E Diel, 1 Nëntor 2026

Gafa e financieres, policët duhet të kthejnë pagat mbrapsht

Fier- Dhe telashet s’kanë të sosur për policët. Një muaj iu rritet paga dhe muajin tjetër iu mbahet gjysma e saj. Kjo ndodh në qytetin e Fierit ku 402 efektiva policie të Komisariatit të Fierit dhe të Mallakastrës duhet të kthejnë mbrapsht një shumë të parave që kanë marrë 3 vite më parë. Ndalesa do t’iu bëhet nga rroga nis nga ky muaj. Vendimi është marrë nga Ministria e Brendshme që konstatoi shkelje në zyrën e Financës së Komisariatit.

Auditi i Ministrisë së Brendshme i ushtruar gjatë muajit qershor 2008 konstatoi se sektori i Financës ka bërë gabim përllogaritjen e Tatimit mbi të Ardhurat e punonjësve të policisë gjatë gjithë vitit 2004-2005. Gabimi është bërë si rezultat i mosazhornimit të vendimit të Këshillit të Ministrave dhe udhëzimeve të Ministrise së Financave në kohën e duhur. Sektori  i Financës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier ka vepruar në bazë të vendimit të vjetër të Këshillit të Ministrave. Ndaj financieres është marrë masë disiplinore në punë.

Si pasojë e këtij gabimi-gafë, 402 punonjësit e policisë janë të detyruar të kthejnë paratë e marra në mënyrë të padrejtë. Ato variojne nga 2 000 deri ne 12 000 lekë të reja për çdo punonjës policie. Diferencat nga mos tatimi i të ardhurave në vitet 2004-2005 shkon deri në 30 për qind të të ardhurave mujore. Ndërkohë që maksimumi i ndalesës mund të shkojë deri në 50 për qind të pagës mujore të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›