E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërthim në hotel, aksidentohen 2 nxënëse kosovare



Rreth 60 maturantë të shkollës së mesme mjekësore të Gjilanit në Kosovë kanë përjetuar momente tmerri mëngjesin e djeshëm pas një shpërthimi që ka ndodhur në hotelin ku ata ishin akomoduar. Nxënësit e vitit të katërt kanë ardhur prej disa ditësh për ekskursion dhe ishin akomoduar në hotel “Elesio” në Golem. Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 07:00 të mëngjesit të djeshëm, ndërkohë që ai është provokuar nga një defekt në bolierin e dushit në një prej dhomave të hotelit. Nga shpërthimi janë rrëzuar muret e brendshme të hotelit dhe për pasojë dy nxënës janë dërguar në spitalin e Durrësit për mjekim. Drejtori i shkollës së mesme mjekësore të Gjilanit është shprehur për “standard” se “situata është nën kontroll dhe për fat të mirë nuk pati probleme serioze për shëndetin e nxënësve”. Ndërkohë që një tjetër mësues, shoqërues i nxënësve të ardhur nga Kosova, shprehet se dëgjoi për shpërthimin dhe u ngrit menjëherë për të mësuar çfarë kishte ndodhur. Pa një ballkon që kishte rënë, ndërkohë që në gërmadha ndodheshin dy nxënës. Ai u shpreh se nuk dinte gjë çfarë kishte ndodhur, veçse kishte dëgjuar një shpërthim atë mëngjes në hotel. Sipas mësuesit kosovar, nxënësit kanë ardhur në ekskursion me një agjenci dhe kanë paguar 99 euro për person. Sipas policisë dhe mjekëve të spitalit, një vajzë ka thyer këmbën, kurse një djalë ka pësuar dëmtime të lehta. Të 120 nxënësit e tjerë, të cilët ndodhen qysh prej të dielës në ekskursion në Shqipëri, janë vendosur në një hotel tjetër afër atij që ndodhi shpërthimi. Në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia e Kavajës, por edhe ajo e Durrësit, e cila ka nisur intensivisht hetimet lidhur me ngjarjen e pazakontë. Në pyetje është marrë edhe pronari i objektit ku ndodhi aksidenti K.L., i cili do të pyetet lidhur me procesin e ndërtimit të hotelit, kushtet teknike dhe rrethanat e tjera të ngjarjes. Policia dhe hetuesit po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarjeje, e cila i ka trembur paksa nxënësit kosovarë. Numri i nxënësve që vijnë nga shkolla të ndryshme të Kosovës në vendin tonë këto ditët e fundit është më i madh. Shkollat e mesme të Kosovës organizojnë çdo vit ekskursione me destinacion qytetin e Durrësit, për lëndët e historisë dhe gjeografisë.

Ngjarja

Pas shpërthimit të ndodhur në hotelin e Golemit, ku ndodheshin nxënësit nga Kosova, ka reaguar edhe policia me një sqarim rreth ngjarjes. Sipas burimeve zyrtare policore, dje në hotelin “Elesio”, në vendin e quajtur Pishat e Buta, në Golem të Kavajës, rreth orës 07:40 është dëgjuar një shpërthim, ku për pasojë janë shembur muret e brendshme të katit të 2-të të këtij hoteli, në të cilin po flinin nxënës të ardhur nga Kosova për ekskursion në Shqipëri. “Në këtë hotel po flinin rreth 50 nxënës, ku janë dëmtuar lehtësisht vetëm dy prej tyre dhe janë shtruar menjëherë në Spitalin e Durrësit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën nxënësit Shkurte Matoshi dhe Sabah Fetahu, respektivisht të moshave 18 dhe 19 vjeç”, - shprehen burimet policore për ngjarjen dhe masat e marra. Sipas policisë, nxënësit e tjerë janë akomoduar në një tjetër hotel, pranë hotel “Elesio”. Në vend ka mbërritur grupi hetimor nën drejtimin e prokurorit të rrethit Kavajë, ekspertë kriminalistë nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, ekspertë antieksploziv të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Paraprakisht nga grupi hetimor në vendngjarje, mendohet që shkak i shpërthimit në dhomat e brendshme të hotelit, është shpërthimi i një bolieri në një nga tualetet e katit të dytë të hotelit. Në Komisariatin e Policisë Kavajë është shoqëruar i gjithë stafi i këtij hoteli, të cilëve po iu merren deklarimet mbi rrethanat e kësaj ngjarjeje. “Konkluzionet përfundimtare do të nxirren pas kryerjes së ekspertimeve të tjera”, - përfundon policia.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›