Ylvi Pustina: 74-vjeçari që drejton Kombëtaren e shahut dhe përdor kompjuterin e Kasparovit
Autori i Lajmit: Denisa Kona
Aktiviteti mbi gjysmëshekullor i Mjeshtrit të shahut, Ylvi Pustina numëron 1000 ndeshje në mbi 50 kampionate kombëtare e turne, nga të cilat rreth 150 me mjeshtra të huaj. Ai ka dhënë mbi 40 simultane, ka botuar rreth 140 artikuj teoriko shkencorë dhe një libër për hapjet, ka punuar edhe si trajner e sekondant shahu.
Mediat e huaja kanë shkruar për të. Një nga revistat bullgare pas Turneut Olimpik të Varnës më 1960 shkruante: “Djaloshi luajti kundër të gjithëve me thikë në brez, pavarësisht nga titujt dhe përvoja e kundërshtarëve. Ai mund të luftonte edhe për vendin e parë”. Që atëhetë, mediat bullgare i veshin shahistit shqiptar, epitetin “bullgarvrasës”. Disa nga kombinacionet e tij janë përfshirë në enciklopedinë e madhe të shahut. Në vitin 1974, lëvizja 9.Kfd2! është cilësuar si një risi, zbulim. Ylvi Pustina i ka dhënë shahut botëror edhe disa kombinacione të tjera të rralla. Në Lajpcig më 1960, një variant i mbrojtjes Grunfeld është botuar si model teorik në buletinin “Shahmati v SSSR” të vitit 1961. Variante të tjera kombinative kanë qenë ato që kanë vënë poshtë disa mjeshtra si dhe me një variant të sulmit Rauzer ai ka përballuar mjeshtrin gjerman Unciker në vitin 1972. Ky është Ylvi Pustina!
-Nga e keni trashëguar dhuntinë për shahun dhe si e keni mësuar?
Vëllai i madh e luante para meje, ai ka qenë matematikan, Sabri Pustina, pedagog. Por para nesh ka qenë Irfan Pustina, kardiolog, kushëriri i babait. Kështu vazhdoi në brezni shahu në fisin e babait tek të gjithë vëllezërit. Irfani ka luajtur në kampionatin e Tiranës më 1938. Gjithë familja dhe në fis e kemi luajtur.
Unë e mësova kur isha 10 vjeç nga vëllai im më i madh dhe e luaja në lagjje.
-E luaje me fëmijë që atëherë apo me burra?
Me fëmijë e kam luajtur, me shokë të lagjes. Ishim nja 5-6 vetë që e luanim tek rruga “Arkitekt Kasemi”. Pastaj, unë shkova në Shtëpinë e Pionierit. Fllimisht u futa për teatër, pastaj, siç e kanë fëmijët zakon që kalojnë lehtësisht nga një gjë tek tjetra, kalova tek shahu dhe mora pjesë që atëherë në kampionatin kombëtar të të rinjve. Pastaj eca pa ndalim, natyrisht duke respektuar kufizimet politike, ideologjike të kohës. Megjithatë, politika nuk më ka penguar në ushtrimin e sportit.
-Sa ushtri ke mundur në shah? I përktheje figurat e shahut në figura njerëzore dhe në ushtri të vërteta të historisë botërore?
Shahu është një lojë kur ndihesh artist. Unë jam rregjisori dhe gurët janë aktorët. Por jo, nuk përfytyroja ndopnjë ushtri të ndonjë kohe dhe vendi. Shahu është lojë intelektualësh, është një sport i vështirë, ka lidhje me shkencën dhe me artin. Shahu është si një pikturë, por pikturën ke mundësi ta korrigjosh, kurse lëvizjen në shah, jo
-Cila ka qenë pika juaj më e fortë?
Mesloja. Mesloja është zemra e krijimtarisë. Kur del në meslojë do të thotë se fillimin e ke kaluar me sukses. Edhe fundi ka rëndësi, por mesloja është absolute se vendos.
-A duhet ti dish ca formula lëvizjesh në shah apo është mirë që ti zbulosh?
Patjetër që duhet ti dish. Natyrisht, zbulimi është me rëndësi, por teoria e shahut, e hapjeve dhe e mesit të lojës ka ligje të cilat janë vendosur dhe një shahist i mirë duhet ti dijë që të përshpejtojë mendimin e tij.
