Urgjenca e Tiranës në mëshirë të fatit, pa mjekë kardiologë e në mungesë totale ilaçesh
Urgjencat në kryeqytet pothuajse janë lënë në mëshirë të fatit, pa mjekë specialistë e pa ilaçe, të cilat pacientët apo të afërmit e tyre duhet të blejnë vetë gjithçka qoftë edhe një qetësues apo serum. Gjendja e krijuar kohët
e fundit në urgjenca e sidomos në urgjencën tek lagjja 1 maji, apo edhe në institucionet e tjera shëndetësore të cilat vuajnë për mungesë të theksuar medikamentesh e kushtesh, është kthyer tashmë në një makth për të sëmurët të cilëve u duhet ndihma e urgjente e stafit mjekësor të këtyre urgjencave, të cilët në shumicën e rasteve edhe kur telefoni i këtij institucioni bie pa pushim, as nuk marrin mundimin ta ngrenë receptorin. Sipas një vëzhgimi kryer ditën e djeshme në urgjencën shumë pranë ish ekspozitës, në afërsi të shkollës Edit Durham, gjendja në këtë ambulancë është në kushte tejet të vështira pa mjekë specialistë siç mund të jenë mjekët e zemrës, mjekë orologë, apo mjekë të sëmundjeve të brendshme, e në mungesë të theksuar kushtesh e gatishmërie. Sipas mjekëve kjo urgjencë, është e gatshme të presë qindra banorë të kryeqytetit në rastin kur urgjenca e QSUT-së është shumë larg, e këtyre pacientëve u duhet një shërbim i shpejtë. Mungesa e theksuar e ilaçeve duke përfshirë këtu edhe qetësuesit serumet apo mjekime të tjera që shërbejnë në rastet e urgjencave ka bërë që edhe vetë mjekët të ngrenë supet përpara këtij fakti, i cili shkakton në këtë urgjencë jo pak shqetësime e pakënaqësi nga të afërmit e personave që vijnë për tu kuruar me urgjencë në këtë institucion shëndetësor. Por jo vetëm kaq ngjitur me këtë ambulancë gjendet edhe një poliklinikë e cila si urgjenca vuan mungesën e mjekëve specialistë. Në lidhje me këtë një prej infermiereve të kësaj qendre shëndetësore tha dje për gazetën SOT se mungesa e theksuar e ilaçeve si në urgjenca edhe në poliklinika ka bërë që muajt e fundit të afërmit e pacientëve të blejnë gjithçka privatisht, që prej ageve e vigonëve e deri tek serumet e qetësuesit. Përpos kësaj në shumë raste janë vetë mjekët që në komunikimin me telefon me të afërmit e pacientëve u bëjnë të ditur, këtyre qytetarëve se urgjenca, apo poliklinika nuk ka medikamente e këto duhet ti blejnë privatisht.
Precedenti
Përpos mungesës së medikamenteve e kushteve që jo vetëm në urgjencën pranë ish ekspozitës është evidente, edhe etika e mjekëve, e në tërësi e gjithë stafit mjekësor të këtij institucioni, lë shumë për të dëshiruar. Në vëzhgimin e kryer nga gazeta u vu re qartë se një pjesë e mjekëve edhe pse telefoni i urgjencës nuk pushonte nuk përgjigjeshin duke shmangur kështu në shumë raste rastet urgjente. Por edhe në rastet kur një apo dy mjekë nxitonin për të ngritur receptorët, shënimet apo emrat e të sëmurëve që kërkonin asistencë mjekësore urgjente, shënoheshin shumë ngadalë duke e marrë çdo gjë me qetësi. Sipas Adriatik Toskës, i afërm i një prej pacientëve që kishte mbërritur paraditen e djeshme në urgjencën e rrugës 1 Maji, i sëmuri kishte qëndruar në mes të rrugës për rreth 50 minuta duke marrë parasysh se vendi ku pacienti kishte humbur ndjenjat ishte në afërsi të ambulancës. Kam mbi gjysmë ore që pres makinën e ambulancës, edhe pse e kam marrë urgjencën mbi shatat herë në tel, është skandaloz çfarë shërbimi, ndërkohë që pacientët kërkojnë ndihmën e shpejtë mjekët bëjnë muhabet në korridor, kjo është neglizhencë totale tha dje për gazetën i afërmi i një prej të sëmurëve në urgjencën pranë rrugës 1 Maji.
Urgjenca në QSUT
Kushte skandaloze vihen re edhe në të vetmen urgjencë në QSUT, e cila pret çdo ditë mbi 100 raste në ditë sidomos në muajt e verës. Përveç mungesës totale të kushteve higjienike edhe trajtimi i pacientëve lë shumë për të dëshiruar, kudo mund të shohësh personat që edhe pse kërkojnë trajtim urgjent janë të ulur në karrige e aty marrin serume. Kjo për shkak të mungesës së krevateve të cilët përpos mungesës së ilaçeve janë një tjetër shqetësim për të sëmurët e të afërmit e tyre. Problemin e pranojnë edhe mjekët e kësaj urgjence. Ata pranojnë që kushtet në këtë urgjencë janë jashtë normales megjithëse sipas tyre ata mundohen të bëjnë maksimalen nga ana profesionale. Sipas tyre faji është i instancave më të larta që nuk kanë marrë masa për të përballuar këto ditë fluksi.
Arta AGOLLI