëtim në Kosovë, ku kam pasur hapësirë që të ndihmoj edhe fëmijët e dëshmorëve të luftës. Prandaj, profili i familjes mbretërore në fleksibilitetin e detyrës në kohët moderne, ka marrë një nuancë tjetër.
-Pra, le të themi që është një familje mbretërore, që ruan traditën dhe e ka ndërthurrur me elementet e reja të jetesës dhe të kooperimit me komunitetin. Cili është misioni i sotëm i kësaj familjeje?
Ne duam ta shikojmë familjen mbretërore në konceptin e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, sepse kjo familje u përket të gjithë shqiptarëve. Nuk mund të japim të njëjtën përgjigje për të trija trevat shqiptare. Në këto 50 vjet të kaluara në komunizëm, ka pasur shumë ideologji të politikës. Kjo do të thotë që unë kam detyrimin të shikoj jetën prapa, të shikoj që njerëzit të jenë të mirënformuar, jo për të përmbysur historinë, por për të pasur të gjithë elementet, të sigurohet debati, të sigurojmë që njerëzit të jenë të informuar dhe të vetëgjykojnë bazuar mbi faktet, arkivat, sesa mbi ideologjitë që kanë sunduar në kohën e Enverit.
-Leka, me falni, Princi Leka, gjuhën shqipe e keni mësuar që i vogël? Apo e keni përvetësuar më vonë me kurse?
Nuk ka problem. Më thërrisni në emër, Leka….Unë mund të them se shpesh më keqkuptojnë, sepse kam një theks si i huaj. Kjo vjen për shkak se kam jetuar shumë vjet të jetës sime jashtë Shqipërisë. Ndihem mirë që gjithmonë gjuha shqipe, tradita dhe kultura shqiptare kanë qenë në familje. Por thellimin e gjuhës shqipe, perfeksionimin e gjuhës dhe studimin e letërsisë së gjuhës shqipe, i kam bërë në Shqipëri, pas kthimit në 2002.
-Pra e dini shqipen shumë më mirë nga sa e keni ditur, kur nuk jetonit këtu…
…Patjetër. Unë kam qenë katastrofik, sidomos përpara gazetarëve kam pasur një emocion të brendshëm, që ka krijuar një përshtypje edhe më të keqe. Në fakt, kjo (gjuha) është diçka që unë duhet ta përmirësoj, është një luftë e brendshme edhe për një tjetër arsye. Që kur kam qenë adoleshent, unë kam pasur probleme për shkak të tipareve të mia të fytyrës. Kur thosha që jam shqiptar, më thoshin: “Jo, ju nuk dukeni që jeni shqiptar”. Prandaj, kjo në shumë raste më ka krijuar që në rininë time, një ndjenjë kundërshtimi, që më ka shtyrë ndoshta disa herë të bëhem më tepër shqiptar sesa duhet. Por me maturinë, me moshën, po e kaloj këtë problem.
-Çfarë ka ndryshuar në zakonet, në traditat dhe stilin e jetesës së familjes mbretërore? (Me aq sa keni dëgjuar për traditën e familjes, pasi jeni shumë i ri dhe nuk e keni jetuar të kaluarën)
Unë jam për rikthimin e traditës. Unë mendoj, që një ndër rolet kryesore të familjes mbretërore, është që të sigurojë, që ne shqiptarët të mos harrojmë historinë tonë, kulturën e shqiptarizmit. Kultura jonë ka ndryshuar, ne kemi pasur një traditë osmane, pastaj kemi kaluar në një traditë të lindjes komuniste, enveriste, me fillimin e 90-s ka hyrë një kulturë kryesisht e ndryshme, e hapur. Është një luftë mes Lindjes dhe Perëndimit. Ne duhet të bëjmë një luftë për të mbashkuar ato elemente, që përbëjnë identitetin shqiptar. Kur shkoj në Kosovë, pyes: “Ku janë odat e Shqipërisë?” Por nuk është vetë këtu identiteti shqiptar; Janë elementet e shoqërisë që bashkohen, që bashkojnë familjet shqiptare. Disa prej tyre kanë humbur. Ne duhet të rikthejmë disa nga traditat, pa u kthyer pas, por të hyjmë në Evropë me identitetin tonë. Kjo ka kuptim, sidomos kur krahason ngjarjet në Maqedoni. Por, ne shqiptarët kemi një fat; se kemi një identitet, kemi një histori.
