Shtyhet vendimi për lirinë e Taçit
Është shtyrë dje pasdite seanca gjyqësore ndaj biznesmenit Rezart Taçi. Prokurori i çështjes tha se "nuk jam njohur ende me faktet e reja, përpiluar nga avokatët për ndryshimin e masës së arrestit të biznesmenit". Për këtë arsye, gjykata ka vendosur shtyrjen e seancës për sot, ku pritet të dëgjojë pretendimet e fundit dhe të japë vendimin për lirimin ose mbajtjen në burg të Rezart Taçit. Biznesmeni mori dy herë nga gjykata masën "arrest me burg", ndërkohë që avokatët e biznesmenit kërkuan dje nga gjykata rivlerësimin e vendimit për klientin e tyre. Avokatët kanë ngritur pretendimin se kjo është vepër penale që dënohet nga gjobë deri në dy vjet burg, kështu që ai nuk përbën rrezikshmëri të ndiqet penalisht në gjendje të lirë. Sot pritet të jepet vendimi. Madje, dje seanca është ndjekur nga një numër i madh mediash. Kjo ka sjellë edhe një konfuzion për një nga gjykatëset. Ajo ka dashur të dalë nga zyra dhe është përballur me një fluks kamerash, që kishin bllokuar rrugën në pritje të dhënies së masës së sigurisë për Rezart Taçin. Në këto kushte, ajo ka kërkuar t‘i lirohet rruga, por asnjë nuk ka pranuar. Kështu, ka njoftuar policinë dhe sapo shërbimet kanë mbërritur në gjykatë, gazetarët dhe kamerat kanë liruar rrugën.