Edhe tek njerëzit amatorë ka diçka krijuese, sepse çdo njeri kur luan shah, vë mendjen në punë. Njeriu mendon, ka logjikën e vet dhe aplikon. Por formulat duhen. Po të hyjmë në anën profesionale si shahistë, natyrisht duhet të dish njohuritë teorike, sepse ka formula të jashtëzakonshme.
-Pse lindi loja e shahut? Apo nga nevoja për të projektuar betejat e vërteta?
Po, po. Napoleon Bonaparti ka qenë një shahist i mirë. Ai ka thënë një shprehje të madhe: “E kam më vështirë të bëj një lojë shah, se të shkoj në betejë”. Lenini e ka luajtur shahun shkëlqyeshëm.
-Ndër personalitetet botërore, cilët kanë qenë shahistë?
Shtajnici, Laceri, Ajnshtajni, Karli V i Suedisë, Napoleoni, Lenini, Karli i madh i Francës, Fidel Kastro…Vlerat më të mira për Shahun i ka dhënë Beniamin Franklin që më 1777 ka hartuar një libër se për çfarë ndikon shahu. Olimpiada më e organizuar, ne nuk kemi qenë se nuk na lanë të shkonim në atë kohë, është zhvilluar në Havana në 1966 dhe Fidel Kastro ka luajtur në tavolinën e parë simultane me ish-kampionin e botës. Ose, kryeminstri i Hungarisë pas revolucionit në 56-n, ka qenë një shahistët më të mirë. Prandaj në këto vende është zhvilluar shahu shumë, sepse kanë investuar.
-A mund të luajë shah dikush, që nuk ka aftësi matematikore?
E ka të zorshme. Duhet lidhja e faktorëve matematikorë, sepse shahu është gjeometri.
-Ju keni qenë i shkëlqyer në matematikë?
Kam qenë një nga nxënësit më të mirë të matematikës në gjimnaz, por në atë kohë studimet e larta planifikoheshin nga partia. Kërkova mjekësi, më doli veterinari. Nga 60 nxënës të gjmnazit “Qemal Stafa”, 56 vetë shkuam në Institut Bujqësor, se ashtu ishte plani i shtetit, dy shkuan në gjeologji, njërit i ra shansi në mjekësi dhe një me të meta fizike e çuan në matemartikë 2-vjeçare. Kështu u bëra mjek veteriner dhe u ndjeva shumë mirë. Kam botuar mbi 27 dispenca për shkollat e mesme veterinare. Po ashtu, për shahun.
-Vazhdoni të keni aktivitet sportiv?
Po, jam trajner i Kombëtares, luaj edhe me klubin e Tiranës
-Po për të kaluar kohën e lirë, a luani?
Jo, nuk kam nevojë. Unë kam studion time në shtëpi, studioj, jam duke përgatitur një libër që do ta botoj pas një muaji. Ia kushtoj familjes sime dhe shahistëve. Titullohet: “Parada e kampionëve të kombinacionit”. Në këtë libër unë po përmbledh lojërat më të bukura të zhvilluara deri tani që nga fillimi i shahut nga shahistët më të mirë të botës.
-Keni përzgjedhur kombinimet?
Po, por edhe lojërat më të bukura që janë estetika e shahut.
-Aftësia për të zgjidhur situatat në shah lidhet me faktorë të tjerë? Me qetësinë shpirtërore, qetësinë e gjumit, me ngarkesat emocionale, fizike etj?
Ka një gjë: Shahu është një sport shumë i vështirë dhe njeriu duhet të jetë shumë i qetë. Dhe them një fakt nga kujtimet e mia. Më 1965 kam dalë kampion i Shqipërisë dhe kur nisesha nga shtëpia, gjëja e parë që bëja para ndeshjes, vija muzikën e Shtrausit. Shtrausi është muzikë e vështirë, të vë në lëvizje shpejt, por është edhe një muzikë shumë inteligjente. Ka një kombinacion të jashtëzakonshëm tingujsh.
-Saktësia apo shpejtësia e lëvizjes është më e rëndësishme në shah?
Edhe shpejtësia. Njeriu inteligjent i zgjidh problemet shpejt, nuk mendohet gjatë. Por ka raste që njerëzit vonohen në kalkulim, për shkak të kujdesit të madh që bëjnë. Mund ta zgjidhë dikush problemin mirë dhe shpejt, por tregohet i kujdesshëm, sepse do të sigurohet a e kam të saktë dhe e kontrollon veten disa herë.
-Shahu dhe futbolli, kanë lidhje?
