SHBA: Lajme të mira nga ekonomia
Raporte të reja mbi ekonominë, që u publikuan sot flasin për lajme të mira rreth dy sektorëve të trazuar të ekonomisë amerikane, prodhimi industrial dhe sektori i shtëpive.
Një studim i kryer nga një grup biznesi tregon se sektori amerikan i prodhimit industrial u rrit në gusht për herë të parë në 18 muajt e fundit.
Një raport tjetër i Shoqatës Kombëtare të Imobiliarëve tregon se në korrik numri i shitjes së shtëpive arriti nivelin më të lartë në dy vjet.
Këto të dhëna shtojnë treguesit se ekonomia e rënduar amerikane po del nga recesioni më i gjatë në dekada, ndërsa përpjekjet e qeverisë për të përmirësuar kreditin dhe për të rivendosur besimin, fillojnë të japin rezultate.
Disa ekonomistë vazhdojnë të jenë të shqetësuar se ekonomia mund të mos krijojë vende të mjaftueshme pune për të ruajtur një rimëkëmbje të fortë. Të premten, qeveria amerikane do të publikojë shifrat më të fundit të papunësisë. //ii