E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina bashkërendon punët me MTPT-në

Prishtinë, 3 gusht - Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa me bashkëpunëtorët, sot, ka pritur në një takim përfaqësues të Ministrisë së Transportit dhe Postë Telekomunikacionit të Kosovës, ku është biseduar  për bashkëpunimin rreth përfundimit të projekteve infrastrukturore të përbashkëta.
Të dy palët u pajtuan që këtë vit të realizohen projektet si: përfundimi i rrugës Gllogovicë - Hajkobillë,  fillimi i pjesës së parë  të rrugës Stallovë -Koliq- Dyz, realizimi i projektit për ndërtimin e mbikalimit në magjistralen Prishtinë - Shkup (pjesa që lidhë lagjet "Kalabria" dhe "Dardania").
Në këtë takim gjithashtu është biseduar edhe rreth trasesë së Autostradës Morinë-Merdar  nëpër territorin e Komunës së Prishtinës. Njoftohet se udhëheqja e Prishtinës dhe përfaqësuesit e MTPT-së, gjatë muajit shtator do të zhvillojnë takime për ta definuar qartë trasenë në territorin e Prishtinës. "Ne jemi të interesuar që ndërtimi i autostradës nëpër territorin e  Prishtinës të kalojë nëpër pjesët ku mundësisht nuk do të dëmtoheshin materialisht pronarët e pronave", tha kryetari Mustafa.
Mevludin Krasniqi këshilltar i lartë politik i ministrit të MTPT-së, tha se kjo ministri e ka urdhëruar punëkryesin që po e ndërton rreth-rrotullimin në dalje të kryeqytetit, që të intensifikojë punimet me qëllim që ajo pjesë dalëse e kryeqytetit të lirohet sa më parë. "Në gjithashtu kemi edhe një projekt  për  zgjidhjen e problemit të hyrje-daljeve në pikën te magjistralja Prishtinë -Shkup, pjesa në drejtim të lagjes Veterik, të cilin bashkërisht me komunën kemi menduar ta realizojmë", tha Krasniqi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›