-Gjatë këtyre viteve që keni ardhur në Shqipëri, ju keni lëvizur shumë, keni qenë ndoshta i kuriozuar për ta njohur sa më shumë psiqikën e këtij populli. Mendoni se ia keni arritur të njihni problemet shqiptare?
Shqipëria gjithmonë ka qenë në jetën time. Qëkur kam qenë i vogël, kam lexuar. Tani që kam pasur mundësi, çdo fundjavë, çdo hapësirë që kam, jam në lëvizje. Nuk ka vend në Shqipëri ku nuk kam shkelur. Prandaj edhe unë nuk jam jashtë drejtimit, por jam i përfshirë, edhe pse protokolli i familjes mbretërore është shumë më i lartë, unë kam pranuar një post administrativ, që të njoh problemet nga afër, sesa nga muret e oborrit.
-Shpesh, në përshkrime historike përplasen vlerësime pozitive dhe negative për rolin e tij, misionin e Naltmadhnisë, Ahmet Zogut. A i keni lexuar librat e historisë në shqip, që flasin për kohën dhe personin e gjyshit tuaj? Çfarë komenti keni për to?
(Merr dhe tregon një pirg me libra të botuara për Mbretin Zog, shumica në gjuhë të huaja). E di, unë e di se çfarë është botuar, këtu dhe jashtë, në librat e shkollës dhe të tjerë. Unë jam krejtësisht në mbështetje që ne të shkruajmë historinë reale. Them që në histori duhet të shkruash për personat që e kanë bërë atë, por nuk është mirë që të përfshihen personat që janë gjallë, nuk është mirë të përmenden me emra.
-Cilat janë raportet me shtetin të Familjes Mbretërore?
Unë kam shumë respekt për Kryemnistrin. Ka bërë një akt human, një gjest që ka krijuar hapësirat për të respektuar të gjitha figurat e kombit shqiptar. Kam respekt për gjithë aktorët e politikës, duke përfshirë Edi Ramën.
-Ju jemi fokusuar si simbol i djathtë. Pse djathtas?
Sepse familja mbretërore si institucion nuk mund të jetë e majtë. Ka qenë i vetmi fokusim, që Enveri e ka patur si kundërshtar të tij për pushtetin.

“Historia shkruan për Zogun, ka harruar familjen”

“Dua tju jap në sqarim: Familja e Zogollëve është 500-vjeçare, që fatkeqësisht nuk është përshkruar sepse historianët merren vetëm me figurën e Mbretit Zog. Por Mbreti Zog nuk ka ardhur nga një familje, që nuk ka qenë e ditur. Ne jemi me origjinë nga Rrafshi i Dukagjinit. Kemi hyrë në Mat dhe me kalimin e kohës kemi marrë pushtetin. Me pas, e kemi shtrirë në Dibër, kemi bashkuar tri baraqet e Mirëditës. Me krushqinë me familjen Toptani dhe rrëzimin e Esat Toptanit, u bashkua në zotërim edhe Tirana dhe Kruja. Gjithë ky bashkim krijoi një fuqi. Mbreti Zog mori fuqinë politike dhe kishte një forcë ushtarake prerj 7500 ushtarësh, ndërsa në jug të vendit kishte bejlerë, shumë bejlerë, ku secili kishte nga 20 ushtarë, atje çdo familje ishte e armatosur. Por pushteti ushtarak ishte shumë i dobët. Me këtë fuqi ushtarake, Mbreti Zog ka shkatërruar brigadën e Serbëve ku mbetën të vrarë 9000 ushtarë serbë. Mbreti Zog ka qenë personi kyç në betejën ndaj italianëve në 21. Pra, janë shumë elemente që kanë ndihmuar krijimin e pushtetit.”

