E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria do të mbështesë Kosovën në rrugën e integrimit”

13-11-2012 / Gazeta 55

Presidenti Nishani, kryeministri Berisha, ministrit Jashtëm Panarit dhe kryebashkiaku Basha presin ministrin e jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj

Kryeministri Berisha priti në një takim, Ministrin e jashtëm të Republikës së Kosovës, zotin Enver Hoxhaj. Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë dhe vlerësimin e tij për zhvillimet pozitive në konsolidimin e pozicionit të shtetit të Kosovës në rajon dhe në botë, si rezultat i politikave dhe reformave që po ndërmerren në të gjitha fushat. “Populli i Kosovës dhe lidershipi i saj po dëshmojnë para botës shembullin më të mirë në ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit të lirë, shembull paqeje dhe stabiliteti në rajon” u shpreh, në këtë kontekst kryeministri. Kryeministri Berisha i përcolli Ministrit të Jashtëm Hoxhaj përshëndetjet më të përzemërta për Presidenten e Kosovës Jahjaga, Kryeministrin Thaçi dhe mbarë qytetarët e Kosovës. Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm Hoxhaj  falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen  miqësore dhe i shprehu atij mirënjohjen e qeverisë së Kosovës dhe të gjithë popullit të saj për rolin dhe kontributin e madh që Kryeministri Berisha personalisht dhe qeveria shqiptare kanë luajtur në procesin  e njohjes së shtetit të Kosovës, si dhe për ndihmesën dhe mbështetjen e rëndësishme në konsolidimin e institucioneve të këtij shteti dhe integrimit të tij rajonal e më gjerë. Në takim u vlerësua intensifikimi i bashkëpunimit frytdhënës mes dy vendeve, në të gjitha fushat i cili po njeh çdo ditë  e më shumë nivele të reja, si rezultat i zbatimit të marrëveshjeve të përbashkëta të nënshkruara tashmë dhe atyre që pritet të nënshkruhen në të ardhmen. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha vlerësoi protokollin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë që do të nënshkruhet së shpejti në fushat ekonomike, të arsimit, kulturës dhe turizmit, i cili nëpërmjet vendosjes së standardeve të unifikuara, do të bëjë të mundur eliminimin e pengesave burokratike dhe do të nxisë më tej, rritjen e shkëmbimeve në këto fusha. Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria drejt integrimit në BE dhe së bashku me kryeministrin Berisha ripohuan se e ardhmja më e mirë e të dy vendeve Kosovës dhe Shqipërisë, por dhe e të gjithë vendeve të rajonit është dhe mbetet integrimi i tyre në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, zoti Hoxhaj vlerësoi shumë të rëndësishme mbështetjen që qeveria shqiptare mund të japë në drejtim të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe të nënshkrimit nga ana e Kosovës së marrëveshjes së Stabilizim-Associimit, duke ofruar përvojën e saj në këtë drejtim. Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare do të vazhdojë të mbështesë qeverinë e Kosovës në këto hapa të rëndësishme drejt integrimit evropian, me besimin se ky është interesi më i mirë për çdo qytetar të këtij vendi dhe shqiptarët në tërësi.
Më herët ministrin Hoxhaj zhvilloi një takim me Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Duke sjellë në vëmendje Pavarësinë e Kosovës e shpallur mëse katër vjet më parë, Presidenti Nishani vlerësoi hapat e shtetit të ri në zhvillimin e demokracisë dhe konsolidimin e institucioneve të shtetit të së drejtës, të cilat u njohën edhe nga komuniteti ndërkombëtar nëpërmjet heqjes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Më tej, Presidenti Nishani rikonfirmoi angazhimin e tij institucional dhe personal në mbështetje të procesit të njohjes, të përfshirjes së Kosovës në nismat rajonale dhe më gjerë si dhe të integrimit të saj euroatlantik. Në planin e bashkëpunimit dypalësh, Kreu i Shtetit u shpreh se institucionet e të dyja vendeve duhet të shohin mundësitë e zgjerimit të bazës ligjore, rritjes së shkëmbimeve ekonomike dhe të koordinimit të nismave me karakter rajonal e më gjerë. Nga ana e tij, Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj pasi e falenderoi Presidentin Nishani për angazhimin e tij në mbështetje të shtetit të Kosovës vuri në dukje se heqja e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës ka zgjeruar pavarësinë dhe sovranitetin mbi vendin dhe ka rritur përgjegjësinë e institucioneve të Kosovës.
Ndërkaq gjatë ditës së djeshme ministri i Jashtëm i Kosovës Hoxhaj takoi dhe ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, si dhe Kryebashkiakun Basha. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›