E Diel, 1 Nëntor 2026

Princi Leka: Eshtrat e mbretit Zog kthehen për 100-vjetorin e Pavarësisë

TIRANE-Eshtrat e Ahmet Zogut, mbretit të shqiptarëve, pritet të vijnë në atdhe me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo deklaratë u bë dje nga princi Leka gjatë një interviste për Gazetën, pas promovimit të monografisë "Monarkia shqiptare 1928-1939", në ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ai foli dje për historinë e ideologjizuar, duke thënë se ideologjitë kanë pasur ndikim negativ për çështjen e shtetit shqiptar. Për të, është ironik fati që konferenca mbi monografinë e parë me studime serioze e të paideologjizuara për Zogun u mbajt pikërisht në atë sallë, ku 83 vite më parë ishte zyra e mbretit Zog. "Akademia e Shkencave ka qenë ish-pallati i familjes mbretërore dhe është një krenari e jashtëzakonshme që sot i bashkojmë pikëpamjet tona këtu", - tha dje princi. Më tej, ai foli për vendin e mundshëm ku mund të jetë varri i ardhshëm i Zogut, që sipas tij, me shumë gjasa do të bëhet pikërisht pranë varrezës mbretërore, tek parku i Liqenit. Sa i takon vetë varrit, Leka Zogu tha se do të merret mendimi i arkitektëve shqiptarë.
Dje u festua 83-vjetori i Monarkisë shqiptare. Si e gjen familjen dhe historinë shqiptare ky përvjetor?
Në fillim, dua të them se jam i lumtur që ky promovim po bëhet këtu në Akademinë e Shkencave. E them këtë, sepse kjo sallë ku ne jemi sot, ka qenë plot 83 vite më parë zyra e Ahmet Zogut.
Sa i takon pyetjes suaj, unë besoj se është e nevojshme që historinë ta shohim pa pasur ndikim politik. Së pari, ideologjitë kanë pasur ndikim negativ për çështjen e shtetit shqiptar dhe është pak ironike që sot jemi duke mbajtur një konferencë në ish-zyrën e mbretit Zog. Akademia e Shkencave ka qenë ish-pallati i familjes mbretërore dhe është një krenari e jashtëzakonshme që sot po bashkojmë pikëpamjet e ndryshme historike dhe politike për një figurë që ka hedhur themelet e shtetit shqiptar.
A e ka sot mbreti Zog vendin që i takon në histori?
Unë besoj se figura e mbretit Zog do të vlerësohet jo vetëm në gjeneratën tonë, por edhe në ata breza që do vijnë. Është në detyrën tonë, jo vetëm si familje, por edhe institucionet të sigurojnë që historia të ekzistojë. Vetë historianët duhet të kenë mundësitë e tyre, të rishikojnë faktet dhe interpretimet e ndryshme.
Është folur edhe për rikthimin e eshtrave të Zogut në atdhe. Ç'po bëhet?
Ne kemi dëshirë që eshtrat e Mbretit Zog të rikthehen në 100- vjetorin e Pavarësisë. Kemi krijuar një komision ndërministror, me përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Ministria e Brendshme dhe nga ajo e Jashtme, që të kujdesen për realizimin e këtij qëllimi. Megjithatë, mund të them se jemi ende në fazën e parë të punës.
Kur të vijnë eshtrat, ku do të varroset mbreti Zog?
Në fakt, ne po shohim disa mundësi. Njëra prej tyre ka të bëjë me rindërtimin e varrezës mbretërore, që ka qenë tek parku i Liqenit të Tiranës. Fatmirësisht, është një proces që ka marrë njëfarë zhvillimi. Hapi i dytë do të jetë realizimi i një projekti të hapur për rindërtimin e varrezës. Sa i takon kësaj, ne do të ftojmë të gjithë arkitektët të japin idetë e tyre për realizimin e këtij projekti.
Ndërkohë, varreza mbretë-rore do të jetë e vizitueshme?
Këtu ka një problem. Varreza mbretërore, edhe pse është shpallur "Monument Kulture i Kategorisë së Dytë", ende ka pranë një lokal, një kafene. Kjo na e vështirëson pak situatën dhe nuk e kemi të qartë se ç'hapa do të ndjekim. Unë i qëndroj mendimit se familja mbretërore është e bashkërenditur me historinë e Tiranës. Besoj se është e nevojshme që ne të krijojmë ambiente të ndryshme historike, jo vetëm për vlerësimin e figurës së mbretit Zog, por edhe si destinacione turistike. Kjo do të shënonte respektim të këtyre figurave.
A ka pasur vështirësi në rikthimin e eshtrave?
Kemi pasur mbështetjen e qeverisë shqiptare për këtë, dhe unë dua t'i falenderoj. Veç kësaj, kemi pasur edhe mbështetjen e qeverisë franceze, sepse një kushëriri ynë është deputet atje. Megjithatë, ka një procedurë që duhet ndjekur dhe duhet të marrë kohën e vet.
Ceremonia e kthimit do jetë zyrtare?
Besoj dhe shpresoj që po, pra besoj se do ketë një ceremoni zyrtare, sepse mbreti Zog ka qenë një kryetar shteti.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›