Të huajt më presin si princin e vetëm shqiptar

- Duket paksa ekzotike ekzistenca e një familjeje mbretërore, (madje, që vazhdon të njihet si e tillë- MBRETERORE, edhe në popull, edhe nga administrate shtetërore), në një vend me regjim Republikan. Po vetë kjo familje, si e percepton këtë realitet?
Vetëm në Shqipëri është përhapur ky debat. Familjet mbretërore gjithmonë kanë qenë familje mbretërore. Është e njohur si e tillë kudo, edhe si intitucion. Ne kemi marrë një pasaportë, që verifikon që ne kemi qenë një institucion. Në kohën e komunizmit, kemi qenë i vetmi simbol i demokracisë.
-Në fakt, e kam kapur në aspektin romantik këtë pyetje. Duket e çuditshme të jesh mbret apo princ në një kohë kur këto duket sikur kanë mbetur vetëm në histori dhe përralla. E prapë se prapë kemi një familje bretërore edhe pse nuk kemi Mbretëri. Çfarë i ofron një vendi prania e një familjeje të tillë?
Në shekullin XXI, familja mbretërore do të jetë mbretërore, por duhet të jemi modernë, duhet të jemi praktikë. Kjo nuk do të thotë se do të harrojmë kontributet, lidhjet. Ne do të jemi përsëri në dispozicion të shtetit tonë. Unë kam kontakte të ndryshme edhe me anëtarë të familjeve të tjera mbretërore, dhe mundohem të ndihmoj nëpërmjet miqësisë. Të ndihmoj si të promovojmë nëpërmjet këtyre miqësive vendin tonë.
Familja mbretërore është e qëndrueshme, edhe me ndryshimet e presidentit, edhe të qeverive. Në një Evropë që bazën e hierarkisë, të politikanëve, të shoqërisë ka familjet e vjetra, kuptohet që prania e familjes mbretërore në administratë, ndihmon procesin e integrimit. Fakti që Shqipëria është një Republikë, nuk do të thotë që Familja Mbretërore nuk mund të angazhohet. Ne kemi shembujt e princërve Mishel ose Majko në Rumani që ka qenë aktiv për integrimin e Rumanisë në NATO. të, princit të Greqisë, Serbisë, Bullgarisë, që u angazhua me parti politike. Këto janë vetëm shembujt e Rajonit.
-Si ndihesh kur të quajnë princ? Natyrshëm apo në mënyrë butaforike?
Ndjenja që kam është e tillë që e meritoj këtë titull. Të meritosh një titull, do të thotë se kërkohet edhe më shumë, një peshë tjetër. Princi duhet të kuptohet si titull që nuk ka lidhje me pushtetin juridikisht apo politikisht. Është një titull honorifik. Unë mund të them që jam gjithashtu një kont hungarez, e kam këtë të drejtë. Unë mund të them që jam një nga princërit irlandezë. Këta janë tituj që trashëgohen.
-Të jep përgjegjësi titulli?
Nënkuptohet. Kur populli të jep një titull, kërkon përgjegjësi, kërkon që të jemi të angazhuar. Përderisa të ekzistojë qoftë edhe një shqiptar i vetëm që të thotë: “Kjo është familja mbretërore,” kjo është një përgjegjësi që e kemi në kurriz.
-Vazhdimisht një pjesë e publikut ka pasur simpati për regjimin monarkik dhe kureshtje të dijë sa më shumë rreth saj. A ka familja juaj kontakte apo korrespondenca me popull, qytetarë që kanë simpati për Mbretin?
Kontaktet janë të vazhdueshme. Për momentin jemi në rivendosje të faqes së familjes në internet (ëeb site).
Si kontakt kemi edhe angazhimin brenda Partisë Demokratike, ku kemi bazën tonë, nënkuptohet…
-Ju kontaktin me publikun e shihni në rrugë politike?
Jo vetëm politike: Personale, politike, kulturore. Njëkohësisht, unë kam marrë përsipër të rikthej brigadën e 4000-shit. Gjatë vitit 55 ka qenë një brigadë me mbështetjen amerikane që përgatitej për ndryshimin e qeverisjes në Shqipëri, për të përmbysur komunizmin. Të gjithë këta oficerë, të gjitha këto personalitete, dua që ti ribashkoj. Edhe ata që kanë jetuar në diasporë, që kanë përjetuar një jetë krejt ndryshe, duke parë Shqipërisnë si një fushë me lule, kur ajo realisht kishte një tiran që shkatërroi kombin tonë.
