Prishtina: EULEX-i të funksionojë në bazë të kushtetutës së Kosovës
Kërkesa e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, drejtuar Havier Solanës që misioni EULEX të jetë neutral në lidhje më statusin e Kosovës, është kundërshtuar nga Prishtina zyrtare
Udhëheqësit politikë kosovarë, thonë se misioni EULEX, duhet të funksionjë në bazë të Kushtetutës së Kosovës. Analistët, nga ana e tyre, thonë se kërkesa e Ban ki Munit, tregon qartë dallimet konceptuale, që kanë OKB-ja dhe BE-ja, në lidhje me statusin e Kosovës. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban ki Mun, ka kërkuar nga shefi i diplomacisë evropiane, Havier Solana, që misioni EULEX të jetë neutral në lidhje me statusin e Kosovës. Sipas një letre që Ban Ki Moon-i i ka dërguar zotit Solana, thuhet se EULEX-i mund të vendoset në Kosovë vetëm duke iu përmbajtur neutralitetit të statusit të Kosovës. Neutraliteti i EULEX-it, thotë Ban ki Mun, shihet si imperativ, nëse synohet që EULEX-i të jetë funksional në Kosovë.Mirëpo udhëheqësit politikë kosovarë dhe analistët, thonë se misioni i ri i BE-së, duhet të funksionojë në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe jo të ketë një status neutral, për faktin që, për këtë, nuk ka mandat. Udhëheqësit politikë rikujtojnë se kuvendi i Kosovës, edhe në deklaratën e pavarësisë, mirëpret misionin evropian, i cili ka për detyrë vetëm mbikëqyrjen e zbatimit të pakos së Marti Ahtisarit, e cila Kosovën e përcakton shtet të pavarur.
"Ne do ta zbatojmë pakon e Ahtisarit. EULEX-i është një strukturë e përbërë nga vendet e BE-së dhe prezencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse kjo ka qenë ide dhe kërkesë edhe e jona dhe, mendojmë se, e gjithë veprimtaria e këtij misioni, duhet të përputhet me pakon e Ahtisarit. Mandat tjetër nuk ka", - thotë presidenti Sejdiu.
Ndërkohë, analisti i pavarur, Driton Lajqi, thotë se kërkesa e Kombeve të Bashkuara, që EULEX-i të jetë neutral në lidhje më statusin e Kosovës, tregon qartë dallimet konceptuale që kanë kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, në lidhje me statusin e Kosovës.
"Unë këtë e shoh edhe si një mungesë të gatishmërisë së Kombeve të Bashkuara që ta pranojnë realitetin e ri të krijuar në Kosovë dhe, në anën tjetër, mungesë të gatishmërisë për t´u përballur me strukturat paralele serbe në Kosovë dhe qeverinë e Beogradit", - thotë Driton Lajqi.
Administrata e Kombeve të Bashkuara, po përpiqet të gjejë forma për shtrirjen e misionit EULEX në të gjithë rajonet e Kosovës, mirëpo e ka të vështirë, sepse, në vendbanimet serbe, misioni EULEX nuk pranohet. Udhëheqësit politikë kosovarë, vazhdimisht përsërisin se, misioni EULEX, nuk duhet të jetë zëvëndësues i UNMIK-ut, por duhet të ndihmojë institucionet e Kosovës në vendosjen e rendit dhe ligjit në të gjithë rajonet e Kosovës, përfshirë edhe vendbanimet serbe. Ata thonë se, përzierja e pushteteve në Kosovë, e bën vendin jofunksional.