E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, shefi i klinikës së burgjeve fiton pafajësi

Gjykata e Tiranës ka shpallur dje të pafajshëm mjekun e Spitalit të Burgut të akuzuar për veprën penale të "korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike". Në arsyetimin e tij gjyqtari Gerd Hoxha sqaroi se ndaj të pandehurit, Ardian Nelaj nuk vërtetohen akuzat e ngritura nga ana e Prokurorisë së Tiranës. Gjykata ka arsyetuar se në të dyja rastet e ryshfetit nuk ka pasur asnjë kërkesë nga ana e mjekut, por ka qenë dëshira e familjarëve për t‘i dhënë të hollat e lekëve, e cila është përdorur edhe për të bërë arrestimin e Ardian Nelajt, në sajë të operacionit të koduar "Standard i garantuar". Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Tiranës, Nelaj, me detyrë shef i Klinikës së Spitalit të Burgut në Tiranë, përfitonte para në mënyrë të paligjshme. Nelaj dyshohet se iu kërkonte pacientëve 20 mijë lekë për një operacion, i cili kryhej në sallën e Urgjencës së Spitalit Nr. 2 Tiranë. Hetimet në ngarkim të Nelaj nisën dy muaj para arrestimit të tij. Fillimisht prokuroria kishte siguruar prova për një rast ryshfeti, por duke dyshuar se mund të ketë qenë një këmbëngulje e pacientëve, kanë preferuar që të vazhdojnë vëzhgimet në ngarkim të mjekut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›