Kanë lidhje me inteligjencën. Një trajner futbolli duhet ta njohë shahun mirë. Mbaj mend që i madhi Zihni Gjinali, kur stërviste ekipin e Dinamos, i paraqiste fushën e shahut lojtarëve dhe u tregonte se si bëhet sulmi dhe mbrojtja. Unë kam qenë prezent.
-A jep shahu lodhje mendore dhe a ka të bëjë cilësia e ushqimit në rendimentin e punës së trurit?
Shahu është sport i mendjes. Absolut që jep lodhje. Shahistët duhet të përdorin shumë ushqime që kanë përmbajtje fosfori, si përshembull, peshk, vitaminë C, limona, portokalle. Nuk duhet të përdorin shumë sheqerna dhe duhet të pinë sa më shumë ujë.
-Gjatë lojës së shahut a ndihmon muzika apo duhet qetësi?
Duhet qetësi, bile edhe salla nuk duhet të jetë as me portrete, as me vizatime, as me ngjyra. Salla duhet të jetë njëngjyrëshe, mundësisht gri, ngjyrë që nuk tërheq vëmendjen.
-Luan mendja juaj në ëndërr shah?
Tani jo, por më përpara më ka ndodhur shumë herë. Unë ëndërroja ndonjë kombinacion dhe sot e kësaj dite jam në gjendje të riprodhoj shumë e shumë ndeshje të kampionëve të botës. Kjo do të thotë që për shahistin është shumë e rëndësishme të mbaj mend lëvizjet, pra të ketë një kujtesë të fortë. Duhet të mbaj mend rrugën logjike të një varianti.
-Kjo kërkon edhe kujtesë vizuale, mendoj unë
Patjetër. Kujtesa mekanike ka rëndësi në shah. Por deri sa ka arritur tek kujtesa mekanike, domethënë se e ka kaluar periudhën e logjikës.
-E përmirëson koeficientin e inteligjencës të ushtruarit në shah?
Po, patjetër e rrit. Bile, shahistët e mëdhenj të botës si Spaski etj. e kanë pasur koeficientin e inteligjencës 287. Shahistët janë ndër njerëzit më të mençur në botë. Po ju them edhe diçka tjetër. Kompjuterët kanë filluar që në vitin 1938 dhe Bodviniku, ish-kampion i botës nga BS, që ishte inxhinier elektrik, ka punuar për herë të parë me kompjuterat. Ai i ka caktuar parametrat kryesorë bashkë me një amerikan. Kanë qenë shahistët që i kanë prodhuar kompjuterat, pastaj u hapën më pas në 1946-n. Programin e parë kompjuterik të e ka bërë Kasparovi.
-Shahistët, këtë koeficient të lartë inteligjence, sa e pasqyrojnë në jetën e përditshme? A janë ata inteligjentë në marrëdhëniet njerëzore? Dhe a bëjnë ata zgjedhjet më të drejta në jetë?
Po, janë. Kasparovi përshembull, kampion bote është rivali kryesor i Putinit në Rusi. Në përgjithësi, shahistët bëjnë zgjedhje të drejta në jetë.
-Po ju, a i keni bërë zgjedhjet më të drejta në jetë?
Ka ndodhur që edhe nuk i kam bërë. Se shahistët kanë edhe një gjë tjetër: Kanë një natyrë të veçantë. Unë vura kandidaturën për deputet në 91-91 nga republikanët, dola pak i zhgënjyer dhe hoqa dorë nga aktiviteti politik i përditshëm. Por për zgjedhjet madhorë në jetë nuk jam penduar.
-Është e vështirë të jetosh me një shahist?
Është e vështirë, por ime shoqe e ka pranuar këtë. Unë çohem në 12 të natës për të studiuar. Ose shkoj 15 ditë në garë me orë të tëra. Mungoj në shtëpi. Punët e shtëpisë nuk janë vetëm të gruas, janë edhe të burrit. Mirëpo, duke u marrë me shah, e ngarkova më shumë sesa duhet time shoqe. Por edhe ajo i ka përballuar.
-Shahistët e niveleve e kanë parë botën edhe para 90-s. Në njëfarë mënyre, bota nuk ka qenë kaq e vogël për ata. Si e keni shfrytëzuar këtë liri? A ju ka tunduar?