Këta njerëz, duke përfshirë edhe familjet e vjetra si Toptanët, Vrionët. etj, të gjithë dua ti bashkoj dhe tu kujtoj se duhet të ndihen krenarë për historinë e tyre kur të ecin në rrugë. Të mos lejohen keqkuptimet, ndërhyrjet dhe politizimet e historisë. Ne, familja mbretërore, kemi detyra, angazhime edhe ndaj imazhit të tyre. Kjo do të bëhet në mënyrë profesioniste, jo me fjalë por me zbatim.
-Organizon Familja Mbretërore festa tradicionale, ballo, si dikur?
Ballo jo (thotë me buzëqeshje), por aktivitete artistike kemi. Unë po pres të kem edhe shoqen time këtu. Ajo vetë është një artiste, i ka shumë qejf angazhimet. Ne kemi shumë aktivitete të realizuara.Kemi pasur festime me komunitetin në diasporë, këtu kemi për 28 Nëntorin. Oborri Mbretëror organizon festime për Vitin e Ri ku fton fëmijët. Pastaj, ditëlindja e mbretit festohet gjithmonë.
-Cila është një ditë e zakonshme e Princ Lekës? Si fillon dhe si mbyllet?
Zgjohem në mëngjes, filloj punën, e mbaroj në orare të ndryshme. Gjatë asaj kohe, kam kontakte me oborrin mbretëror. Fatmirësisht, kemi krijuar një ekip mjaft të mirë, që siguron që detyrat janë plotësuar. Pasdite mbaj takime të ndryshme me personalitete, caktoj një orë stërvitjeje. Unë, derisa kam qenë në ushtri nuk mund ti ndahem stërvitjes. Ky është një pasion që do të vazhdojë. Tani stërvitem në shtëpi, kemi një palestër. Është një gjë që më jep energji.
Pjesa kryesore e ditës është puna në Ministri, se tani kam filluar punë në Ministrinë e Brendshme, në Kabinetin e ministrit Lulzim Basha. Tani kam një profil krejtësisht të ndryshëm nga puna në Ministrinë e Jashtme, që kërkon intensitet. Por kjo nuk më largon nga detyrat që kam brenda Oborrit. Siç ju thashë, kemi dy shtyllat: Angazhimet sociale, projektet kulturore, projektet për zhvillimin ekonomik të shtetit shqiptar, por edhe komunikime të vazhdueshme me institucione të jashtme e të brendshme.
-Cila është ajo rrugë, që ju lejon të vini në jetë këto projekte, me karakter social, ekonomik etj?
Së pari, krijohet hapësirë sepse vetë njerëzit krijojnë hapësira, Pastaj, posti në Oborrin Mbretëror. Sponsorizimet nga biznesmenët e brendshëm e të huaj, gjithashtu na japin dorë të jemi aktivë. Jam presidenti i nderit i shoqatave të ndryshme: IBA, shoqata e Matit, një shoqatë italiane për njerëzit me aftësi të kufizuara, dhe nëpërmjet këtyre organizatave, kam hapësira të jap kontribut.
-Po pushimi i Princ Lekës kur është?
Pushim nuk ka, pasi sa mbaroj një angazhim, kaloj në një tjetër. Por bashkë më babanë tim, mund të ulemi të bisedojmë e të rehatohemi.
-Në cilën orë flini gjumë?
Unë gjithmonë fle vonë, pas orës 12.00
-Sa shpesh udhëtoni jashtë vendit?
Këtë kohë kam pasur shumë udhëtime. Kam shfrytëzuar momentin e ndryshmit të punës nga Minstria e Jashtme, në Ministrinë e Brendshme. Por për të shmangur çdo lloj keqkuptimi për ndonjë konflikt interesi, kam siguruar që lëvizjet të jenë të koordinuara. Unë kam udhëtime të vazhdueshme. Më datë 9 tetor duhet të jem në :Londër, do të jem për të përfaqësuar Dhomën e Tregtisë së shtetit shqiptar, kontaktet me dhomën e Tregtisë Britanike në Tiranë. Atje jam i ftuar nga Duka i Jorkut. Sapo jam kthyer nga tri vizita, javën e kaluar ku kam qenë në Bruksel, në Paris dhe në Luksemburg.
