Shuhet Sabri Godo, “babai” i Kushtetutës
Shkrimtari dhe politikani Sabri Godo u nda dje nga jeta në moshën 82-vjeçare, pas shumë vitesh mjaft aktivë, duke lënë gjurmë në historinë e Shqipërisë, për të cilën luftoi që 14 vjeç si partizan dhe antifashist
Tri ditë më parë u ka kërkuar autoriteteve të sanatoriumit ta lejonin të kurohej në shtëpi. I kthjellët, thonë mjekët, deri në çastet e fundit, plaku i urtë Sabri Godo duket se kishte vendosur të mos i mbyllte në një krevat spitali orët që i kishin mbetur. Një njeri që ka përshkruar më shumë se njëherë fundin e njerëzve të mëdhenj të këtij vendi, nuk ka qenë në dilemë të zgjidhte për veten e tij. Në shtrat pranë familjes, pa erën e rëndë dhe atmosferën e ftohtë të spitalit dhe sigurisht i vetëdijshëm dhe duket pa asnjë frikë për atë që e priste, ndoshta këtë frikën nga vdekja ia kishte hequr vetes që kur doli partizan vetëm 14 vjeç, më 1943-shin.
“Një korife, një politikan i urtë dhe i mprehtë, një mendje e ndritur, një kundërshtar i denjë”, është gjithë sa lexohet përmes radhëve me njoftime ngushëllimi që politikanë dhe grupe të ndryshme shkruan menjëherë pas vdekjes, pa asnjë lloj hezitimi. Hezitim që ishte parë te palët në rastin e dy vdekjeve të mëhershme të figurave po kaq të njohura. Sabri Godo u nda nga jeta, që kishte filluar më 29 gusht 1929, dje në mesditë, duke i lënë shqiptarëve dhe historisë së këtij vendi gjurmë, dëshmi dhe shenja që zor se mund të fshihen.
Jetëshkrimi
82 vjeç, plaku i urtë është shkrues i Kushtetutës së 1998-s, themelues i Partisë Republikane, një nga mendjet më të ftohta dhe më me ndikim në politikën shqiptare dhe njëkohësisht shkrimtar i disa romaneve historikë mjaft të vlerësuar e gurë themeli të letërsisë historike shqiptare. Ai u lind në Delvinë më 8 gusht 1929. Shkollën fillore e kreu në qytezën e lindjes, dhe më pas të mesmen e vazhdoi në Tiranë. Ndërpreu studimet përgjysmë në vitin e tretë, pasi mori pjesë në luftën antifashiste nga 15 korriku i vitit 1943 deri në maj 1945, kur u kthye nga ish-Jugosllavia. Prej kësaj kohe ai u kthye në një njeri të letrave. I përjashtuar nga Partia Komuniste, pas martesës me një vajzë nga një derë e madhe si Vrionët, por njëkohësisht armike me regjimin, Godo i shpëtoi një fati më të keq falë romanit për Ali Pashë Tepelenën, që mesa duket i kishte pëlqyer diktatorit Hoxha. Siç tregon vetë në një intervistë autobiografike: “Them se, po të mos kisha botuar në fillim ‘Ali Pashën’, që u pëlqye dhe u përkrah nga vetë Enver Hoxha dhe më pas ‘Skënderbeun’, atëherë them se mund të kisha përfunduar edhe më keq”.
Letërsia
Letërsinë në fakt ai e filloi më herët me romane, si “Plaku i Butkës” në vitin 1966, “Zëra nga burime të nxehta”, libër me tregime, por kulmin e arriti me romanin historik “Ali Pashë Tepelena” i botuar fillimisht në 1970 dhe më pas romanin historik “Skënderbeu” më ’75. Këto ishin dy kryeveprat që shënuan jetën tij dhe i dhanë peshën, por edhe përcaktuan konturet e asaj që do të ishte më vonë Godo në politikë dhe qëndrimet e tij në publik. Një politikan që duket se u ndikua shumë nga personazhet e mëdha historike për të cilat shkroi, duke mësuar prej tyre. Në letërsi sidoqoftë ai shkoi me tej, duke shkruar “Prova e Zjarrit” 1977, “Ujërat e Qeta” 1988, “Koha e Njeriut” 1990, ndërsa ripunoi “Ali Pashë Tepelena” dhe “Skënderbeun”, së fundmi në vitin 2009 botoi romanin me titull “Udhëtari”.
