E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtina dhe Shkupi ratifikojnë nesër marrëveshjen?

Parlamenti i Kosovë dhe ai i Maqedonisë, pritet që gjatë ditës së shtunë, të mbajnë seanca urgjente për të ratifikuar marrëveshjen për demarkacionin e kufirit ndërmjet dy vendeve.

Zyra për Informim e Kuvendit të Kosovës ka shpërndarë sot një njoftim ku bëhet e ditur se të shtunën, me fillim në ora 11, është thirrur mbledhja e jashtëzakonshme e legjislativit, me r e n d d i t e: Marrëveshja për demarkacion fizik të kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë.

Por zyrtarët e Qeverisë së Kosovës nuk kanë mundur të konfirmojnë arritjen e marrëveshjes ndërmjet Prishtinës dhe Shkupit, që i hap rrugë vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Ndërkohë, siç raportin agjencia e lajmeve INA, edhe shefat e grupeve parlamentare të partive politike në Maqedoni dhe kryeparlamentari Trajko Veljanovski pritet të vendosin për seancën e paralajmëruar parlamentare për ditën e shtunë.

Në rast të ratifikimit të kësaj marrëveshjeje nga parlamentet e të dy vendeve, në fillim të javës së ardhshme marrëveshja do të nënshkruhet nga kryeministri Hashim Thaçi dhe homologu i tij maqedonas, Nikola Gruevski.

Procesi i shënimit të vijës kufitare mes dy vendeve ka nisur para një viti e gjysmë, por përfundimi i këtij procesi është zvarritur deri më tani. Kjo ishte bërë edhe pengesë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, megjithëse Maqedonia e ka njohur pavarësinë e Kosovës, para më shumë se një viti.

Ditëve të fundit, zyrtarë të institucioneve të Kosovës, Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë dhe të Qeverisë së Maqedonisë kanë pasur konsultime intensive, kryesisht përmes telefonit, që kjo çështje e kufirit të përfundojë sa më shpejt, kanë bërë të ditur burime të Express-it.

Demarkacioni i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë parashihet edhe në Pakon e Martti Ahtisaarit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›