Shiko, unë nuk e di se ku e keni qëllimin e pyetjes, por do tregoj një gjë të thjeshtë: Më 1960 kam qenë në Olimpiadën Botërore në Lajpcig. Ishin portat e hapura. Sot më thotë dikush: “Si nuk u arratisët ju Ulvi?” Ishte rruga e lirë. Shkoje ku të dojë në Gjermani Perëndimore. Por, realisht, po të bëja një veprim të tillë, do të merrja më qafë qindra njerëz të tjerë në Shqipëri. Nuk kam qenë asnjëherë i tunduar për tu arratisur, sepse kam menduar gjithnjë që kam familje, farefis, kam shokë. Është një aventurë. Një njeri aventurier i bën këto punë, por një njeri që arsyeton si një shahist, nuk e bën këtë hap.
-Sa lëvizje arrin të parashikojë truri i një shahisti? Deri ku shkon perspektiva e gurëve të tij dhe e gurëve të kundërshtarit?
Shahisti llogarit 10, 20 lëvizje paraprake.
-Pra, ju llogarisni pasojat e largëta të një veprimi…
Po, por ka edhe disa gjëra se shahu ka edhe disa ligjësi si lufta në krah të kndërt, zënia e qendrës, kur bëhet lufta me rokadën e vogël dhe me rokadën e madhe. Ndërsa disa ligje të cilat shahisti i ka me intuitën e vet, nuk mund ti bëjë as kompjuteri.
-Ashtu si në fushën e shahut, a jeni në gjendje të llogarisni ju, shahistët, të gjitha lëvizjet, pra shkak-pasojat e një veprimi apo mosveprimit në jetën njerëzore?
E vështirë është. Nuk ka mundësi. Jeta është e paparashikueshme. Në fushën e shahut unë jam rregjisori dhe drejtoj gurët, kurse në jetë është e paparashikueshme të dish se si do të reagojë një person. Pak e mendonin se Ilir Meta mund të bashkohej me PD-në. Unë isha në fakt njëri prej atyre sepse besoja që është një lëvijze poltike e mundshme, që prodhohet në një situatë tëe caktuar.
-Në shah gra të dëgjuara janë më pak se burra. Kush është më inteligjente, gruaja apo burri?
Gruaja, them unë. Polgari, hungarezja, është një nga katër më të mëdhenjtë e botës. Nuk dua të bëj kompliemente të kota, por gratë në praktikë janë më inteligjente se burrat. I kapin gjërat më thjeshtë dhe i zgjidhin më mirë. Ato janë më pragmatiste.
-Ndër momentet me emocionuese të jetës suaj shahistike, kë do të na kujtonit?
Janë shumë. Por kujtoj se më janar të 1960-s, në Bukuresht kam bërë një lojë shumë të bukur me bullgarin Bogdanov dhe kur kam bërë kombinacionin, është çuar salla e tërë me 1200 vetë dhe ka duartrokitur. Në vitin 1972, në gazetën e Jugosllavisë është botuar një lojë e imja me mjeshtrin australian Braun, me titull: “Edhe Shqopëria në mesin e fuqive” dhe i dedikohej lojës sime. Kam përfaqësuar dy herë, më 1999 zonën 1/5 të Federatës Botërore të Shahut në Kampionatin Botëror të Sinjorëve. Në Gdmunden të Austrisë më 2007 isha përfaqësues i zonës 1-5 A. Dhe të përfaqësosh këtë zonë, do të thotë të përfaqësosh në Botëror 9 shtete bashkë.
-ELO, koeficienti i klasifikimit, sa i rëndësishëm është për një shahist dhe sa e keni ju?
Unë e kam aktualisht 2289 dhe me këtë renditen i 3000-ti në botë. Sepse ky koeficient llogaritet mbi disa gjëra, edhe mbi numrin e pjesëmarrjeve ne gara. Por kjo nuk ka rëndësi fare. Koeficientin mund ta kesh të lartë dhe je i fundit në kampionat botëror, ose e ke të ulët dhe del kampion. Koeficienti është vetëm njëri nga treguesit. E rëndësishme është vendi që zë në gara. Përshembull, disa nga mundësit që dalin të parët në Evropë, nuk kanë ndonjë koeficient. Ky është më shumë një tregues, që e përdor federata për qëllimet e saj.
-Inteligjenca jonë si populli, si është krahasuar me pupuj të tjerë?
Është një arsye që shahu është zhvilluar shumë në Ballkan”- ish-Jugosllavi, Bullgari, Hungari, Shqipëri, Greqi. Këta janë pupuj me koeficient të lartë inteligjence edhe për arsye të klimës dhe pozicionit gjeografik. Shahun më të zhvilluar e ka pasur Rusia, Hungaria, Gjermania, vende të ftohta. Kurse Afrika dhe vende të tjera e kanë zhvilluar shumë vonë dhe janë shumë prapa nesh. Ne jemi padyshim popull inteligjent.