-A ju pëlqen puna jashtë Pallatit Mbretëror, në administratë? Dukeni i pasionuar me punët administrative
Jam i pasionuar, sepse kjo është një provë edhe hera e parë që më jepet një mundësi të ndihmoj popullin tim. Posti im si këshilltar i ministrit është me shumë rëndësi. Tani jemi në pikën e vizave, vazhdojmë punën për implementimin e ndryshimit të staturës së policisë. Kemi një ekip tepër të përgatitur me një ministër që i kupton problemet, që mund të sigurojë që Shqipëria të plotësojë të gjithë standardet që kërkohen…
-Kur përfaqësoheni në kanceleritë e botës, si e presin ata takimin me një djalë nga familja mbretërore shqiptare? I japin rëndësi faktit…?
Më presin si princin shqiptar. Kjo për ta ka vlerë. Sepse ka një fakt domethënës: Janë mbi 5000 princër në Itali, janë rreth 7500 princër në Arabinë Saudite; Edhe në vende të tjera, po kështu. Sepse ata kanë një sistem të ndryshëm nga sistemi ynë. Sistemi shqiptar është, që nuk trashëgohet titulli tek të gjithë anëtarët e familjes. Vetëm djali i madh është trashëgimtari. Kjo kishte një kuptim se Shqipëria në vitet 20 ka qënë një vend me popullsi 850 mijë banorë dhe se të gjithë shqiptarët do të ishin princër.
-Kjo më kujton një thënie, nuk e di sa e vërtetë, sipas së cilës, në një ansamble të mbretërve të Evropës, gjyshi juaj iu përgjigj kur e pyetën: Ne të gjithë na quajnë Madhëri, ty Naltmnadhëri. Pse ju thonë kështu?” Dhe ai që përgjigjur: “Ju nuk e dini, që çdo shqiptar është mbret dhe unë jam mbret i mbretërve”.
-Unë e kam dëgjuar pak më ndryshe. Më duket se ka qenë një nga takimet që gjyshi im ka pasur me ambasadorët dhe aty e kanë pyetur. Por është e vërtetë. Është në histori.
(Bien kambanat e Katedrales Katolike, ndërsa vijojmë intervistën me princin Leka. Familja Mbretërore i dëgjon ritmikisht këto goditje kambanoreje, sepse godina ku banon, ndodhet vetëm pak metra larg)

“Më pëlqen kjo shtëpi, ku ka lindur babi im. Por në shtëpinë tonë mungon mamaja dhe gjyshja”

-Pse pikërisht keni zgjedhur të jetoni në këtë godinë, ku ka qenë Pallati i Pionierit? Përveç kësaj, ju keni pasur edhe objekte të tjera. Eshtë dëshira juaj të jetoni këtu, apo pamundësi që të jetoni diku tjetër?
Unë jam shumë i lumtur që jetoj këtu. Janë bërë disa shkrime deformuese që ngatërrojnë popullin. Një gazetë shkruante para pak ditësh, që shteti shqiptar ka paguar për Pallatin e Mbretit. Kjo nuk është e vërtetë. Dhe është fjala për Parlamentin. Por Parlamenti asnjëherë nuk ka qenë tokë e Familjes Mbretërore. Kurse ky ku ne jemi vendosur, ka qenë Pallati i Princeshës Sanija, motrës së Mbretit Zog. Ajo e mori si dhuratë bashkë me princin turk me të cilin u martua. Ajo ka qenë shmë e lidhur me gjyshin tim. Babi im ka lindur në këtë shtëpi. Prandaj, është lidhja më e fortë me këtë shtëpi.
