E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prioritetet strategjike të nënsektorit të ullirit në Shqipëri



Ministria e Bujqësisë në strategjinë e saj afatmesme për bujqësinë (2007-2013) e ka konsideruar zhvillimin e olivikulturës ne Shqipëri si një sektor prioritar me shumë rendësi për bujqësinë dhe ekonominë e vendit në tërësi.

Duke iu referuar të dhënave statistikore për prodhimin e ullirit në 4-5 vitet e fundit në Shqipëri, vihet re se ka një rritje të konsiderueshme të prodhimit të ullirit për konsum, po ashtu edhe të vajit që përpunohet prej tij.

Ajo që bie në sy më shumë në tërë ecurinë e prodhimit të ullirit, është mungesa e stabilitetit në prodhim. Referuar statistikave rezulton se ne kemi një oscilacion të theksuar nga njëri vit në tjetrin në prodhimin e ullirit dhe të vajit të ullirit gjithashtu.

Prodhimi i ullirit në vitin 2006 ka qenë 40 mijë tonë, në vitin 2007 janë prodhuar vetëm 27 mijë tonë, ndërsa në 2008 janë prodhuar 56 mijë tonë.

Kjo vjen si rezultat i periodicitetit në prodhim, gjë që flet për mangësi të theksuar të shërbimeve në ullishtari dhe forma ekstensive kultivimi, duke lënë më shumë se 50% të sipërfaqeve aktuale pa ndërhyrje me shërbime të përvitshme.

Kjo bën që në një pjesë të mirë të sipërfaqes, sidomos në kurorat rreth qyteteve, të kemi një prodhimtari krejt spontane dhe natyrale, gjë e cila çon në mungesë stabiliteti në prodhim me diferenca të theksuara nga njëri vit në tjetrin.

Shqipëria ka aktualisht 1,5 rrënje ullinj/frymë të popullsisë dhe një normë konsumi të vajit të ullirit afërsisht 3 litra/frymë/vit, në një kohë kur në vendet e tjera të Mesdheut këta tregues janë 4-5 herë më të lartë.

Megjithëse nga financimi i dhënë nga MBUMK mbillen çdo vit rreth 1000 ha ose 250-300 mijë rrënjë ullinj, përsëri ritmet e rritjes se sipërfaqeve si dhe të prodhimit në ketë sektor janë të ulëta.

Në programin e qeverisë shqiptare për bujqësinë për 4 vitet që vijnë, është parashikuar që sektori i ullishtarisë të transformohet tërësisht. Ky sektor prej dy vitesh mbështetet me financime të drejtpërdrejta nga qeveria për mbjellje të reja, mbrojtje nga dëmtuesit dhe përpunimin e vajit të ullirit të cilësisë ekstra. Kjo mbështetje do të vazhdojë edhe në 4 vitet e ardhshme me një program të ri dhe me shuma më të mëdha subvencioni.

Ministria e Bujqësisë me institucionet e saj të vartësisë është në përfundim të studimit kombëtar për ullirin, i cili do të shpallet brenda muajt tetor 2009.

Ky studim do të përcaktojë gjendjen aktuale të ullishtarisë në Shqipëri, ndërhyrjet që do të bëhen në ullishtat ekzistuese, sipërfaqet e reja që do të mbillen në 5-6 vitet e ardhshme, si dhe teknologjitë moderne të kultivimit. Studimi do të përcaktojë skemën e plotë të rajonizimit të ullirit në vend, strukturën varietore si dhe kostot e ndërhyrjeve në ullishtari me objektiv shtimin e numrit në 20 milionë rrënjë nga 5 milionë që kemi aktualisht.

Në kuadrin e mbështetjes së drejtpërdrejtë të prodhimit vendas, prej dy vitesh ne kemi filluar të subvencionojmë edhe prodhimin e vajit të ullirit ekstra - vergjinë.

Vitin e kaluar kishim vetëm 2 prodhues vaji që përfituan nga skema e subvencionit. Do të dëshironim shumë që numri i tyre të rritet këtë vit, pasi Ministria e Bujqësisë ka vënë në dispozicion të kësaj skeme rreth 0,5 milionë $ vetëm për vajin e ullirit.

Ministria e Bujqësisë sapo ka filluar të konceptoje skemën e re të mbështetjes (subvencionit) për bujqësinë për vitin 2010. Në kuadrin e kësaj skeme mbështetjeje fondet për sektorin e ullirit për mbjelljet e reja, për trajtimet kimike si dhe përpunimin e vajit të ullirit do të jenë shumë më të mëdha se fondet e dhëna në këto dy vitet e fundit.

Mendoj se të gjitha këto ndërhyrje që do të bëhen në këtë sektor, krijojnë premisat që prodhimi i ullirit për konsum dhe i vajit të ullirit të rriten ndjeshëm në të ardhmen.

Është shumë e rëndësishme për të gjithë prodhuesit dhe përpunuesit e vendit të kuptojmë që në epokën e marrëveshjeve të tregtisë së lirë dhe heqjes së barrierave tregtare sfidat tona do të mbeten standardet.

Prodhuesit dhe përpunuesit e ullirit duhet të synojnë plotësimin e disa treguesve bazë që kanë të bëjnë me: uljen e kostos, përmirësimin e cilësisë dhe përmbushjen e standardeve ndërkombëtare të prodhimit, pasi vetëm kështu do të arrijmë të përballojnë konkurrencën.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›