-Të ka ndeshur të luash me lojtarë hebrenj? Janë ata më inteligjentë si popull nisur nga çfarë tregon shahu?
Unë kam mundur kampionin e Izraelit më 1960, por ka një fakt: Shahistët më të mirë të botës janë nga Izraeli me origjinë, edhe pse të shpërndarë dhe përfaqësojnë vende të ndryshme të botës. Por megjithatë, ky është fakt. Kjo nuk do të thotë se ne jemi prapa tyre. Por ata janë dominues në shah dhe në shkencë. Ajshtajni ishte me origjinë hebre. Por edhe ish-kampioni i botës, mik i ngushtë i Ajnshtajnit ishte me origjinë izraelite
-Si e instruktoni ekipin kombëtar, në grup apo veç e veç?
Ekipi kombëtar i nënshtrohet programit të stërvitjes që përfshin tema, të cilat trajtohen në mënyrë të përbashkët për të gjithë ekipin. Pastaj ka sipas stilit, individualitetit të çdo shahisti, programe specifike. Ai është sekreti në doni të dini. Të arrish tek ndërtimi i një programi sa më specifik për një shahist. Unë, përpara se të shkonim në kampionat botëror në Drezden, disa muaj më parë, në nëntor, kam bërë një program për të gjithë ekipin dhe për secilin prej tyre. Kam patur tematikë të veçantë stërvitjeje në mënyrë të programuar.
-Studimet flasin për rënie të aftësive mendore, sidomos të aftësisë që lidhet me zgjidhjen e shpejtë të prolemeve, të aftësisë përshtatëse dhe reaguese tek të moshuarit. Po tek shahistët, si ndodh? A bie aftësia e të reaguarit shpejt në kohë? Është aftësia juaj po e njëjta me të 40 vjetëve më parë?
Natyrisht që rënie ka edhe tek shahistët, sepse ligjin e natyrës nuk mund ta mposhtësh. Si lojtar nuk mund të jem ai që kam qenë. Aftësia bie, sepse shahu kërkon përqendrim shumë të madh mendor. Por qaftësia për të menduar nuk bie ashtu siç mendohet, por ka edhe përfitime. Sepse unë tani kujtoj shumë gjëra të tjera, i konsolidoj më mirë se dikur, i lidh më mirë se dikur. Tek të moshuarit, proceset ngadalësohen, por rritet aftësia përgjithësuese. Kam më të mirë tani sesa i ri, aftësinë e lidhjes së fenomeneve dhe të përgjithësimit edh jashtë shahut.
-A ju duket inteligjente politika shqiptare?
Ato që janë këtu e 20 vjet nuk i vlerësoj shumë, por Shqipëria ka politikanë të rinj inteligjentë. Në politikë kemi njerëz të zgjuar. Por unë do të sugjeroja që në krye të shtetit të ishte nje shahist. Duhet ta gjejmë dhe ta vendosim.
-Me gruan ke luajtur shah?
Ime shoqe di vetëm të lëvizë gurët.
-Po në zgjidhjen e ushtrimeve të matematikës, kush është më i mirë?
Ajo. Sepse ajo është mësuese matematike. Ka dhënë mësim tek “Skënder Çaçi” dhe tek “Shkolla e Kuqe”. Dhe interesante është se gjysma e politikanëve që janë në krye të shtetit, ajo i ka patur nxënës.
-Cilët kanë qenë dhe si kanë qenë?
Të shkëlqyer. Ajo mban mend mirë Kastriot Islamin, Lulëzim Bashën, Luan Hajdaragën, Gjergj Bojaxhiun etj. Ishin absolutë.
-Kur i ka pasur ekipi ynë kombëtar rezultatet më të mira: para apo pas 90-s?
Para 90-s, me gjithë përjashtimet dhe pengesat politike. Por organizimi atëherë ka qenë i përsosur; me programe, me gara. Sepse shteti i asaj kohe kishte tendencë që të zhvillonte njëfarë idealizimi në popull dhe këtë e gjente më së miri në sport dhe art. Në ekonomi ishim shumë prapa, por ama shteti komunist donte të shfaqej në sport, të dilte në pah, të ballafaqohej. Ne kishim shahistë të mirë, sportistë të mirë, aktorë të mirë etj. Kjo ishte politika e shtetit në atë kohë.