Njerëzit ngatërrojnë shumë konceptin dhe pasuritë e familjes mbretërore me të Mbretërisë. Përshembull, njerëzit thonë që familja mbretërore ka prona, prona, prona…por ngatërrojnë: Ka prona të Mbretërisë që janë të shtetit dhe prona private, që janë të familjes mbretërore. Janë të ndara. Ne nuk jemi familje aq e pasur. Ka të tjera Shqipëria, që janë shumë më të pasura sesa ne. Përshembull, ne nuk krahasohemi me Toptanët. Ne jemi të fundit në listë. Ne nuk jemi pronarët më të fuqishëm.
-E dini në cilin vend të shtëpisë ka lindur?
Nuk e di saktë, por në dhomën e bibliotekës. Sepse, aty ka qenë një dhomë gjumi në atë kohë. Babi ka lindur me dadon e shtëpisë, sepse ka qenë koha e pushtimit fashist dhe mamaja nuk mund të shkonte në spital, megjithëse në kohën e Mbretërisë kishte dy spitale, vetë Mbretëresha, gjyshja ime Geraldinë kishte sjellë një mjek austriak që të shërbente në Tiranë. Edhe spitali ushtarak është ngritur nga shteti i asaj kohe.
-Shtëpia ku po jetoni, e ka ruajtur stilin e saj të punimeve dhe të mobilimit të viteve 30 apo e ka ndryshuar atë frymë? A ka shumë orendi të vjetra që i ruani nga gjyshi juaj Ahmet Zogu?
Ka ndryshuar. Siç e shihni, kjo tavolinë është nga Spanja, raftet nga Shqipëria…Shumë pak kanë mbetur që nga ajo kohë. Por kemi shumë orendi të vjetra.
-Për jetën e njerëzve që janë vënë në shërbim të familjes, duke nisur që nga kopshtari, kuzhinieri, maxhordomi, portieri, mjeku, etj, janë njerëz që banojnë këtu apo jashtë pallatit? A funksionon ashtu siç e ka pasur familja mbretërore e vjetër?
Ne kemi një staf në reformim, që në 2002-shin, stafi varet nga fazat e ndryshme, nga detyrat që ka në dorë.
Por nuk është njësoj si stafi i familjes mbretërore të vjetër, se atëherë familja ka pasur detyrime shtetërore. Sot kjo familje është modernizuar.
- A ruhen kostumet tradicionale të personelit të pallatit mbretëror?
Jo akoma, por do të bëhet. Uniforma patjetër që ka, por nuk janë tradicionale. Unë kam një muze në Paris, jam në proces për rikthimin e muzeut në Shqipëri, që të gjitha objektet historike të rikthehen në Shqiëri. Në këtë këtë muze ka shumë objekte historike të kohës së bejlerëve, që duhet të shfaqen në muzeun kombëtar.
-Sa tituj librash ka në familjen tuaj ?
Kemi rreth 15 mijë tituj.
-Ruani koleksione, letërkëmbime dhe sende te vyera?
Është koleksioni i Mbretit Leka, që do tua tregojmë më pas. Unë personalisht po mbaj një koleksion paresh të vjetra nga vende të ndryshme, nga të gjitha udhëtimet e babait tim.
-Duket se kjo është edhe një shtëpi suveniresh: Ngaqë keni jetuar në vende të ndryshme dhe së dyti, si familje e vjetër që ruan orenditë tradicionale. A keni odë karakteristike?
Ka nevojë që secili ambient i shtëpisë të përfaqësojë një frymë, një kohë. Përshembull, salloni që kemi poshtë, ka një frymë afrikane. Salloni që kemi sipër, është me një frymë aziatike. Shqiptare është zyra. Por këtu në këtë shtëpi nuk ka nevojë për odë, por në Mat, ku është origjina e familjes, një ditë kismet, kur të bëhem mbarë do të ndërtoj një odë tradicionale, një muze.
-Për kuzhinën dhe shijet gastronomike, a keni një kuzhinë tradicionale, një gatim të preferuar?
Kuzhina e shtëpisë sonë është tipike shqiptare. Të preferuar kam tavën e dheut, por varet edhe nga humori im. Edhe nga ndonjë picë apo hamburger nuk do të heq dorë.
-Po lokalet që preferoni?
Në Shqipëri kemi shumë fat se kemi shumë kuzhinierë të mirë. Shkoj në lokale të ndryshme, më shpesh dreka pune. Pra, kur kam një takim pune, e shfrytëzoj këtë takim edhe për të ngrënë.

