Prioritetet kryeministrore
“Z.Kryeministër: Syno të ardhmen! E ardhmja është 1 qershor 1991!” - lexonte një fletushkë e ngjitur në muret e dhomës së ngushtë të grevës së urisë së minatorëve para pak kohësh. Fletushka i bënte thirrje Berishës - kujtesës dhe ndjeshmërisë së tij (më shumë të parës), të mos harronte kontributin dhe sakrificate tyre në dhënien fund të atij ankthi kolektiv që shoqëronte ‘njeriun e ri’ të komunizmit për të sjellë ‘njeriun e lirë,’ - pishtarët e demokracisë (sikurse i cilësoi vetë Berisha nëpërmjet dekoratave që u shpërndau punëtorëve të nëntokës).
Sikurse ka ndodhur me shumë grupe të tjera interesi, edhe përpjekjet e minatorëve për të sjellë problemet e tyre në vëmendjen e qeverisë, janë injoruar e dekurajuar. Greva njëmujore dhe më pas, protestat e para pak ditëve, nuk arritën të merrnin as edhe një sekondë të vetme vëmendjen aktive të kryeministrit.
Vëmendjen e kryeministrit në këto ditë të vështira e zënë tipa si Damir Fazlliçi. Kryeministri i vendit ka një javë që ligjëron për liritë e të drejtat e mikut të tij sekser, dhe në disa muaj të përpëlitjes së minatorëve nëpër greva e protesta, nuk përmendi, qoftë edhe një herë te vetme, të drejtat që këta njerëz duhet të gëzojnë, qoftë edhe nën tokë.
Retrospektiva vepruese e liderit tonë historic, tregon qartë se obligimet e tij kontraktuale që rrjedhin nga pakti per t’i shërbyer sovranit, janë deformuar sipas një botëkuptimi berishian. Miku i Fazlliçit dhe kryeministri i shqiptarëve, po e trajton detyrën e pushtetarit a thua se kjo detyrë përfaqëson atë autoritet hyjnor që personit të tij ia dhuroi Perëndia kur e shpërbleu në kuadër të shkallës së hirit që posedonte. Ky pushtet po trajtohet a thua se u shti në dorë nga urdhrat e shenjtë dhe jo përkushtimit për të qeverisur në shërbim të së mirës publike. Në këtë kuadër, pushteti i shpërfilljes, heshtjes dhe indiferencës, lidhet ngushtësisht me faktin se kryeministri nuk do t’ia dijë për grupe interesi me të cilët nuk lidh dot interesat e tij.
Po a është e përligjur kjo heshtje kryeministrore? Duke qënë se brejtjet e ndërgjegjes, që paraprijnë një krim, përgjithësisht nuk janë aq të forta sa ato që e pasojnë atë, dhe, duke qënë se vuatjet e të tjerëve ne i shohim mes bollëkut të gjërave me të cilat njeriu mat lumturinë, kuti i matjes se lumturisë mbeten 50 milionët e Fazlliçit të përfituara në 3 vjet qeverisjeje të Berishës, dhe jo problemet e nëntokës, të cilat kryeministri nuk do t’i njohë. Në një séancë parlamentare të këtyre ditëve, dikush, me shumë të drejtë, kujtoi se thelbi i demokracisë kish të bënte me ngritjen e institucioneve të pavarura, garant të barazpeshimit të pushtetit. Jo kundër hajdutëve të xhepave që kryeministri kërkon të gjejë nëpërmjet telefonit të tij celular, por kundër krimbërësit më të madh - vetë institucionit të Kryeministrit, pushteti i pakontrolluar i të cilit do të sillte tirani mbi sovranin, siç po ndodh sot.