E Diel, 1 Nëntor 2026

Prindërit harrohen me punë, fëmija mbytet në kovë

Nëna dhe babai po çonin plaçkat në shtëpinë e re

Ndërsa kanë qenë duke transportuar pajisjet shtëpiake për në shtëpinë e re, një çifti të ri u mbytet fëmija dhjetëmuajsh në një kovë me ujë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 18:30 të së dielës në fshatin Gjolenë të Komunës Kajan, ndërsa viktima është foshnja dhjetëmuajshe, Sabian Baku. Burime zyrtare të policisë lokale bëjnë të ditur se i mituri është gjetur nga familjarët në njërën nga dhomat e banesës, me kokë brenda një kove të mbushur me ujë. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se çifti Baku sapo ishte ndarë nga trungu familjar dhe po përgatitej për të transportuar të gjitha plaçkat dhe pajisjet shtëpiake nga dhoma ku kishin qëndruar prej dy vjetësh drejt shtëpisë që sapo kishin ndërtuar. Mësohet se pirgu i plaçkave ishte grumbulluar fillimisht në kopshtin pranë shtëpisë, për t’u transportuar më pas në shtëpinë e re, jo më larg se 100 metra nga banesa e trungut familjar.

çifti ka shfrytëzuar kohën kur foshnja ka qenë në gjumë, për t’u marrë me përgatitjet e shtëpisë së re, pa menduar se fëmija dhjetëmuajsh mund të zgjohej papritur. Askush nuk e kishte vënë re se Sabiani i vogël, sapo është zgjuar është kacavjerrë pranë një kove me ujë, që e ëma e kishte lënë pranë shtratit të vogëlushit. Ka qenë halla e foshnjës që ka shkuar të shikojë se çfarë bënte Sabiani, kur ka vënë re ngjarjen.

Ajo ka thërritur dhe drejt dhomës ku flinte foshnja kanë rendur të gjithë pjesëtarët e familjes. Me gjithë përpjekjet për ta shpëtuar, foshnja kishte ndërruar jetë. çdo tentativë ka qenë e kotë dhe Bakët kanë lajmëruar më pas policinë për vdekjen e papritur të foshnjës.

Sabiani ishte fëmija i parë i çiftit Baku, i cili ka dy vjet martuar. Sipas kreut të komunës, Lumturi Ferhati, të cilin mundëm të kontaktonim, i ati i fëmijës sapo ishte kthyer nga emigracioni, nga ku kishte mbledhur aq të holla sa për të ndërtuar një shtëpi për familjen e tij të re, pasi gjendja ekonomike te prindërit e tij nuk ishte fort e mirë.

Sapo është lajmëruar policia e Elbasanit, uniformat blu kanë shkuar në fshatin Gjolenë në shtëpinë e familjes Baku, ku kishte pllakosur zia. Ata kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe po punohet për dokumentimin e plotë të saj. Paraprakisht ngjarja është klasifikuar si ngjarje aksidentale, por hetimet nuk kanë përfunduar ende. Materialet për këtë çështje iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme, ndërsa e ëma e foshnjës, mësohet se po procedohet në gjendje të lirë për shkaktim të vdekjes nga pakujdesia.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›