Pinjolli i familjes mbretërore
Do të bashkoj familjen e përçarë Toptani

-Cilët janë miqtë e kësaj familjeje? Sa janë ruajtur miqësitë e vjetra të familjes të para Luftës së Dytë Botërore? A keni miqësi me pinjollët e mbretërive të tjera nëpër botë? A ka familja mbretërore miq politikanë? Po me dyert e mëdha?
Ju thashë që po përpiqemi që dosjen 4000 të mbledhim të gjithë ata njerëz, miq dhe të besuar të familjes. Personalisht e gjej veten në një situatë, që mund ta quaj fat. Ne nuk kemi nevojë vote. Emri ynë është në protokoll si Familje Mbretërore, kemi çdo gjë. Kjo na lejon që të mos kemi ato konfliktet e partiakëve dhe na jep mundësi të ulemi me të gjithë faktorët majtas dhe djathtas.
-E shihni miqësinë mbi bazën e kontributeve dhe lidhjeve politike?
Jo vetëm mbi këtë. Ka miqësi politike, ka edhe familjare. Miqtë vijnë vetvetiu me kalimin e kohës. Ne mbajmë kontakte me të gjithë. (Pyet sekretaren: “Sa është lista e Krishtlindjes?”) Janë rreth 10 faqe, ne kemi 480 deri në 500 miq jashtë shtetit, ku dërgojmë urime dhe mbajmë korrespondencë të rregullt. Dhe kur vjen Viti i Ri, fillon një stres i paparë, me njerëzit që do të mbushet tavolina.
-Ndoshta është ky ndalim për tu kthyer në atdhe dhe kjo armiqësi që ju bëri të pozicionoheni djathtas. Po mes miqësive të vjetra dhe të reja, cilat ka më për zemër familja mbretërore?
Miqësia është miqësi. Historia respektohet. Miqësitë janë me të huaj, me shqiptarë. Kemi miq të Senatit Amerikan, miq tradicionalë, miqësi me Familjet Mbretërore dhe padyshim me familjet e vjetra shqiptare.
Ne jemi shumë të qartë në këtë drejtim: Familjet e mëdha shqiptare nuk janë ato të mëparshmet. Unë kam mbështetur nismën për bashkimin familjes Toptani. Unë jam nip tek kjo familje. Por janë shpërndarë, kanë pasur konflikte pronash, Ta bashkojmë njëherë këtë familje.Kështu.
Miq të mirë janë edhe të punës, miq të familjes që i respektoj, pastaj janë miq të afërt të shoqërisë që e kam krijuar gjatë kohës që kam qenë në Shqipëri. Janë nga grupe të ndryshme. Nuk ka rëndësi se nga vijnë, Rëndësi ka si shkon muhabeti.
-Miqësitë nga shoqëria juaj i keni të moshës suaj, apo nuk është mosha një kriter?
Besoj se mosha nuk ka rëndësi. Unë kam pasur të nevojshme që të kem mosha të ndryshme. Edhe të rinj, edhe në moshë të madhe. Kjo më krijon shqëtësim, se kam dëshirë të bëj një parti tek pishinat, të mbledh të gjithë miqtë, por nuk shkojnë fare bashkë. E kam pasur këtë problem.
-Do të donim të dinim, nëse funksionon ndonjë protokoll vizitash në këtë Pallat
Protokolle gjithnjë ka pasur. Janë dhe kanë ekzistuar gjithmonë.
-Keni ardhur në një moshë shumë të re këtu dhe vazhdoni të jeni ende shumë i ri. Detyrimet që keni marrë janë një barrë për këtë moshë, që i jep rëndësi argëtimit. Ju ndiheni i rritur para kohe?
I rritur? Unë kam mendimin që nuk dua të rritem asnjëherë. Nuk kam dëshirë, por kjo nuk largohet nga fakti, që kur vjen tek puna, kjo duhet pranuar si përgjegjësi.
-Princ Leka, jeni rritur me dado?
Po, me dado jam rritur.
