Prirjet e gjelbërta: Nafta dhe burimet alternative të energjisë
Me ngritjen e
çmimeve të naftës dhe intensifikimin e debatit për eliminimin e gazit karbonik
në atmosferë, vendet e ndryshme janë duke marrë masa për trajtimin e këtij
problemi, nga përdorimi i karburanteve alternative tek ndryshimi i teknologjisë
dhe konstruksioni i makinave. Në serinë
e përjavëshme "prirjet e gjelbërta”, kolegia Isabela Çoçoli
na sjell hollësi për përpjekjet që bëhen
nëpër botë për mbrojtjen e mjedisit.
Para vitit 2003, çmimi i naftës ishte relativisht i qendrueshëm në rreth 25
dollarë për fuçi. Sot ajo tregtohet rreth 75 dollarë për fuçi dhe ka shumë të
ngjarë që çmimi të ngrihet edhe më tepër.
Eksperti britanik i naftës dhe energjisë, Xhon Miçëll, ka përgatitur një raport
për tregtimin e naftës dhe energjisë, në të cilin diskuton pasojat e mundëshme
që do të kishte ngritja e çmimit.
Por pasojat për mjedisin nga rritja e çmimit të naftës mund të jenë të
dobishme. Zoti Miçëll parashikon se ka
shumë të ngjarë që tregu t'u përgjigjet stimujve ekonomikë që lidhen me burimet
e rigjenerueshme të energjisë dhe si rrjedhojë nxit më shumë kërkime në këtë
fushë, prirje që krijon kushtet për hapjen e tregjeve të reja.
Raporti konkludon se në një periudhë afatgjatë, e ardhmja e industrisë së
naftës është e pasigurt dhe jo për shkak të shterimit të burimeve por si
rezultat i ndryshimit të kërkesava të konsumatorëve.
Ndërsa çmimet e naftës ngrihen dhe debati për çlirimin e dioksidit të karbonit intensifikohet , Britania e Madhe ka shpallur planet për ta trajtuar këtë çështje duke vendosur që 5 përqind e gjithë rezervës së karburantit të vendit të sigurohet nga burime të rigjenerueshme dhe ka caktuar si afat për realizimin e këtij synimi vitin 2010.
Kjo nismë që nuk parashikon konvertimin e veturave personale, por që ekuivalentohet me heqjen nga qakullimi të një milionë makinave, u shpall në Konferencën e Mjeteve Miqësore të Transportit për Mjedisin në Birmingham. Kjo nismë ka si qëllim një trasport ekologjikisht më të pastër publik dhe privat.
Të gjitha makinat e vendosura në ekspozitën e konferencës ofronin versione që punojë me karburant fosil, hidrogjen dhe energji elektrike pasi edhe qëllimi i saj ishte të adresonte shqetësimet në rritje për çlirimin e gazit karbonik nga djegia e karburantit dhe efektet e tij për mjedisin.
Dhe me ngritjen e çmimit të karburantit në nivele rekord dhe pasojat e djegies së naftës dhe nënprodukteve të saj për mjedisin bëhen më të ndjeshme, bota po shqyrton variante nga më të ndryshmet për lloje të tjera karburanti.
Inxhinierët Peter Nortman dhe Greg Hanson kanë gjetur një mënyrë për të dyfishuar distancën për njësi karburanti të makinës së tyre hibride duke instaluar bateri që shtojnë kapacitetin elektrik të saj.
Alternativa të tjera janë biokarburet, një lloj vaj gjelle që përdoret për motorrët dizel, gazi natyror, që është më i pranueshëm për mjedisin dhe njëkohëisht më i lirë se sa benzina, dhe një celulë e re karburant hidrogjeni, përdorimi i të cilës ndodhet në fazat e para të përdorimit.
Megjithë
koston e lartë të ndryshimit të teknologjisë, avantazhet e saj për mjedisin dhe për koston e konsumit
i bëjnë këto alternativa një opcion shumë më të dobishëm. //iç//