Ambasada e SHBA mbron haptas prokurorinë nga Berisha
Withers: Presioni kundër Ina Ramës, njësoj si në rastin e Sollakut. Deklaratat e qeverisë, shqetësuese
TIRANË- Ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, John Withers lë mënjanë “petkun” e diplomatit dhe lëshon në drejtim të qeverisë mesazhe të qarta kundër ndërhyrjeve në pavarësinë e prokurorisë, kundër presioneve për bllokimin e hetimeve apo nismës për komision parlamentar. Duke uruar prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, për kontributin e dhënë në mbrojtje të institucionit që drejton ndaj presioneve politike, Withers i ka dhënë asaj mbështetje të hapur për “ hetimin e disa prej çështjeve më të vështira dhe më të debatueshme që ka njohur ndonjëherë Shqipëria “. Jo rastësisht, ambasadori Witherska vendosur të marrë pjesë në seminarin e organizuar nga zyra e OPDAT-it për “Bashkërendimin e Institucioneve Kundër Pastrimit të Parave”, prej nga ka dalë në mbrojtje të Prokurorisë, e vendosur në qendër të presioneve politike, që pas nisjes së hetimeve për mikun e kryeministrit Berisha, Damir Fazlliç.
Në këtë takim, ambasadori Withers shprehu shqetësimin e qeverisë së SHBA-së në lidhje me deklaratat e kryeministrit Sali Berisha dhe ministrave të tij, për të ngritur një komision parlamentar ndaj punës së kryeprokurores Ina Rama. “Siç jeni në dijeni, parlamenti po shqyrton fillimin e një komisioni hetimor për funksionimin e prokurorëve dhe Prokurores së Përgjithshme këtu në Shqipëri. Qeveria ka bërë thirrje edhe për një farë inspektimi ndërkombëtar në këtë fushë, të cilin, sinqerisht, e gjej të pashpjegueshëm. Të gjitha këto deklarata janë shumë çoroditëse dhe mjaft shqetësuese”,-tha Withers, duke bërë analogji me çështjen “Sollaku”. “Tetorin e kaluar, pak pasi kisha ardhur këtu, parlamenti kish filluar një komision hetimor për ish-Prokurorin e Përgjithshëm. Tani, duket se qeveria synon të bëjë të njëjtën gjë ndaj Prokurores së Përgjithshme aktuale. Po, parlamenti ka të drejtë të ngrejë komisione hetimore, por mos është kjo diçka që parlamenti shqiptar e bën çdo tetor?”,- pyeti ambasadori Withers, duke shprehur mosbesim për respektimin e institucioneve të pavarura nga ekzekutivi.
Duke i bërë thirrje qeverisë për mosndërhyrje në punët e Prokurorisë, Withers ka mbështetur prokurorët në punën e tyre të mëtejshme. “Sinqerisht, nuk shoh asnjë arsye legjitime përse qeveria apo parlamenti t’i ndërmarrë këto lëvizje. Nxis si qeverinë ashtu edhe parlamentin të rishqyrtojnë këto lëvizje impulsive që duken se ndërhyjnë në pavarësinë e një institucioni që ka nevojë të jetë i pavarur. Këshilla ime dhe e qeverisë sime është që prokurorët të lejohen të bëjnë punën e tyre si aktorë të pavarur që janë”,-tha ambasadori. Sipas Withers, përgjegjësitë e kryeprokurores janë jo vetëm të hetojë disa prej çështjeve më të vështira dhe më të debatueshme që ka njohur ndonjëherë Shqipëria, por në një kuptim më të gjerë dhe më të thellë, të japë një kontribut me peshë në ndërtimin e demokracisë shqiptare duke mbrojtur pavarësinë e institucionit të saj dhe të gjyqësorit në përgjithësi, ndaj presioneve politike dhe sulmeve politike. Ndërkaq, kryeprokurorja Ina Rama gjatë fjalës së saj përshëndetëse falënderoi qeverinë dhe ambasadën e SHBA-së për mbështetjen e vazhdueshme që i jep organit qendror të akuzës.