Politika
I vendosur prej ‘91-it në politikë, Sabri Godo themeloi Partinë Republikane të Shqipërisë dhe ishte kryetar i saj për shtatë vjet dhe mbrojtësi i parë i të drejtës së pronës, një nga themelet e partisë së tij. Ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura, ku ka ushtruar detyrën e kryetarit të komisionit të Çështjeve Sociale dhe të atij të Politikës së Jashtme. Sabri Godo ka qenë një nga hartuesit kryesorë të Kushtetutës së 1998-s dhe ka dominuar në spektrin e politikës shqiptare si politikan i urtë dhe i mençur. Ishte një nga të paktët njerëz mendimi i të cilit kërkohej për të sheshuar një sherr. Një farë gjyqtari i urtë, që sidoqoftë nuk e mohoi kurrë krahun të cilit i përkiste.
Ditët e fundit
Prej 5 muajsh i ndjeri vuante nga një sëmundje e rëndë në mushkëri dhe ndodhej prej disa ditësh nën kujdesin intensiv shëndetësor të mjekëve në Sanatoriumin e Tiranës. Edhe pas ndërhyrjes së mjekëve, megjithëse shëndeti i tij u stabilizua përkohësisht, gjendja e tij mbeti e rëndë. Sipas mjekëve, Godo vuante nga likidi pleural (ujë në mushkëri), një sëmundje kjo nga e cila ai ka pasur probleme në mënyrë kronike. Pas trajtimit të bërë nga mjekët e Sanatoriumit, gjendja e tij shëndetësore u paraqit për një farë kohe e mirë dhe jashtë rrezikut për jetën, por duket se situata nuk ka qenë e qëndrueshme. Mjekë të spitalit i thanë gazetës se i ndjeri kishte kërkuar të largohej nga spitali për në shtëpi, duke lënë të kuptohet se ai e dinte që ndodhej në momentet e fundit dhe kërkonte për veten një fund të denjë. Mjekët që e kanë vizituar thanë se ai vazhdoi gjatë gjithë kohës të ishte i kthjellët. V.Karaj
Berisha: Një humbje e madhe për politikën dhe letrat
Kryeministri Berisha u dërgoi dje një mesazh ngushëllimi familjarëve të të ndjerit Sabri Godo dhe Partisë Republikane të Shqipërisë. “Ndarja nga jeta e njeriut tuaj më të dashur, politikanit të urtë dhe të mençur, themeluesit të Partisë Republikane në Shqipëri, shkrimtarit të shquar dhe mikut tim, Sabri Godo, është një humbje e madhe për ju, politikën dhe letrat e Shqipërisë”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit të Kryeministrit. “Sabri Godo ishte një nga personalitetet e shquara të mendimit politik dhe letrave të vendit, i cili dha një ndihmesë të çmuar në zhvillimet politike të njëzet viteve të fundit në Shqipëri, në fushën e ligjeve të vendit, dialogut dhe mirëkuptimit midis shqiptarëve. Me mjeshtërinë e Tij të madhe, talentin e rrallë, Ai ishte kolosi i romanit historik në letrat shqipe, të cilat i pasuroi me vepra të pavdekshme”,- vijon mesazhi i ngushëllimit të Kryeministrisë. “Me ndarjen nga jeta të Sabri Godos politika shqiptare humbi një nga më të urtit e saj, bota e mendimit intelektual shqiptar humbi njërën prej mendjeve më të ndritura të saj, letrat shqipe korifeun e romanit historik të tyre”,- përfundon mesazhi i ngushëllimit të kreut të qeverisë.
Topi: Politikan atdhetar, me gjurmë të pashlyeshme
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shprehu dje ngushëllimet familjes së shkrimtarit të shquar dhe Presidentit të Nderit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Republikane, Sabri Godo. “Në këto çaste të vështira dhe plot dhimbje për ju, më lejoni që në emër të shtetit shqiptar dhe timin personal, t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta!”, shkruan Topi në mesazhin e ngushëllimit. “Sabri Godo ishte jo vetëm një shkrimtar i madh me portretizimet e spikatura të figurave historike kombëtare, por edhe mishërimi i një politikani atdhetar e të moderuar, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën politike pluraliste të dy dekadave të fundit si dhe në hartimin e Kushtetutës, dokumentit themeltar të Shqipërisë moderne e demokratike”, ka vlerësuar Presidenti në mesazhin e tij Godon. Ai ka theksuar se ‘ndarja nga jeta e Sabri Godos është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për ju si dhe për ish-kolegët politikanë e deputetë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin nga afër e të bashkëpunojnë me të.”