-Pse kanë ikur emrat nga pjesëmarrja në aktivitetet shahistike?
Sepse nuk paguhen. Shahistët tanë janë emigrantë, luajnë për Shqipërinë individualisht në aktivitete ndërkombëtare, por të paorganizuar, pa programe të detajuara. Shqipëria nuk përfaqësohet si duhet
-Ju keni shtruar çështjen e investimit në shah. Them se e quajnë lodër, kjo është e fundit që mendohet…
Jo, lodër nuk është shahu. Shahu zhvillon inteligjencën e një populli., Zhvillon gjakftohtësinë. Po ju them vetëm një fakt: Në Neë York ka institute të ngritura posaçërisht, ku janë përfshirë 30 mijë studentë për të studiuar shahun me program. Dhe këta nuk do të bëhen shahistë, do të punojnë në fusha të tjera, por nëpërmjet shahut synohet të zhdërvjelltësohet dhe rritet kapaciteti intelektual. Në Philadelphia dhe në disa shtete të tjera të Amerikës shahu është futur në programe mësimore. Që nga vitit 1973, në ish-Bashkimin Sovjetik dita e shtunë ishte dita e shahut- dy orë mësim shah në të gjitha shkollat 8-vjeçare. Në Moskë në 1956-n u hap fakulteti i shahut për të përgatitur mjeshtra të mëdhenj, instruktorë, mësues, pedagogë, që do të zhvillonin shahun nëpër shkolla.
-Pushimet i bëjnë mirë apo dëm trurit të shahistëve?
Këshillohen, por një shahist i mirë dhe në pushim merret me shah. Pushimi duhet të jetë fizik. Vetëm nëse shahisti është profesionist, ai duhet të pushojë fare për disa ditë.
-A ka mundësi një njeri që merret me punë tjetër, të arrijë të kapë nivelet e shahistit profesionist që nuk merret me asnjë punë tjetër? A i jepen njësoj shanset për sukses? Pra, ajo puna tjetër, e zhvillon apo e pengon aftësinë shahistike?
E zhvillon më mirë inteligjencën e tij, sepse e lidh edhe me probleme të tjera të jetës. Madje unë mendoj se më e mira është, që shahisti të mos e ketë shahun si profesion, por të ketë një punë tjetër, pa u sforcuar, me kohë të reduktuar dhe kështu truri i tij është më atraktiv.
-Në cilën moshë është në kulmin e tij truri i shahistit?
25 deri në 40 vjeç. Ai me kalimin e viteve grumbullon përvojë, di më shumë, por nga ana sportive nuk i reziston dot si më parë garës. Eshtë e vështirë të luash në një turne. Mosha më e rritur lodhet më shpejt, kur është fjala për tu klasifikuar në nivele sa më të larta.
-Gjendja fizike, muskulore a ndikon në punën e trurit?
Pa diskutim. Një shahist i mirë duhet të bëjë patjetër përgatitje fizike. Nuk është nevoja me qenë i shëndoshë. Duhet të ketë shëndet të mirë. Më mirë është të jete elegant, sportiv. Unë mbaj mend një rast që më 1979 morëm pjesë në Kampionatin Ballkanik dhe unë isha trajner i ekipit kombëtar. Mbaj mend se në program stërvitjeje kisha fizkulturën. Vrap në 6.30 të mëngjesit. I nxirrja sportistët tek kodrat e liqenit. Pastaj, pas ngrënies së mëngjesit fillonte stërvitja e shahut.
-Emocionet e dashurisë si ndikojnë në përqëndrimin e sportistit? Ndikojnë si ilaç qetësues apo si ilaç turbullues?
Dashuria është qetësues dhe relaksues dhe ndikon shumë rezultatin e shahistit. Një dashuri e sinqertë është një pikë e fortë. Ndërsa nëse sportisti ka konflikte, ai e ka të humbur garën që pa hyrë në të, e ka humbur që në rrugë. Të hysh në ndeshje duke u ndarë me njeriun tënd të afrët në mënyrë njerëzore, është një gjë shumë e madhe.
-Besimi a është një ndjenjë mbështetëse për suksesin?
Unë nuk kam bërë rituale, por Zotit i besoj. Them se edhe kjo e ndihmon inteligjencën.
-Luten shahistët para ndeshjes?
