Prishja e Piramidës, Topi e kalon në heshtje ligjin

Kreu i shtetit nuk e ka firmosur dekretimin e ligjit për shembjen e Piramidës dhe ngritjen aty të kompleksit të ri parlamentar. Ndërsa ka përfunduar tashmë afati 20 ditor që në kohën kur ligji kaloi në parlament për tu dekretuar nga presidenti Topi, ky i fundit ka folur me heshtjen e tij për këtë çështje që ngjalli debat të hapur publik.
Në këtë mënyrë në faqen zyrtare të presidentit të republikës nuk publikohet dekretimi ose kthimi mbrapsht i tij për rishikim në parlament duke treguar në një farë mënyrë se nuk do të bëhet pjesë e këtij debati. Ligji për rregullat dhe procedurat për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar kaloi para tre javësh në parlament me votat e mazhorancës, ndërsa opozita nuk ishte e pranishme.
Që prej këtij momenti kreu i shtetit është vënë përballë kërkesave të shoqatave të cilat ishin kundër ngritjes së komplesit parlamentar në vendin ku aktualsiht është Piramida. Por jo vetëm kaq këto shoqata kanë shkuar më tej kur kundër prishjes së Piramidës kanë depozituar në presidencë një peticion të firmosur nga 6100 qytetarë. Me sa duket kjo situatë ka bërë që presidenti Topi të mos përfshihet në këtë debat të hapur duke e lënë në heshtje dekretimin e këtij ligji.
Ndërkaq debati për Piramidën po vijon edhe në Gjykatën Kushtetuese ku Bashkia e Tiranës para zgjedhjeve të 8 majit ka ankimuar prishjen e Piramidës me argumentin se prishja e Piramidës për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar është e paligjshme pasi plani rregullues i Tiranës nuk e parashikon një gjë të tillë.