E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vërejtjet e KE-së të merren seriozisht, kërkon KDI

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) shpreh shqetësimin me të gjeturat në Raportin e Progresit i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2009 dhe kërkon ngritjen e përgjegjësisë së institucioneve për përmirësimin e gjendjes.

Shqetësimi më i madh lidhet me fushën e korrupsionit. Merita Mustafa, menaxhere e programit Transparenca dhe Antikorrupsioni, ka thënë në një konferencë për gazetarë se përkundër disa përmirësimeve në funksionimin e institucioneve demokratike, në raport shprehen pakënaqësitë e ngjashme me ato të vitit të kaluar, përfshirë mungesa e sundimit të ligjit, përhapja e korrupsionit, përpjekjet e dobëta për reformimin e sistemit gjyqësor, mungesa e bashkëpunimit në mes të Agjencisë Kundër Korrupsionit me Prokurorisë, përpjekjet e pamjaftueshme në luftimin e krimit të organizuar dhe shpëlarjes së parasë etj.

Është bërë praktikë që raportet e progresit, të mbesin vetëm të tilla, të interpretohen më shumë anët pozitive dhe jo të numërohen edhe vërejtjet e shumta që përmban ky raport, citohet Mustafa, në një komunikatë të lëshuar nga KDI.

Sipas saj, megjithëse janë nënshkruar disa memorandume të mirëkuptimit ndërmjet Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe institucioneve siç janë gjykatat dhe komisioni prokurorial, në raport thuhet se nuk ka bashkëpunim të duhur për shkëmbimin e informatave për rastet e korrupsionit.

Raporti bën thirrje edhe për përmirësim urgjent të kornizës ligjore që e lufton korrupsionin. Ligji për deklarimin e pasurisë të personave të lartë zyrtarë, ligji i financimit të partive politike, amandamentimi i ligjit kundër korrupsionit, dhe amandamentimi i ligjit të konfliktit të interesit, janë ligje që e pamundësojnë kompletimin e kornizës ligjore kundër korrupsion.

Ajo ka përmendur edhe shqetësimet serioze që përmenden në raport lidhur me mungesën e mekanizmave mbikëqyrës dhe mungesën e transparencës sa i përket financimit të partive politike.

Instituti Demokratik i Kosovës vlerëson se sfidat e identifikuara në Raportin e Progresit 2008 për fushat e sundimit të ligjit, luftës kudër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbeten aktuale edhe në raportin e këtij viti. Madje në disa raste gjendja vetëm se është përkeqësuar, si rasti i ndikimeve politike në emërime. Kjo na jep të kuptojmë se Qeveria e Kosovës, si bartëse kryesore e detyrave të dala nga Raporti i Progresit, nuk i ka përmbushur detyrat e saj, përkundër deklarimeve të vazhdueshme se përmbushja e kërkesave të procesit të integrimit evropian, e që përmblidhen në këtë Raport, do të jenë në qendër të angazhimeve të saj, ka deklaruar Mustafa.

KDI i bën thirrje Qeverisë së Kosovës dhe të gjitha institucioneve tjera relevante që Raportin e Progresit 2009 ta kuptojnë me seriozitetin maksimal dhe problemet e identifikuara në të ti pranojnë si sfida të gjithë shoqërisë kosovare, e jo ti vënë në funksion të politikës ditore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›