Topalli, ngushëllon familjen në emër të Kuvendit
Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, shpreh ngushëllimet e saj për ndarjen nga jeta të ish-deputetit Sabri Godo. “Zoti Godo ka qenë deputet i Kuvendit në dy legjislatura; në detyrën e kryetarit të komisionit të Punës, Çështjeve sociale dhe Shëndetësisë gjatë vitit 1996-1997 dhe në detyrën e kryetarit të komisionit për Politikën e Jashtme gjatë viteve 1997-2001. Zoti Godo për disa vite ishte Kryetar i Partisë Republikane, shkrimtar dhe historian i njohur. Me ndarjen nga jeta të zotit Godo, familja humbi njeriun e dashur, bota e letrave një shkrimtar, Partia Republikane, themeluesin e saj”,- thuhet në mesazhin e ngushëllimit të Kuvendit të Shqipërisë. Ndërkohë, njoftohet se në nderim të tij, Kuvendi i Shqipërisë organizon ceremonialin e homazheve në hollin hyrës të sallës së seancave plenare, nesër, e diel, datë 4.12.2011 nga ora 12.30-14.30.
Republikanët: Shqipëria humbi vizionarin dhe politikanin e urtë
Partia Republikane, me dhimbje të thellë për humbjen e liderit dhe njëkohësisht themeluesit të kësaj partia, e ka cilësuar vdekjen e politikanit dhe njëkohësisht shkrimtarit Sabri Godo humbje të madhe për Shqipërinë. Në një deklaratë të saj Partia Republikane është shprehur kështu për humbjen e Themeluesit dhe Presidentit të nderit: “Shqipëria humbi politikanin e urtë dhe vizionar dhe shkrimtarin e shquar”. Partia Republikane shprehet se Sabri Godo vendosi mbi çdo gjë interesin kombëtar. Në janar të vitit 1991 Sabri Godo themeloi Partinë Republikane të Shqipërisë dhe ishte kryetar i saj për shtatë vjet.
Rama: Kundërshtar i respektuar, ndihmoi për të gjetur rrugën e arsyes
Në emër të socialistëve shqiptarë, kryetari Edi Rama i shprehu ngushëllimet familjes së politikanit Sabri Godo, i cili u nda nga jeta mesditën e sotme. “Sabri Godo ishte një kundërshtar politik i Partisë Socialiste, por ka qenë e do të mbetet për ne një figurë e respektuar e këtyre dy dekadave tranzicion, si njëri ndër autorët e Kushtetutës së Shqipërisë dhe si një aktor me rëndësi i jetës politike shqiptare, i cili në momentet e vështira të vendit u mundua ngaherë të ndihmojë për të gjetur rrugën e arsyes"- thuhet në mesazhin e kreut të PS-së, Edi Rama. "Sabri Godo do të çmohet gjithnjë prej nesh për konsekuencën e tij në mbrojtjen e interesave e vlerave tona kombëtare", përfundon mesazhi.
Meta: Politikës do t’i mungojë fjala e urtë
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u shprehu dje ngushëllimet familjes së politikanit dhe shkrimtarit Sabri Godo, pas lajmit për ndarjen e tij nga jeta. "Politikës do t'i mungojë fjala e urtë e Godos. Ai ishte një shembull i qetësisë dhe maturisë", shprehet Meta. Më tej në mesazhin e ngushëllimit, kreu i LSI-së vlerëson rolin e Sabri Godos në ndërtimin e Kushtetutës së vendit.
PDIU: Emri i tij me shkronja të arta në historinë tonë moderne
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, PDIU, në mesazhin e ngushëllimit thotë se të gjithë shqiptarët humbën një personalitet të shquar të skenës politike dhe shoqërore. “Shqiptarët nga të gjitha trevat nga Çamëria në Kosovë humbën një personalitet të shquar të skenës politike dhe shoqërore, një zë të matur dhe të fuqishëm të çështjeve të mëdha të kombit tonë.” - thuhet në mesazhin e PDIU-së. Për PDIU-në, “humbja e Sabri Godos është një trishtim për mbarë kombin shqiptar, i cili i është mirënjohës për aktivitetin e tij politik kombëtar. PDIU gjen rastin të ngushëllojë familjarët e Sabri Godos, duke siguruar se emri i tij do të mbetet me shkronja të arta në historinë tonë moderne.”- përfundon mesazhi i ngushëllimit.
AKZ: I ka dhënë ndihmesë të madhe Shqipërisë
Aleanca Kuq e Zi shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të të ndjerit Sabri Godo, për humbjen e madhe. Aleanca Kuq e Zi vlerëson maksimalisht rolin e madh të politikanit dhe njëkohësisht penën e artë të shkrimtarit Sabri Godo. Në mesazhin e saj ngushëllues Aleanca Kuq e Zi thekson kontributin e Godos në jetën politike dhe ndihmesën e madhe që i ka dhënë Shqipërisë me shkrimet historike.