E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prindi shqiptar dhuroi organet e të birit, grekët indiferentë

ATHINE- Një shqiptar 18-vjeçar, Zaharia, u vra muajin e kaluar në një aksident automobilistik në Greqi. Augustini, babai i tij, i cili punon në një fshat bregdetar, Shën Spiridon (Duvas), në mes të dëshpërimit gjeti forcë dhe kurajë dhe shkoi në spitalin universitar të Rios, për të dhuruar organet e birit të tij.

Sipas asaj që shkruajnë vetë mediat greke, aty askush ‘nuk e vuri ujin në zjarr’, askush nuk u interesua për të marrë në dorëzim organet e 18 vjeçarit me të cilat mund t’iu jepnin jetë të sëmurëve të tjerë, që kishin nevojë. Përgjegjësit e spitalit u treguan indiferentë ndaj këtij prindi shpirtmadh.

Gazetari i njohur grek, Dhimitër Danika shkroi mbi këtë ngjarje:
“Emri i tij është Zaharia. Kështu e pagëzuan në Greqi, gjithmonë i gatshëm, optimist, i buzëqeshur dhe zor se i kishte mbushur të tetëmbëdhjetat. Një ditë, tek po transferoja një pllakë të madhe mermeri, në makinën time, i them ashtu duke buzëqeshur “A mund të më ndihmosh të transportoj këtë gur gjigand?”. Menjëherë pa humbur kohë, thirri dhe vëllanë e tij dhe sa hap e mbyll sytë, guri “gjigand” u gjend në makinën. Thashë t’i ofroja 5 euro, për ndihmën e shpejtë që më ofroi, por ai e quajti këtë gjë ofendim.

Zaharia ishte gjithmonë ishte i gatshëm, gjithmonë human, me të gjithë ishte i buzëqeshur dhe i gatshëm t’iu ofronte ndihmë, ashtu pa u marrë kurrfarë leku. O zot!, thashë. Njeri perëndie…

Ai ishte një shqiptar! Ndërsa ne “grekët”, me fëmijët tanë thashethemexhinj, grindavecë, përtacë e më e keqja, dembelë e të papunë, tërë ditën me frape në dorë. Indiferentë e të gjithë të depresionuar nga fermentimi dhe pasiguria. Armiqësorë ndaj solidaritetit. Egoistë dhe kurnacë për të ofruar. Të më japësh, në do të të jap. Gjithmonë të dyshimtë. Gjithmonë armiqësorë. Gjithmonë jomikpritës. Gjithmonë interesaxhinj. Gjithmonë egoistë.

Deri në momentin kur një lajm i keq hapi një vrimë në zemrën time. Djaloshi u vra në një nga ato aksidentet e pakuptimta të këtij vendi...
U përlota. Në çast m’u prenë gjunjët. Si përfundim, njerëzit e mirë gjithmonë vdesin të rinj. Zoti i merr gjithmonë pranë vetes. Mendova kështu për të ngushëlluar veten time dhe dhimbjen që ndjeva.

Por vazhdimi ishte akoma më tronditës. Babai i tij, Augustin e quajnë se është katolik, ndërsa në fshat e thërrasin Vangjel, ishte punëtor, një punëtor që punonte ditë e natë për të fituar bukën e gojës, por shpirtgjerë, krenar, i drejtë, i zgjuar. Burrë me tradita e zakone, cili ishte kurdoherë i gatshëm për të ofruar ndihmën dhe bujarinë e tij. Menjëherë, në mes të panikut që e kishte kaptuar, shkoi drejt Spitalit Universitar të Rios, për të dhuruar organet e birit të tij. Një gjest vërtet human, njerëzor dhe bujarie. Ashtu siç i shkon për shtat një njeriu të mirë e shpirtmadh, një krijese njerëzore unike, por...askush nuk ishte për t’i marrë në dorëzim…

Kjo Greqi gjoja europiane dhe e qytetëruar, është shumë herë më e paqytetëruar dhe e shpërfytyruar, si ideologjikisht ashtu edhe moralisht dhe është shndërruar më keq se një vend i kategorisë së tretë, më keq se Shqipëria e vjetër. Në të gjitha nivelet.

Po jua them juve këtë gjë juve bashkëqytetarëve të mi grekë: Ta dini! Se këtyre të bekuarve (shqiptarëve) iu kemi borxh gjithçka.

Ahh, more Zaharia! Të jesh i sigurt, se një ditë të gjithë njerëzit, pa dallim race, ngjyre apo besimi do të krijojnë një vend më të mirë me copëzat e zemrës dhe shpirtit tënd të bardhë e të stërmadh”.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›