Nuk di a luten, por ka shahistë supersticiozë dhe unë i kam parë. Përshembull, njëri për të shkruar lëvizjen, merrte një kalem të vogël sepse besonte se pa të humbiste ndeshjen. Unë vetë nuk shkoja në ndeshje asnjëherë pa kollare. Këtë e kisha. Por në përgjithësi, shahistët nuk janë shumë të dhënë pas këtyre gjërave, zbatojnë rregullat e lojës.
-Nga aktivitetet në vend, si organizator i simultaneve, çfarë do të donit të na kujtonit?
Ftesën për simultane në Sheshin Skënderbej më 97-n, ku kisha ftuar Berishën, Nanon, Islamin…të gjithë politikanët. Por nuk erdhën sepse policia nuk mori përsipër të garantonte qetësinë. Unë desha që ti bashkoja ata në një ndeshje sportive një ditë para zgjedhjeve. Erdhi vetëm Brojka me dy nënkryetarët e bashkisë.
Si u dëmtua shahu shqiptar nga ideologjia e izolimit.
Shqipëria Socialiste ishte e fortë në shah. Ishte në pjacën e vendeve që luanin “rëndshëm” në arenën ndërkombëtare. Vendi i vogël kishte mjeshtra që sfidonin kampionë botërorë ose barazonin me më të mëdhenjtë e fushës bardhezi. Shteti interesohej për imazhin e tij, e donte këtë lloj sfide, por nga ana tjetër, kapriçiot ideologjike nuk llogarisnin asgjë përpara vetes. Shqipëria kishte treguar shumë herë, sikurse edhe në sporte të tjera, se “nuk i kishte problem” pikët e humbura në evenimente madhore. Mjeshtri i madh i shahut, trajneri aktual i Kombëtares, Ylvi Pustina, tregon se ne në mënyrë të përsëritur kemi shmangur takimet e rëdësishme dhe se po të mos ishte kjo lloj tërheqjeje absurde në takime, Shqipëria do të ishte klasifikuar akoma më lart në botën shahistike. Edhe sot kujton me keqardhje rastin kur i është dashur të gënjejë disa herë, për të gjetur pretekste pse Kombëtarja Shqiptare nuk do të luante. “E kishim porosi që të mos luanim me Afrikën e Jugut. Ne nuk mund të luanim as me Izraelin, as me BS-në as me Amerikën, as me Zambian dhe Zairen. Unë isha kapiten ekipi në Olimpiadën e vitit 1970 në Ziegen. Erdhën gjermanët na sollën mikrobusin për të qenë korrekt, që të mos vonoheshim në ndeshje, por unë u thashë, që “fatkeqësisht ekipi është duke fjetur”. Shqipëria e humbi lojën 0-4 me këtë mosparaqitje por fati i luante letrat gjithnjë kundër saj. Ekipi u kualifikua dhe në fazën tjetër i ra sërish si për ironi të fatit, të ndeshej me afrikano-jugorët. Edhe kësaj radhe, ideologjia e shtetit komunist e pengoi ekipin të realizonte takimin. Pikët e humbura në këtë kampionat e ulën Shqipërinë 10 vende në klasifikim, sepse përsëri ekipin “e kishte zënë gjumi”. Mjeshtri kujton se kjo “lojë pa kripë” kishte ndodhur edhe herë të tjera. Në Olimipiadën e Shkupit më 1972 Shqipëria refuzoi të luajë me Izraelin. Pas kësaj nuk kishte më falje. “Më në fund, më 1972 na përzunë fare,- tregon Ylvi Pustina,- pasi e kishim bërë rrugë të gjenim ndonjë sebep, edhe pse qëndrimi politik i Tiranës zyrtare lexohej fare qartë.” Kështu, rezultatet e Shqipërisë me gjithë këto ndalime politike dhe përjashtime, nuk lejuan që ajo të tregojë fuqinë e vërtetë. Sidoqoftë, edhe aq e kishte treguar veten.
