Bart 21 milionë euro të vitit të kaluar

(E plotësuar) Në mbledhjen e dytë për vitin 2013 të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Kryetari i Komunës Isa Mustafa u ka kërkuar asambleistëve që të votojnë pro propozimvendimit të tij për bartjen e mbi 21 milionë euro që i kanë “tepruar” Komunës gjatë vitit 2012 në buxhetin e vitit 2013.
Sipas propozimvendimit që e ka siguruar Indeksonline Isa Mustafa këto mjete planifikon t’i shpenzojë gjatë vitit 2013 që pritet të jetë vit elektoral për:
Mjetet e bartura nga viti 2012 do të destinohen në kategoritë për:
a.)paga dhe mëditje – 111 .......... 200,000.00 €;
b.)mallra dhe shërbime – 110 .......... 314,759.15 €;
c.)subvencione dhe transfere – 200 ........... 550,000.00 €;
d.) investimet kapitale – 300 ............. 20,262,039.76 €;
Gjithsej këto mjete kapin shumën 21,326,798.91 euro
Propozimvendimi për bartjen e këtyre mjeteve është shndërruar në vendim me votat e shumicës së asambleistëve. I vetmi subjekt që e ka kundërshtuar këtë vendim duke votuar kundër ishte Lëvizja Vetëvendosje!, Sadri Ramabaja nga kjo lëvizje e ka cilësuar këtë vendim si projekt për manipulimin e radhës elektoral nga LDK-ja ndaj qytetarëve të Prishtinës.
“Me paratë e buxhetit, po planifikohet të blehen vota. Po e kopjoni saktë nivelin qendror (PDK)-në! Qytetarët e Prishtinës do të duhej të protestonin për faktin se i keni lënë për më shumë se dy vite në baltë dhe pa shërbimet e duhura, duke mos realizuar projekte jetike e duke i bartur paratë në gjashtëmujorin e fundit të vitit elektoral!” ka thënë Ramabaja gjatë fjalës së tij në Kuvend.
---
Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Prishtinë po shihet e pa konkurrencë, nga partitë tjera opozitare në Kuvendin komunal. Nga 26 këshilltarë, aq sa ka pasur LDK në Prishtinë, sot i është bashkuar edhe një tjetër këshilltar komunal.
Valon Iseni ka braktisur AKR-në edhe i është bashkuar grupit parlamentar të LDK-së.
Iseini e ka bërë publike sot vendimin e tij në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Iseini i cili nuk ka folur më shumë se dy herë në Kuvend, i ishte bashkangjitur AKR-së, në vitin 2011, në vendin e të ndjerit Arif Krasniqi.
Valon Iseini deri më tash ka qenë edhe kryetar i forumit rinor te AKR-së dega Gollak.
Ndryshe, deri më tani as një deputet i LDK-së në Prishtinë nuk e ka braktisur partinë, kurse për herë të fundit në vitin 2011 ish këshilltari i PDK-së, Flamur Shala pati kaluar në LDK.
Pos tjerash, sot Kuvendi ka miratuar Propozimvendimin për ndryshimin e Rregullores për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale; Propozimvendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit për caktimin e lokacionit për ndërtimin e objektit të shkollës fillore dhe të mesme të muzikës dhe të baletit “Prenk Jakova” në Prishtinë; Propozimi për miratimin paraprak të Vendimit për dhënien e pronës së paluajtshme të Komunës në shfrytëzim; Propozimvendimi për rritjen e të hyrave vetanake dhe bartjen e mjeteve nga viti 2012 në vitin 2013, etj. /Indeksonline/