"Kosova me argumente të forta", flet Ministri i jashtëm
Ministri i jashtëm kosovar, Skënder Hyseni, kathënë se Kosova ka besim të plotë në qasjen e plotë dhe të paanshme të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Hyseni është shprehur se, Kosova do të paraqesë argumente të shumta në mbrojtje të pavarësisë së saj dhe ka shfaqur bindjen e tij se Gjykata do t'i japë një trajtim të drejtë kësaj çështjeje.
Duke e mirëpritur vendimin e Gjykatës në Hagë, për t'i mundësuar Kosovës paraqitjen e argumentave të saj, Ministri i Jashtëm kosovar, ka thënë se autoritetet kosovare, do të kryejnë të gjitha detyrimet e tyre në çdo fazë të punës së Gjykatës.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, pas miratimit të Rezolutës serbe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ka kërkuar nga Kosova që të ofrojë qëndrimin e saj për shpalljen e pavarësisë, deri nga mesi i vitit të ardhshëm.
Autoritetet serbe e kanë cilësuar vendimin si të padrejtë.
Gjykata, ndërkaq, ka kërkuar nga vendet anëtare të OKB-së që të thonë mendimin e tyre nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte e ligjshme apo jo.
Autoritetet e Prishtinës, ndërkaq, kanë emëruar në krye të ekipit ligjor të Kosovës, që do ta përfaqësojë atë në Gjykatë Ndërkombëtare, një ekspert britanik, Michael Wood-in.
Ekonomia e Kosovës "e paprekur" nga kriza globale
Situata ekonomike në Kosovë, edhe pa krizën globale ekonomike, ka pasur vështirësi të mëdha. Zhvillimi ekonomik i Kosovës, është pothuaj i pahetueshëm në përqindjet që zakonisht bëhen, dhe ajo tash e disa vjet, është në të ashtuquajturën fazë emergjente.
Buxheti i Kosovës, tek ne këtë vit, ka mbërritur në një miliard euro, që është shumë nën mesataren e të gjitha vendeve të rajonit, ndërkaq, në gjithë tetë vitet e shkuara, nuk ka kaluar mbi 700 milionë.
Sistemet e mëdha ekonomike, siç kanë qenë industria ndërtimore, e ushqimit, e përpunimit të metaleve, tekstileve, por edhe të tjerë që dikur kanë qenë burim kryesor i të ardhurave, tashmë janë nxjerrë jashtë sistemit, ose funksionojnë në një përqindje shumë të vogël.
Kjo ka bërë që Kosova të jetë njëri prej vendeve me shkallën më të lartë të papunësisë në Evropë, me mbi 45 për qind të papunë.
Kriza financiare në nivel botëror, ka rritur drojen se mund ketë ndikim të keq edhe në ekonominë e Kosovës, kjo për shkak se, në Kosovë, operojnë një varg bankash perëndimore, apo edhe për shkak të mjeteve financiare, që popullata e Kosovës merr nga diaspora e saj.
Ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Ahmet Shala, thotë se Kosova po e përcjell me vëmendje gjithë atë që po ndodh në tregjet financiare botërore dhe se Kosova nuk është e përfshirë prej saj.
“Ne e kemi përcjellur me shumë vëmendje çdo implikim të mundshëm të kësaj situate në Kosovë. Sipas informatave që kemi, bankat që veprojnë në Kosovë, nuk janë të përfshira shumë, ose fare pak, në investimet në segmentë të caktuar të rrezikshëm, nuk ka shqetësime, absolutisht, për Kosovën. Unë, me besim të plotë, mund të them se, qytetarët e Kosovës tashpërtarsh, janë të mbrojtur nga çdo tundje”.
Specialistët thonë se sistemi bankar në Kosovë, ka një mbikëqyrje të rreptë dhe, pothuajse, është e pamundur që ai të përfshihet nga çfarëdo krize. Zëvendësguvernatori i Kosovës, Gani Gërguri, thotë se, sistemi i bankave, gëzon një besim të madh të qytetarëve, gjë që ka bërë që, në këtë vit, të shtohen edhe depozitat edhe kreditë.
“Mjetet e tërësishme të sistemit bankar në vitin 2007 janë rritur për 23 për qind, krahasuar me një vit më parë. Depozitat, po ashtu, janë rritur për 23 për qind, ndërkaq kreditë akoma më shumë, rreth 40 për qind. Këto trende tregojnë për një zhvillim të sistemit bankar dhe për rritjen e besimit në këtë sistem bankar. Mendoj se teknologjia e mbikëqyrjes së institucioneve bankare, konkretisht bankave komerciale që operojnë në Kosovë, garanton se nuk ka vend për shqetësim”.
Musa Limani, profesor i ekonomisë në “Universitetin e Prishtinës”, thotë se, nëse kriza financiare vazhdon edhe më tutje, atëherë ekziston rreziku që të preket edhe sistemi bankar i Kosovës. Ky sistem, sipas profesor Limanit, nuk është përfshirë nga kjo krizë deri më tash, sepse bizneset e Kosovës nuk kanë operuar në tregjet ndërkombëtare.
Profesor Limani, thotë se në Kosovë ka një dukuri të pazakontë ekonomike. Kosova, thotë ai, po përballet njëkohësisht edhe me inflacionin edhe me deflacionin. Sipas tij, kjo është pasojë se, Kosova nuk ka ndikim në politikën monetare të saj, ndërkaq mbi 80 për qind të artikujve për vete, i merr nga tregjet jashtë Kosovës, me çfarë importon edhe inflacionin.
“Norma e papunësisë në Kosovë, është mbi 60 për qind. Kjo d.m.th. se Kosovën e kanë kapluar problemet sociale dhe kjo paraqet shumë sfida për qeverinë e Kosovës. Paraqiten shumë probleme që kërkojnë zgjidhje shumë të shpejt dhe masa konkrete të politikave zhvillimore”.
Nazmi Mustafa, ekonomist dhe ish-nënkryetar i qeverisë federative jugosllave, në kohën kur ajo përballej me inflacionin galopant treshifror që kishte mbërthyer shtetin e atëhershëm jugosllav, thotë se kjo krizë, ka dhe do të ketë ndikim, por jo ndikim të dorës së parë, ose primare.
“Unë mendoj që ky ndikim do të jetë më i madh në valën e dytë e të tretë, të cilat vijnë përmes kompanive ndërkombëtare që, në një farë mënyre, janë të përfshira edhe në Kosovë”.
Sidoqoftë, gjithë shpresat që të mos preket ekonomia edhe ashtu e brishtë e Kosovës nga kjo krizë, janë te masat që po ndërmarrin fuqitë e mëdha ekonomike dhe te suksesi i këtyre masave.