Ambasadori i SHBA-së: Pastrimi i parave, shtylla kurrizore për krimin dhe terrorizmin
Withers-prokurorëve: Hetoni pa u ndikuar nga presionet
TIRANË- Ambasadori John Withers, duke shfrytëzuar takimin me prokurorët e njësisë së Task-Forcës, shprehu konsideratë për punën e tyre, duke u ofruar mbështetje dhe kurajë për të vazhduar më tej në luftën kundër veprave penale si pastrimi parave, krimin e organizuar financiar, korrupsioni e terrorizimi. “Duke mbledhur bashkë ekspertizën që përfaqësohet në këtë sallë; duke mbledhur bashkë prokurorë, oficerë të policisë gjyqësore, zyrtarë të zbatimit të rregullave nga bankat, kemi mbledhur bashkë ekipin që nevojitet për të luftuar një murtajë. Kjo murtajë është pastrimi i parave, çka përfaqëson shtyllën kurrizore për krimin e organizuar, korrupsionin dhe terrorizmin. Ju përgëzoj dhe ju uroj që jeni ushtarët në këtë luftë kaq shumë të rëndësishme”,-theksoi ambasadori, duke i kërkuar respektimin e ligjit për çdo person që do hetohet nga seksioni i Task-Forcës. “Për sa kohë që ndiqni ligjin, pavarësisht nga kritikat që merrni, pavarësisht nga presionet që ju bëhen, edhe ju, do ta arrini objektivin tuaj përfundimtar”,-tha ambasadori, i cili nuk ngurroi të përmendë dy raportet e fundit të publikuara nga organizatat ndërkombëtare për punën e vlerësuar të kësaj njësie. “Organizata jofitimprurëse “Freedom House” vërejti që korrupsioni vazhdon të jetë një problem i kudondodhur në Shqipëri, por veçoi Task-Forcën si një mekanizëm të efektshëm për të luftuar korrupsionin. Gjithashtu, kohët e fundit edhe Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit, i organizatës “Transparency International” për vitin 2008, e renditi Shqipërinë në vendin e 85-të, një kapërcim prej 20 vendesh nga renditja e mëparshme globale kur ishte e 105-ta. Raporti vërejti që Shqipëria mbetet një vend shumë i korruptuar, por njohu meritat aty ku duhej: tek prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore në këtë sallë”,-tha Withers.F.Vezaj
PROFESORI
Gurule, shembuj si të Fazlliç
Gjatë seminarit dy orësh, profesor Xhimi Gurule si për ironi të qeverisë, kishte zgjedhur për të ligjëruar para oficerëve dhe prokurorëve të task-forcës disa raste të krimit financiar, konkretisht të pastrimit të parave nëpërmjet shitjeve të aseteve fiktive. Shembujt ngjanin thellësisht me rastin që hetuesit dhe prokurorët e kësaj njësie po hetojnë mbi mikun e kryeministrit Sali Berisha, serbo-boshnjakun Damir Fazlliç. Seminari kundër Pastrimit të Parave vazhdoi për dy orë, ku ish-prokurori federal dhe ish-zyrtari më i lartë ligjzbatues i Departamentit të Thesarit në qeverinë e SHBA-së gjatë vitit 2001-’03 nuk ngurroi të japë këshilla për mënyrën e luftimit dhe hetimit të ndjekjes penale të çështjeve të pastrimit të parave.
Fjalimi i Withers për Ina Ramën
Dëshiroj të filloj duke shprehur urimet dhe admirimin tim për Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama. Në të kaluarën, znj. Rama është krahasuar me personazhin artistik, Silvia Konti. Siç e dini, znj. Konti ishte e përkushtuar dhe e vendosur të luftonte krimin pavarësisht çfarë pengesash i krijonin, pavarësisht nga vështirësia e rrethanave, apo kundërshtitë ndaj saj. Ky krahasim është me vend, por nuk arrin lart sa duhet. Sepse personazhi i Silvia Kontit ishte artistik, ndërsa detyrat që znj. Rama ka marrë përsipër, janë shumë reale. Përgjegjësitë e saj janë jo vetëm të hetojë disa prej çështjeve më të vështira dhe më të debatueshme që ka njohur ndonjëherë Shqipëria, por në një kuptim më të gjerë dhe më të thellë, të japë një kontribut me peshë në ndërtimin e demokracisë shqiptare duke mbrojtur pavarësinë e institucionit të saj dhe të gjyqësorit në përgjithësi, ndaj presioneve politike dhe sulmeve politike. Nuk më duhet ndonjë mençuri e madhe për të parashikuar që kur të shkruhet historia e demokracisë shqiptare, për njerëzit si Ina Rama do të ketë një kapitull të veçantë.Më lejoni të përfundoj me disa komente mbi zhvillimet e kohëve të fundit në Shqipëri. Siç jeni shumë mirë në dijeni, parlamenti po shqyrton fillimin e një komisioni hetimor për funksionimin e prokurorëve dhe Prokurores së Përgjithshme këtu në Shqipëri. Qeveria ka bërë thirrje edhe për një farë inspektimi ndërkombëtar në këtë fushë, të cilin, sinqerisht, e gjej të pashpjegueshëm. Të gjitha këto i gjej shumë çoroditëse dhe mjaft shqetësuese. Tetorin e kaluar, pak pasi kisha ardhur këtu, parlamenti kish filluar një komision hetimor për ish-Prokurorin e Përgjithshëm. Tani, duket se synon të bëjë të njëjtën gjë ndaj Prokurores së Përgjithshme aktuale. Po, parlamenti ka të drejtë të ngrejë komisione hetimore, por mos është kjo diçka që parlamenti shqiptar e bën çdo tetor? Sinqerisht, nuk shoh asnjë arsye legjitime përse qeveria apo parlamenti t’i ndërmarrë këto lëvizje. Nxis si qeverinë ashtu edhe parlamentin të rishqyrtojnë këto lëvizje impulsive që duken se ndërhyjnë në pavarësinë e një institucioni që ka nevojë të jetë i pavarur. Këshilla ime dhe e qeverisë sime është që prokurorët të lejohen të bëjnë punën e tyre si aktorë të pavarur që janë. Më lejoni t’ju uroj për mundësinë që është sot përpara jush. Më lejoni t’ju uroj çdo sukses dhe t’ju përgëzoj për punën e madhe dhe kurajon që tregoni çdo ditë në punën tuaj dhe në veprimet tuaja.