-Keni akoma dado? Kemi parë nëpër filma princërit, për të cilët përkujdesen ende dadot tashmë të moshuara, edhe kur ata bëhen burra e gra të pjekur për tu kujdesur për veten.
(Qesh i befasuar dhe i kënaqur). Jo,jo, jo! Kam pasur kur kam qenë i vogël në Afrikë. Kujtoj foto që babai im më ka treguar, që dadoja më ka mbajtur në kurriz. Zezake e kam pasur. Kjo më ka krijuar probleme se në Afrikën e Jugut, vendësit flisnin në gjuhën e vet afrikane, edhe dadoja, mamaja në gjuhën e saj hungareze, babai dhe shqiptarët që kanë qenë më ne gjatë gjithë kohës, shqip. Dhe kështu, më kanë vështirësuar gjuhën.
-Nga të gjithë vendet ku keni jetuar, cili është ngulimi juaj më i dashur?
Përpara se të v ija në Shqipëri, kam kaluar jetën në disa vende, kam pasur jetën e studentit në Itali, tamam si jetë studenti. Në Angli ka qenë vërtet një përvojë që pasi i ke kaluar ato momente të vështira dhe rri tani në këtë karrige, kupton se ke arritur një sukses. Shokët e mi sot janë në Afganistan, janë në Irak. Ata kanë jetën e ushtarëve të tyre në dorë. Kjo nuk është pak.
-Ishte pasioni juaj kjo shkollë, Akademia Ushtarake? Ju jeni edhe romantik, edhe ushtarak njëkohësisht. A nuk bien ndesh këto tipare apo prirje?
Patjetër, ka qenë dhe është një passion imi, ia kam arritur. Ishte edhe traditë e familjes. Ndërsa më vjen keq se në Shqipëri janë krijuar shumë keqkuptime për ushtarakët. Ata shihen si diçka e rëndë. Në Angli është për elitat. Akademia Ushtarake është më shumë sesa një shkollë. Në atë akademi kanë vazhduar 6 princër të ndryshëm, nga gjashtë vende të ndryshme.
Duke u kthyer tek pyetja, se ku kam kaluar më bukur, ekperiencat janë të veçanta; Çdo vend mbahet mend për diçka. Por në Afrikën e Jugut është fëmijëria ime, ato vende të bukura me familjen time që ka qenë shumë e shëndetshme dhe ku ishim të gjithë bashkë, janë kujtime të paharruara. Kurse në Shqipëri fatkeqësisht e ndiejmë mungesën e nënës, të gjyshes dhe nuk kemi një grua tjetër ende në shtëpi.
-Po shëndeti i babait tuaj, mbretit, si është?
Mirë është, por ai duhet të forcohet akoma. Është ende në karrocë.
-A ka interes ai për atë që ndodh rreth e rrotull? I ndjek edicionet e lajmeve?
Babai im njeh çdo lëvizje, ka arkiv edhe në zyrën e vet dhe kujdeset për të gjithë infiormacionin. Ai i mban të gjitha kontaktet me figurat.

“Jam romantik dhe ushtarak. Këtu nuk ka kontradiktë”

-Megjithëse babai juaj ka qenë bebe kur është larguar nga Shqipëria, gjyshi juaj njihet për një sërë reformash shtetformuese. Kur bëni paralelizma mes asaj kohe dhe tani, a bën ndonjë konstatim babai, të llojit: “Në kohën e tim eti, kjo ishte kështu, e kishim zgjidhur kështu…”?
Kohët kanë ndryshuar. Në kohën e mbretërisë ka pasur vështirësi të tjera. Në atë kohë nuk ka pasur infrastrukturë, populli vetë nuk kishte njohurinë për konceptin e shtetit. Secila zonë kishte mentalitetin e vet, Mati, Dibra, Këlcyra etj. Ka pasur një mungesë organizimi që Mbretëria e vendosi. Prandaj, edhe sot mund të mësojmë shumë nga koha e Mbretërisë, nga ligjet e asaj kohe, nga Kushtetuta e asaj kohe, që është adoptuar në kohën e sotme, pasi ajo ka qenë një Kushtetutë tepër moderne, perëndimore…

Ky lajm është publikuar: 02/09/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›