E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonia bëri detyrën

Duke njohur Kosovën, Maqedonia bëri (më në fund) një nga “detyrat e saj të shtëpisë”. Në këtë rast, duhet përshëndetur qëndrimi i forcave politike të cilat, me anë të votës së tyre në Parlament, e certifikuan vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve, duke i hapur shtegun një bashkëpunimi të mirëpritur.

Tek seanca parlamentare e mbledhur enkas për rezolutën, ranë në sy tre elemenë: së pari, spektri politik shqiptar arriti të neutralizojë kundërshtitë mes veti duke u prezantuar me një rezolutë të përbashkët pa eufori, por me pjekuri dhe dinjitet.

Së dyti, u konstatua se kampi politik maqedonas ende nuk është shkundur nga sindromi i paranojave, për pasojë, shihej mungesa e unitetit për të marrë vendime të rëndësishme me karakter strategjik.

E treta (dhe me kryesorja), Maqedonia, të paktën në rastin e votimit pro rezolutës së pavarësisë së Kosovës, iu bashkua vullnetit të SHBA-ve, NATO-s dhe BE-së, një hap pozitiv ky kundër izolimit, drejt të cilit Maqedonia çapitet shpesh për arsye të njohura gjeopolitike si dhe për shkak të sjelljes politike.

Përtej këtij vlerësimi pozitiv duhet thenë se, rrugëtimi për të ardhur deri tek akti final, ka patur vonesa të pajustifikueshme. Në këtë kuptim, vlerat që mbart ky eveniment i vonuar janë komplekse. Për t’u nënvizuar është sjellja në Parlament e LSDM-së. Prej saj zbuluam se, qeveria si qeveri, presidenca dhe LSDM-ja si opozitë, pas datave në ajër që jepnin herë pas here për njohjen e Kosovës dhe talljen me afatet, kishin patur disa kushte si: finalizimi i demarkacionit, njohja me emrin kushtetues dhe deri tek qaramania pa sens për goranët në Kosovë.

Debati parlamentar për njohjen e pavarësisë së Kosovës nxori gjithashtu në pah edhe një tjetër element: politikanët e Maqedonisë kanë prioritet absolut rejtingun partiak dhe personal. Pak kohë më parë në “Shekulli” patëm shkruar se, njohja e pavarësisë së Kosovës, është e pashmangshme, në rastin e Maqedonisë, qendrat e vendosjes, e kanë një limit pritjeje. Dhe, sigurisht që nuk ishte rastësi që njohja ndodhi pas mbërritjes të Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA-ve.

Së fundmi, duhet marrë në konsideratë se, me njohjen e pavarësisë së Kosovës, Maqedonia fiton një fqinj bashkëpunues dhe bashkëveprues. Fitues janë të dyja palët, sidomos shoqërite respektive. Ashtu siç duhet mbajtur mend, se akti i njohjes së pavarësisë së Kosovës pati edhe efekte në planin shqiptar (ndërpartiak). Dy partitë më të mëdha politike shqiptare gjetën kurajon të ulin shpatat për një moment dhe u bënë tok për një çështje madhore. Dhe kjo nuk është pak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›