Titujt dhe fitoret
9 herë kampion kombëtar
12 herë fitues i turneve të shahistëve më të mirë në vend, nga 20 gjithsej
Pjesëmarrës në 50 kampionate kombëtare me numrin më të madh të ndeshjeve
Kampion i parë kombëtar për të rinj në 1951
Kampion kombëtar në moshën 17 vjeç
Mjeshtër sporti që nga vitit 1955, në moshën 20-vjeçare
Mjeshtër i merituar për merita të shquara në zhvillimin e shahut, që nga viti 1971
Përfaqësues i Shqipërisë në 6 Olimpiada Botërore
Në katër prej turneve ka luajtur në tavolinën e parë
Ka zhvilluar 120 ndeshe ndërkombëtare
Ka drejtuar mbi 30 gara ndërkombëtare
Aautor i librave “Shahistët në arenën ndërkombëtare”, “Teoria moderne e hapjes” dhe botues i revistës “Bota e shahut”
Fitues i turneut ndërkombëtar të Bucit, zhvilluar në Jash të Rumanisë 1973
Përdor kompjuterin e shahut deepblue, programin e Kasparovit
Gjyqtar që në moshën 20 vjeç, nga viti 1955
Trajner i ekipit kombëtar për herë të parë më 1979 dhe aktualisht
Mban titullin: “Nderi i sportit shqiptar”
Dekoruar nga presidentët e Shqipërisë, Haxhi Lleshi dhe Sali Berisha me medaljen “Naim Frashëri” Klasi I dhe Klasi II
Fitues i çmimit të gazetës “Truth” (Puna) në turneun e Bullgarisë (Varna)
Zv/ president i Federatës Shqiptare të Shahut
(Mbështetur në skedën e “Sport Ekspres”)
Pensioni suplementar i Mjeshtrit “i refuzuar” prej 12 vjetësh
Sot Ylvi Pustina është 74- vjeçar dhe mban funksionin e trajnerit të Kombëtares së Shahut. Por kjo nuk është një punë e mirëfilltë dhe nuk ka trajtim me pagë, përveç shpërblimeve në rastet e grumbullimit të ekipit. Si Mjeshtër Sporti dhe për kontributin e madh që ka dhënë në shah i takonte shpërblimi suplementar që disa mjeshtra të tjerë të sportit e kanë fituar. Mirëpo ja që si kudo, edhe këtu kanë funksionuar lidhjet dhe simpatitë politike. Sportistët medalistë sikurse intelektualët- profesorë e mjeshtra kërkimesh trajtohen me standarde të dyfishta: disa si të nënës dhe disa si të njerkës. Dhënia e pensioneve të posaçme është kthyer në një “dhuratë” fakultative që qeveritë i kanë dhënë vetëm sipas preferencave. Ministria e Kulturës e ka propozuar që më 1997-n pensionin suplementar për Pustinën, por qeveria me komisionet e saj nuk e ka miratuar. “Nuk dua që të mos e merrnin të tjerët dhe ta marr unë, por ka që janë shumë prapa meje dhe e marrin këtë pension”, thotë ai i lënduar.
FAMILJA e shahistëve dhe matematicienëve
Në familjen dhe fisin e tyre shahu është mbret. Përveç Ylvi Pustinës e luajnë mirë edhe të dy fëmijët e tij, Adriani dhe Etleva. Vëllezërit e kanë luajtur po ashtu, nipat dhe mbesat. Por ku mund të luhej shahu më mirë sesa në një familje matematicienësh? Gruaja e tij, Liri Pustina, është mësuese e merituar, ka dhënë matematikë. Djali, Adriani, ka mbaruar për matematikë dhe Etleva, vajza, për fizikë. “Ne jemi familje e Shkencave të Natyrës”, thotë Mjeshtri Pustina. “Shahu ka lidhje të ndërsjella me matematikën dhe disiplinat e saj, me kibernetikën, pedagogjinë, psikologjinë. Përdoret edhe si mjet testimi për kërkime shkencore tek fëmijët e të rinjtë.”, thotë ai.
Intriga “politike”
Përjashtimi i të birit nga Kombëtarja e shahut
“Kam pasur një vëlla, ish-partizan i brigadës së 23-të sulmuese, pjesëtar në Kongresin e Parë të Partisë. Në moshën 20 vjeçare u akuzua për tentativë arratisjeje dhe u dënua me 2 vjet burg. Por ne si familje ose unë personalisht nuk pata pasoja nga kjo. Dhe në vend se ti kisha unë pasojat, i pati djali im, -tregon Mjeshtri Pustina.- Por kjo ishte në fakt, një intrigë dhe motivi politik u përdor si pretekst për ta hequr tim bir nga Kombëtarja dhe për ta zëvendësuar me një tjetër. Sepse po të ishte pasojë e mirëfilltë politike, i pari i ndëshkuar duhe të kisha qenë unë. Ndërkohë që unë shkoja jashtë shtetit në aktivitete ndërkombëtare normalisht.
Ky lajm është publikuar: 06/09/2009