E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleatët e PS, pro dhe kundër bojkotit

 

Aleatët e Partisë Socialiste, të mbetur tashmë jashtë Kuvendit pas zgjedhjeve të 28 qershorit, ndajnë mendime të kundërta lidhur me debatin brenda PS-së dhe për-gjegjësitë e kreut në detyrë Edi Rama. Pas Kongresit të jashtëzakonshëm, kreu i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, mbështet zgjedhjet e parakohshme, por edhe bojkotin e Kuvendit. Ndërsa kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, e sheh të pavend bojkotin për sa kohë socialistët sipas tij janë të mandatuar nga shqiptarët për t’u përfaqësuar në Kuvend. “Për PSD-në, më e pa pranueshmja është se mandatet e fituara në emër të së majtës çohen në të djathtë. Mandati nuk është një e drejtë personale, por një kontratë me votuesin. Çdo qëndrim bojkot, kundërshtim, çdo lëvizje, çdo protestë, çdo organizim çon në moslegjitimin e këtij Kuvendi dhe në përsëritjen sa më shpejt të zgjedhjeve, absolutisht do të ketë mbështetjen e PSD-së” - u shpreh kreu i PSD-së Gjinushi. Ndërkohë kreu i PDS-së Milo tha se “besoj që PS-ja nuk ka për ta realizuar bojkotin parlamentar, mund të jetë vetëm një taktikë politike e përkohshme në shërbim të veprimeve politike të çastit të një perspektive të afërt. Por jam i bindur se PS-ja do të kthehet në Kuvendin e Shqipërisë sepse është institucioni ku zhvillohet politika dhe PS-ja është votuar nga elektorati shqiptar që të shkoj në Kuvend ku të përfaqësoj dhe të mbroj interesat e atij elektorati që e ka votuar” -  theksoi Milo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›